Mahmood dhe Blanco triumfojnë në Sanremo: Kuptimi i këngës emocionuese ‘Brividi’
Pas pesë netësh me muzikë, të ftuar dhe performanca, Festivali i Sanremos kurorëzoi fituesit e edicionit të 72-të, Mahmood dhe Blanco me këngën “Brividi” (Drithërima).
Mahmood & Blanco u kurorëzuan si fituesit e Sanremo 2022 pasi mposhtën Elisa-n me këngën “O forse sei tu” dhe Gianni Morandi me “Apri tutte le porte” në superfinale. Sipas sondazheve online, “Brividi” ishte më e pëlqyera. Në një konferencë për shtyp menjëherë pas fitores së tyre, ata konfirmuan se do të përfaqësojnë Italinë në Eurovision Song Contest. “Do të shkojmë patjetër në Eurovision, jemi shumë të kënaqur që do të jemi pjesë sidomos sepse do të mbahet në Itali,” tha Blanco.
Kënga “Brividi” rrëfen frikën e të dashuruarit, gabimeve dhe vuajtjeve, por edhe lumturinë që ndjen kur je plotësisht i lirë. “Brividi” ishte ndryshe nga shumë të tjera dhe publiku e kuptoi këtë.
Pa parë klipin, “Brividi” të përcjell ndjesinë e një dashurie që u përket dy njerëzve, përtej seksit. Videoja mund të konsiderohet si një “coming out” për Mahmood-in, por vetë artisti nuk e ka ndjerë kurrë nevojën për të dhënë detaje për seksualitetin e tij, kështu që nuk kemi përse ta diskutojmë këtë pjesë.
“Në ‘Brividi’ dy njerëz duan me të njëjtin pasion dhe të njëjtën frikë – frikën për të bërë gabime dhe ndjenjën e papërshtatshme, të paaftë për të përcjellë çfarë ndiejnë – dhe me dëshirën për të dashuruar në liri të plotë, duke dhënë të gjithë veten,” është shprehur Mahmood.
“’Brividi’ përfaqëson për mua të gjitha ato momente në të cilat emocionet na zbulojnë për atë që jemi në të vërtetë, ato na nxjerrin të zhveshur. Kënga tregon për një gjendje shpirtërore që mund ta shpreh vetëm duke kënduar dhe bërtitur. Është një kryqëzim jetësh: e imja, e cila gjen një pikë të përbashkët me atë të Mahmood dhe në njëfarë kuptimi me atë të të gjithëve, sepse në çdo moshë, ndjenjat, veçanërisht dashuria, na bëjnë të brishtë dhe të lumtur në të njëjtën kohë,” shtoi Blanco.
“Brividi” ka një mesazh të rëndësishëm, atë të lirisë, që është një temë universale; të lirisë së dashurisë për dy njerëz, kushdo qofshin ata.
Mahmood do të performojë sërish në Eurovision pas këngës “Soldi”, e cila u rendit në vendin e dytë në Eurovision 2019. Blanco është një zbulim i vitit 2021 në Itali, i cili ka patur sukses me vetëm një album të publikuar, “Blu celeste”.
Në komente online, jo pak njerëz shkruajnë se Italia, pas fitores me Måneskin, mund ta fitojë Eurovision-in për të dytin vit radhazi.
Anabelmagazine