Manipuloi të dhënat për makinën luksoze, Morena Taraku me dosje në prokurori
Mediat kosovare prej disa ditësh kanë transmetuar lajmin se këngëtarja Morena Taraku ka shmangur taksën doganore duke manipuluar të dhënat për makinën luksoze.
Sipas kodit doganor makinat e reja nuk i nënshtrohen një takse dhe për këtë arsye, këngëtarja ka deklaruar se makina e saj e tipit “Bentely” me vlerë 235 mijë euro është e re.
Dogana konstatoi më vonë se në fakt makina ishte regjistruar në Gjermani që në datën 22 korrik dhe ka kaluar 2,194 km e për këtë shkak duhet të paguajë taksën.
Pak ditë më parë u tha se prokuroria kishte vendosur të mos e ndiqte penalisht rastin, por në një njoftim të bërë së fundmi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se rasti i këngëtares është ende i hapur.
Ata janë duke punuar për zbardhjen e ngjarjes dhe po kërkojnë të zbulojnë se çfarë fshihet pas kësaj makine.
Njoftimi i plotë;
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, ndjehet e obliguar të sqarojë se, më 15.10.2019, kjo prokurori ka pranuar nga Njësia e Hetimeve të Doganës së Kosovës një Raport Njoftues, lidhur me zhdoganimin e veturës së markës “Bently”, si dhe është kërkuar nga kjo prokurori ta lëshoj një vendim, i cili do ta identifikoj veturën si të re apo të përdorur në procedurën e zhdoganimit të saj
Prandaj, nuk qëndron ajo që është shkruar në media, se rasti është i mbyllur në Prokurori, për faktin se në të njëjtën ditë, më 15.10.2019, prokurori i çështjes, ka lëshuar autorizim për ndërmarrjen e veprimeve paraprake hetimore. Dokumenti në fjalë-autorizimi, është dokument zyrtar, i cili i është dhënë hetuesve doganor, në bazë të të cilit të njëjtit kanë qenë të obliguar të ndërmarrin veprime hetimore për të zbardhur të vërtetën që ka të bëjë me zhdoganimin e veturës së markës “Bently”, që është përmendur në Raportin Informues. Ky dokument në asnjë mënyrë nuk ka guxuar të publikohet.
Sa i përket sinjalizuesve, Prokurori i Shtetit, respekton, mbron dhe zbaton Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, por në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me sinjalizuesit, siç është shkruar në media, për shkak se sinjalizuesi nuk gëzon mbrojtje juridike nëse ka ose mund të ketë dijeni se informacioni i shpalosur është i rremë. Andaj, informatat e publikuara në media, nuk përputhen me gjendjen faktike dhe juridike në rastin konkret”.
Lapsi.al