Makina e Memories/ Kur Krisi rrëfeu “Rrathët” e jetës, dhe rrjeti na preu rrugën

Nga Klotilda Harka

Në xhiron me makinën e tij Maserati, ku artisti Kris Breshani më rrëfeu jetën e tij në moshën e Krishtit, “u përplasëm” me turmën e rrjeteve sociale. Atëherë, po ju tregoj çfarë ndodhi!

Në episodin më të fundit të “Klo’s Friends”, 33-vjeçari Kris Breshani, një multiartist që lëvron kryesisht muzikën më ftoi në makinën e tij Maserati, për një “udhëtim të pazakontë rrëfimesh”. Gjatë xhiros, dëgjuam bashkë mes këngëve të tjera, këngën “Rratha”, krijim i frymëzuar nga një moment i veçantë në të 20-at e tij. Për habinë time kënga u shoqërua me një rrëfim personal të patreguar më parë.

Kris, pa komplekse dhe me sinqeritet të plotë më tregoi se në atë periudhë kishte përjetuar një romancë me kolegen e tij, teksa punonin bashkë në programin rinor “Select”. Por më shumë sesa për romancën, ai foli për pasojën: largimi nga puna. Një largim që, sipas Krisit, duhet theksuar se nuk ishte një vendim institucional nga televizioni, por një” intrigë” njerëzore, që e nxori papritur jashtë loje. Me natyrshmëri dhe respekt, ai përmendi emrin dhe mbiemrin e ish-koleges së tij , pa asnjë qëllim denigrimi, por përkundrazi, e vetëm për të qenë i vërtetë dhe i besueshëm.

Nga përvoja ime e gjatë dhe dinamike si gazetare, kur një i ftuar flet hapur, pa u përpjekur të manipulojë të vërtetën apo të lëndojë të tjerët, por për ta ndarë historinë e tij jetësore, është rrëfimi që publiku do! Jo më kot, specifikova që kanë kaluar 10 vjet nga ajo kohë, sepse pas shumë vitesh edhe dosjet më sekrete të shtetit mund të hapen. Rrëfimi i Krisit ishte i paqtë, i bukur, frymëzues, dhe aspak për të përfituar nga askush. E tha qartë: nuk kishte qëllim të krenohej për një histori që u pasua nga “ditë dimri”, (pasi siç u shpreh, kishte përjetuar edhe depresion), por të tregonte se si iu ndërpre një ëndërr profesionale.

Nëse Krisi do të fliste pa emra, shumëkush do e quante “sajesë”, ose histori të stisur për pak vëmendje. Dhe do shigjetohej po njësoj!

E për të gjithë ata që nuk duan ta kuptojnë, kjo nuk është një “përrallë për klikime”, kjo është histori e natyrshme njerëzore, e njërit prej nesh. Përrallat janë për të na vënë në gjumë, kurse rrëfimet si të Krisit janë për të na zgjuar. Ky është “zgjimi” për të qenë më mendje hapur, për të pranuar rrëfime të tilla nga jeta, në një realitet global, ku çfarë nuk po na shohin sytë e dëgjojnë veshët.

Kjo është ajo që ndodhi në “Makinën e memories” së një artisti që asnjëherë s’e ka synuar bujën e famës me çdo kusht. Dhe po, kur je i vërtetë në këtë vend postkomunist, që është mësuar me “letra anonime”, turma që s’janë mësuar me të vërtetën, do të të presin rrugën. Ashtu siç na ndodhi edhe ne, menjëherë pas publikimit të episodit në rrjet.

Komente, mesazhe, thumbime dhe etiketime, të gjitha ishin aty, si fjalë plot mllef me autorë anonime, që me gjasa duket se jetojnë më me pasion jetët e të tjerëve, dhe aspak të vetën.

Dhe për të gjithë ata që mendojnë se “nuk duhet përmendur një personazh i martuar”, ndërkohë ka zgjedhur të jetë personazh publik”, më lejoni të them se kjo nuk është herezi!

Martesa nuk është robëri. Gruaja nuk është pronë. Jeta nuk fillon nga kurorëzimi. E shkuara nuk është mëkat. Një ish, nuk është tradhti ndaj bashkëshortit.

Pra, sipas këtij mentaliteti, një beqar mund të përmendet pa problem nga kushdo e për gjithçka, derisa të martohet e të fitojë atë “imunitetin” e supozuar., ku askush nuk guxon të flasë më për të. Më vjen keq, por kjo është një mendësi, që do na duhen ende shumë rrëfime të sinqerta në mediat shqiptare për ta çrrënjosur, edhe pse ka shumë të tilla që realizohen nga gazetarë të njohur.

Dhe pikërisht kjo është ajo që duam të bëjmë me “Klo’s Friends”: të krijojmë një hapësirë të lirë rrëfimi, ku historia nuk censurohet, por dëgjohet. Ku e kaluara nuk përgënjeshtrohet, por kuptohet. Ku të vërtetat e brishta nuk keqinterpretohen, por shërbejnë si frymëzim për të ecur përpara.

Dhe në fakt, kënga “Rratha” e Kris Breshanit nuk është thjesht një këngë. Është kujtesa e një rrethi, që mbyllet vetëm për të nisur një tjetër.

Por kujdes! Sepse “Makina e memories” dhe e vërteta që ecën me të, kur del kundër rrymës përçan edhe turrmat, që ndodh që të presin rrugën!

 

www.story.al