Margarita Xhepa, 86 vjeçe dhe e bukur pa ndërhyrje estetike
Aktorja e madhe shqiptare Margarita Xhepa, feston dje ditëlindjen, shkruan KultPlus. Ajo lindi më 2 prill të vitit 1932 në Lushnjë dhe njihet si një nga Zonjat e Mëdha të Teatrit Shqiptar. Nga viti 1950 u aktivizua si artiste e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar), dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, Dega e Dramës. Ajo ka luajtur mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek “Majlinda”(Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha), etj. Margarita ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjeçare. Margarita Xhepa mbushi 86 vite, dhe ruan ende bukurinë e dikurshme si një divë botërore pa nevojën e ndërhyrjeve estetike.