Makthi i dëmtimeve te Partizani, sulmuesi përfundon përsëri në infermieri

Dëmtimet vazhdojnë të jenë një problem për Partizanin. Të kuqtë ia dolën të fitojnë pa shumë lodhje ndaj Orikut, por faturën e këtij kualifikimi e paguan me dy lojtarë të dëmtuar.

Alfred Mensah luajti dje ndeshjen e parë si titullar me fanellën e Partizanit, por kjo kënaqësi nuk zgjati deri në fund. Sulmuesi nga Gana ndjeu një shqetësim muskulor dhe iu desh të linte fushën e lojës pas 56 minutash, me Kolelën, që u detyrua të aktivizonte Skukën, i cili ishte parashikuar të luante më pak minuta në këtë ndeshje.

Jo vetëm kaq, por edhe Leart Zekolli pësoi një tjetër lëndim muskulor ndaj Orikut. 20- vjeçari nga Kosova e pati të pamundur të ecte me këmbët e tij në momentin e dëmtimit dhe u transportua me barelë jashtë fushës. Burime pranë klubit bëjnë me dije se te të dy lojtarët paraprakisht dëmtimet nuk duken serioze, por ditën e sotme ata do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të hollësishme, ku do të përcaktohet qartë shkalla e dëmtimit për secilin.

Këto dy dëmtime, i shtohen edhe Romeros e Cvetanoskit dhe vështirë të rikuperohen për Kastriotin të dielën. Lajmi i mirë është rikthimi i Bruno Telushit, i cili ishte në stolin e rezervave ditën e djeshme.

PanoramaSport