Marina Fara pret të bëhet nënë, meraku i Eli Farës për të bijën
Kohët e fundit, jeta private e vajzës së Eli Farës, Marinës, ka qenë në qendër të mediave rozë. Ajo e kishte pranuar që është në një lidhje dashurie, por nuk e kishte treguar se me cilin djalë, madje dhe në fotot e postuara me të dashurin, ia mbulonte gjithmonë fytyrën. Kështu vazhdoi për javë me radhë dhe të gjithë u bënë kureshtarë për të mësuar se ku është djali që i ka rrëmbyer zemrën Marinës. Mirëpo, pas kaq shumë kohësh, më në fund, Marina ka shuar kuriozitetin e ndjekësve, duke publikuar disa foto me të dashurin ku nuk ia fshehte më fytyrën me emoji. Postimet ajo i shoqëronte gjithmonë me dedikime të forta dashurie drejtuar njeriu të zemrës, një djalë që nuk njihet në publik. Dhe duket se kjo paska qenë dashuri e vërtetë, pasi po presin të bëhen prindër. Mediat online u pushtuan pak ditë më parë nga lajmi se Marina, vajza e këngëtares së njohur Eli Fara, është shtatzënë në muajin e tretë. Ky lajm u shoqërua me foton e Marinës nga vizita te gjinekologu, ndërsa ndodhej e shtrirë duke bërë ekon. Nuk dihet se si janë njohur të dy, por miqtë e çiftit kanë qenë në dijeni të kësaj lidhjeje para se Marina të bënte postimet e para me të dashurin në profilet e saj zyrtare. Lidhja disamujore u zyrtarizua para dy muajsh, kur Marina e deklaroi hapur me statuset se kishte rënë kokë e këmbë në dashuri. Nuk dihet si e ka pritur nëna e saj Eli, po patjetër me gëzim, përderisa ajo gjithmonë ka shprehur dëshirën e saj publikisht që të shohë të bijën nuse dhe nënë me fëmijë.
RRËFIMI I MARINËS PËR DASHURINË E VËRTETË DHE MARTESËN
Marina, edhe pse në profesion juriste, në rrjetet sociale arriti ta kalojë edhe famën e nënës së saj artiste. Duke qenë se bën një jetë plot udhëtime, në intervistën e fundit për gazetën “Panorama Plus” ajo është shprehur: “Më pëlqen shumë të udhëtoj, pasi është një ndër hobit e mia, gjë e cila mua më bën të ndihem mirë. Herë pas here e ndjej të nevojshme të udhëtoj”.
Për konceptin që ka për dashurinë e vërtetë ajo thotë: Jeta do të ishte shumë e thjeshtë, dhe ndoshta jo kaq e bukur nëse do të dinim nga fillimi si do të ishte përfundimi. Dashuria është një nga ndjenjat më të bukura dhe të pastra që ekziston. Po martesa, a është në planet e saj? “Martesa për mua, fillimisht, është një premtim, që të dyja palët duhet të bëjnë maksimumin për ta bërë atë të funksionojë dhe të jenë të lumtur, aq më tepër kur, sipas zgjedhjes, njerëzit vendosin të sjellin jetë të reja, detyrimi për t’iu përkushtuar, duhet të jetë akoma dhe më i madh. Por kjo do të ishte në një situatë perfekte, ndërkaq që në jetë jo çdo gjë është perfekte dhe dy njerëz s’mund të mendojnë njësoj”, është shprehur ajo. Por ç’këshilla i jep nëna e saj artiste Eli Fara për të qenë e suksesshme dhe e pëlqyer në çdo kohë? “Nuk para më jep këshilla të tilla, por kryesisht ka merakun e saj si nënë, pasi do që të jem e lumtur dhe e sigurt”, ka thënë Marina. Le të shohim nëse bashkë me mëmësinë do të kemi një ceremoni dasme në familjen e Eli Farës, shkruan Panorama Plus.