Mançester Siti “tradhton” Mesin, Guardiola: Rri te Barcelona

Pep Guardiola u rik thye ditën e djeshme në Angli, por në valixhen e tij nuk ishte Lionel Mesi… Ndoshta ky i fundit nuk do të marrë avionin nga Barcelona drejt Mançesterit. Të paktën tani për tani kjo është kthesa e papritur që ka pësuar çështja “Lionel Mesi”. Pak ditë më parë dukej se kapiteni i Barcelonës ishte shumë pranë transferimit në Premier Ligë për të luajtur me Sitin, por lajmet e fundit nga Anglia dhe nga Spanja tregojnë tjetër gjë. Burime brenda “Qytetarëve” bëjnë me dije se nuk kanë ndërmend të paguajnë asnjë qindarkë për kartonin e Leo Mesit sepse llogaritë kalojnë limitet.

SHUMË I SHTRENJTË – Gjatë këtyre ditëve personat përgjegjës në Mançester i kanë bërë llogaritë për transferimin e Lionel Mesit dhe vetëm rroga e futbollistit për 5 vite, shtuar edhe një premio të majme, shkon 750 milionë euro bashkë me taksat. Sipas Sitit, Mesi do të qëndronte 3 vite në Angli dhe 2 të tjera në Amerikë dhe rroga e tij do të ishte 100 milionë euro bruto. Në momentin që do të shkonte në SHBA, do të merrte 250 milionë euro premio, lëvizje që do të ishte për të shmangur rregullat e “Fair Play”-t. Mirëpo këto shifra kanë trembur Sitin dhe drejtuesit kanë vendosur që deri këtu mund të shkojnë. Nuk kanë ndërmend që të blejnë kartonin e tij nga Barcelona për 100 milionë euro ose më shumë. Ata do të rikthehen sërish në sulm për futbollistin argjentinas nëse do të lirohet nga klubi katalanas me kosto 0 dhe do të ikë si futbollist pa kontratë. Siti gjithashtu ka vendosur që nuk do të përfshijë asnjë futbollist titullar në marrëveshje.

KËSHILLA E PEPIT – Ka një tjetër faktor që e ftoh akoma më shumë transferimin e Lionel Mesit te skuadra e Mançester Sitit. Trajneri Pep Guardiola ka biseduar me argjentinasin dhe i ka treguar vështirësitë ekonomike që ekzistojnë në këtë transferim madhështor dhe i ka këshilluar që më e mira për të është qëndrimi te Barcelona. Diçka të tillë Guardiola e ka thënë edhe në publik.

GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL