Maja kujton kohën në emigrim: Punoja në fabrikë, më pas më adoptoi një grua gjermane
Maja Aliçkaj rrëfeu sot në ekran disa nga vështirësitë e jetës së saj, duke kujtuar momentet kur jetonte në Gjermani dhe problemet që ka hasur në këtë shtet vite më parë. Në emisionin “Rreze Dielli”, Maja foli për 14 vitet jashtë shtetit, duke bërë punë nga më të ndryshmet. Ajo rrëfeu se si një zonjë gjermane e adoptoi, edhe pse ishte mbi 18-vjeçe e gjithçka tjetër që ndodhi më pas. “Shkova për shkollë dhe aty më adoptoi një zonjë në Gjermani, edhe pse isha mbi moshë, mbi 18 vjeçe. Fillova duke duke pastruar, duke punuar në fabrikë, në teatër etj. Puna më e vështirë që kam bërë ka qenë në fabrikë. Ishte punë monotone. Më mirë të jem në mal të mbledh çaj, sesa të bëj një punë aq monotone. Kjo më bëri që të punoja vetëm 2 muaj aty”.
Duke folur për muzikën dhe këngën, artistja nga Vlora shprehu vlerësim për këngëtarët e vërtetë si dhe habi për të gjithë ata që nuk kanë zë, por shesin veten si artistë. E madje, nuk nguroi as të tregonte një episod me një prej VIP-ave të njohur shqiptarë, por që vetë ajo nuk ia kishte idenë se kush ishte. Maja u ndal kalimthi edhe në një pjesë të hidhur të jetës së saj, e cila e largoi për një periudhë 3-mujore nga ekrani dhe skena. Pasi prindërit i ndërruan jetë, Maja pësoi edhe një humbje tjetër të rëndë në dhjetor të vitit që lamë pas, ndarjen nga jeta të vëllait. E përlotur, këngëtarja u shpreh në emision: “Jam tërhequr goxha që nga fatkeqësia e fundit, e cila ka ndodhur brenda tre muajsh. Kam qenë prezente vetëm në disa koncerte, por për mua ka qenë shumë e vështirë. Po u rrëzove, duhet të ngrihesh. Ne jemi disa motra dhe kishim vetëm atë vëlla…”