“Makina u fik në ujë, vajza doli me litar”, kryebashkiaku Marinaj tregon dinamikën e ngjarjes ku vdiqën babë e bir
Forcat polumbare dhe ato të emergjencave civile pas 16 orëve kërkime, kanë mundur të gjejnë trupat e pajetë të babë e bir, Pjetër dhe Jason Rushaj të cilët kishin humbur pasi makina me të cilën udhëtonin u mor përpara nga uji i rrëmbyeshëm. Trupat e tyre u gjetën brenda makinës në gjatësinë e përroit, në Bogë, disa kilometra larg vendit ku edhe ndodhi ngjarja
Ngjarja tragjike ka ndodhur mesditën e së dielës në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, kur 50-vjeçari Pjetër Rushaj duke drejtuar një automjet me të cilin udhëtonte djali dhe vajza e tij, tentoi të kalojë përroin e cila ka shpëtuar nga një banor i zonës.
Në një lidhje direkte për Klan News, kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj ka treguar dinamikën e ngjarjes. Kryebashkiaku Marinaj ka thënë se referuar dëshmisë së disa turistëve të ndodhur në vendin e ngjarjes, drejtues të mjetit i është fikur makina në përrua, më pas i ka thënë vajzës të dalë nga makina dhe të marrë një litar në mënyrë që ta tërhiqte dikush nga ana tjetër.
Kryebashkiaku Marinaj ka thënë se terreni aty ku ka ndodhur ngjarja është shumë i vështirë, me shkëmbinj dhe për pasojë babë e bir nuk kanë mundur që të mbijetonin.
Pyetje: Si ka ndodhur që babë e bir humbën jetën dhe vajza ka arritur të shpëtojë? Çfarë thonë banorët e zonës dhe dëshmitarët e ngjarjes që kanë qenë prezent në këtë ngjarje të rëndë?
Tonin Marinaj: Sipas dëshmisë së disa turistëve, Pjetri me familjen ishte duke zbritur poshtë. Kuptohet që kanë kaluar aty dhe makina të tjera dhe mesa duket, makina i është fikur, vajzës i ka thënë që dil dhe merr një litar për ta tërhequr dikush tjetër nga ana tjetër. Aty pastaj ka ndodhur tragjedia ku dhe turistët kanë thënë që i kanë parë duke dalë nga makina. Ky përrua është shumë i fuqishëm kur fryhet, mund të them se ka vite që nuk ka pasur atë fryrje dhe terreni është shumë i keq. Është një përrua shumë i keq, me shkëmbinj, me terren të rënduar dhe nuk e kanë pasur të mundur të mbijetonin. Ne sapo e morëm vesh edhe banorët e zonës dhe të gjithë strukturat shtetërore kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Si rrjedhojë e terrenit të vështirë, pavarësisht se ne të gjithë kishim shpresë, por fatkeqësisht…/tvklan.al