Maluma në Tiranë me Maybach, ndërsa në Londër merr taksi

Suksesi dhe fama në industrinë e muzikës për Malumën sigurisht që përkthehet edhe në të ardhura të majme. Ai është ndër artistët latinë më të pasur në botë e gëzon të gjitha benefitet që të falë fama.

Në rrjetet sociale, ylli kolumbian ka treguar se bën një jetë luksoze me udhëtime të shumta, veshje të shtrenjta, makina të fundit. Duke u ndalur pikërisht te kjo e fundit, mori vëmendje fakti që kur ai erdhi në Tiranë para dy ditësh u shfaq me “Mercedes Benz Maybach”.

Ai ndau me miliona njerëz në Instagram një foto kur po vinte nga aeroporti drejt sheshit “Nënë Tereza”, duke vendosur edhe vendndodhjen “Tirana”. Ndërkohë, në një foto tjetër, ai ka publikuar vetëm logon e makinës që kushton rreth 350 milionë lekë.

Pasi ka mbaruar koncertin në Tiranë, këngëtari kolumbian, emri i vërtetë i të cilit është, Juan Luis Londoño Arias, ka udhëtuar drejt Londrës. Ai do mbajë në shtetin britanik dy koncerte që janë po ashtu pjesë e turit të tij “Papi Juancho”.

Me të mbërritur në Londër, ai ka ndarë foto në rrjetet e tij sociale.Mirëpo, ndryshe nga sa bëri kur mbërriti në vendin tonë, këtë herë në story Maluma ka ndarë foton e një taksie. Veprimi i tij nuk u ka shpëtuar fansave që kanë nisur të bëjnë batuta me këtë gjë.

Sigurisht nuk përjashtohet mundësia që teksa bëri këtë foto Maluma të ketë qenë në makinën e tij luksoze.