Manaj lë pas Breithueitin, Barça i beson më shumë sulmuesit shqiptar
Njëmbëdhjetë minuta në fushë, por aq mjaftojnë për të treguar se Ronald Kuman vazhdon akoma të besojë te Rei Manaj. Edhe në miqësoren e fundit të Barcelonës, kundër Shtutgartit, sulmuesi shqiptar e nisi nga stoli ndeshjen, ashtu si në dy testet e fundit.
Trajneri Ronald Kuman e pa të udhës të aktivizonte titullar Memfis Depajin dhe të rikthyerin nga pushimet Antuan Grizman, duke u ofruar më shumë minuta në këmbë pasi janë mbrapa me përgatitjet. Në minutën e 79-të erdhi momenti i Manajt, i cili zëvendësoi Antuan Grizmanin (dhuroi 2 asiste për Demir 36’ dhe Puxh 73’). Dhe sërish 24-vjeçari e pati shansin për të lënë gjurmë në këtë ndeshje, por portieri i Shtutgartit i mohoi një gol të sigurt i vetëm përballë tij, duke devijuar në këndore.
SHANSET – Fitorja 3-0 kundër Shtutgartit nxori shumë konkluzione. Shumica në lidhje me lojtarët e rinj dhe shanset që trajneri Kuman vazhdon t’u japë atyre. Ndërsa leksionet e tjera janë mesazhet që iu dërguan Martin Breithueitit, Samuel Umtitit dhe Aleks Kojados, të cilët duhet të bëjnë gati valixhet.
Që të tre e panë të gjithë ndeshjen nga stoli. Në rastin e danezit, miqësorja e së shtunës ishte ndeshja e tij e parë pas rikthimit në stërvitje. Por, Kuman preferoi Manajn përpara tij, duke lëshuar një tjetër sinjal se për momentin shqiptari është përpara danezit në hierarkinë e sulmit të katalanasve.
PANORAMASPORT.AL