Marina Vjollca shijon jetën si gruaja e Getoarit, projekti i vështirë që po e mban varur në televizion
Sapo filloi sezoni i ri televiziv, Marina Vjollca ishte një nga moderatoret më të komentuara për faktin se me çfarë emisioni do ta shohim në ekran. Thashethemet e shumta nisën kur u publikua videoja promo e sezonit të ri në “TV Klan”, ku Marina mungonte në të. Ndërkohë, zërat e para pak javëve përforcohen tashmë, pasi mësohet se Marina vazhdon të jetë pjesë e “Tv Klan”. Ajo shihet gjithmonë e më shpesh në ambientet e këtij televizoni, duke punuar për projektin e ri televiziv, që, sipas burimeve tona, është pak i vështirë për t’u konkretizuar dhe kjo është arsyeja që po zvarrit shfaqjen e moderatores në ekran.
Pas “C’est la vie”, ku pamë personazhe të njohur të ngjiteshin në skenë si këngëtarë krah profesionistëve, Marina këtë herë do të drejtojë një emision me talente të fushave të ndryshme. Audicionet, përzgjedhja e personazheve të duhur dhe përshtatja me ta, është arsyeja pse Marinës i duhet më shumë kohë që ajo dhe stafi të jenë gati për finalizimin e projektit dhe daljen në ekran në fillim të vitit që vjen. Gjithsesi, xhirimet kanë filluar, por emisioni do të nisë transmetimin në “Tv Klan” vetëm në muajin shkurt 2019. Vetë Marina ka qëndruar e heshtur në lidhje me punën, duke i lënë thashethemet të qarkullojnë për një kohë të gjatë. Por ndryshe vepron ajo në lidhje me ekspozimin e martesës mbi 1-vjeçare me reperin e njohur nga Kosova, Getoar Selimi.
Ndërkohë që koleget e saj nisën punën për sezonin e ri televiziv, Marina mori valixhet dhe u largua nga Shqipëria. Ajo dhe Geti u nisën sërish me pushime këtë vjeshtë dhe këtë e bënë vetë të ditur me anë të postimeve të tyre në “Instagram”. Duket se Marinës i pëlqen shumë të jetë e hapur për të postuar çdo moment nga martesa me Getin, por shumë diskrete me punën, pasi, mesa duket, nuk po i ecën sipas parashikimeve të saj, që kur mori vendimin të largohej nga “Top Channel”. Shumë kolegë të saj e konsideruan një lëvizje të gabuar të saj, duke qenë se la punën si bashkëdrejtuese prej 10 vitesh e “Procesi Sportiv” me Edi Manushin.
Në lidhje me jetën private, flitet se ajo dhe Getoari po planifikojnë sjelljen në jetë të fëmijës së tyre të pare. Për këtë arsye, Marina që pas mbylljes së spektaklit «C’est la vie», po i dedikohet një jete të qetë, larg preokupimeve dhe lodhjes. Në postimet e saj, ajo bën autoironi, duke e konsideruar veten «shtëpiake e dëshpëruar».Pas martesës me reperin e njohur Getoar Selimi, të gjithë presin një fëmijë nga çifti i njohur i showbiz-it, duke qenë se hapat që ata hodhën në marrëdhënien e tyre ishin të një çifti tradicional, me fejesë e më pas martesë. Marina, edhe pse një personazh publik dhe e identifikuar në karrierën e saj me mbiemrin Vjollca, vendosi të merrte mbiemrin e burrit (Selimi) gjatë ngjitjes në altar. Ndërsa Getoari për t’iu përshtatur karrierës së saj në Shqipëri, vendosi të blinte apartament në Tiranë, ku tani bashkëjetojnë si burrë e grua. Nga ana tjetër, martesa duket se e ka larguar paksa Getoarin nga karriera muzikore, pasi i ka rralluar produksionet e tij./Panorama Plus