Malala Yousafzai, fituesja e çmimit Nobel, martohet në një ceremoni të vogël
Aktivistja dhe fituesja e çmimit Nobel, Malala Yousafzai njoftoi të martën ishte martuar në një ceremoni të vogël në Birmingham.
Aktivistja për arsimimin e vajzave dhe fituesja më e re në botë e çmimit Nobel për paqe tha në rrjetet sociale se ishte martuar me partnerin e saj, Asser Malik.
“Sot është një ditë e çmuar në jetën time,” shkroi ajo në Twitter. “Asser dhe unë u martuam për të qenë partnerë të përjetshëm. Ne organizuam një ceremoni të vogël nikkah [kontratë martese islame] në shtëpi në Birmingham me familjet tona.”
Malala Yousafzai u bë fituesja më e re e çmimit Nobel për paqe në vitin 2014, asokohe vetëm 17 vjeç, së bashku me aktivisten indiane të të drejtave të fëmijëve Kailash Satyarthi
Vitin e kaluar Yousafzai u diplomua në Universitetin e Oksfordit me një diplomë Bachelor në filozofi, politikë dhe ekonomi.
Yousafzai nisi të tregonte për BBC në vitin 2009 për përvojat e saj gjatë ndikimit në rritje të talebanëve në rajonin e Luginës Swat të Pakistanit. Pas kësaj, talebanët e qëlluan në kokë Malala-n në vitin 2012, asokohe 15 vjeç.
“Në vend që të më mbyllnin gojën, ata e përforcuan zërin tim përtej Pakistanit,” shkroi ajo në librin e saj të vitit 2019, “We Are Displaced”.
Në vitin 2013, Malala bashkëthemeloi Fondin Malala, një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse që mbron shkollimin e vajzave. Në fjalimin e saj kur pranoi çmimin Nobel në vitin 2014, ajo tha:
“Ky çmim nuk është vetëm për mua. Është për ata fëmijë të harruar që duan arsim. Është për ata fëmijë të frikësuar që duan paqe. Është për ata fëmijë pa zë që duan ndryshim.”