Machine Gun Kelly rrëfen sesi tentoi të vriste veten teksa fliste në telefon me Megan Fox

Machine Gun Kelly së fundmi ka rrëfyer detaje shumë personale që lidhen me shëndetin e tij mendor. Në dokumentarin e tij të ri në Hulu, “Life in Pink”, këngëtari i prezanton fansat me një tjetër dimension të jetës së tij.

Një nga momentet më kulminante, që Machine zgjodhi të ndajë janë ato që lidhen me periudhën pas vdekjes së të atit, në 2020.

“Shkova në apartamentin e tim eti për t’u marrë me gjërat e tij, për t’i pastruar. Pata një bisedë paksa të çuditshme me një fqinjën tonë e cila më tha disa gjëra që s’doja t’i dëgjoje. Kjo më bëri të ndihem edhe më keq. Nuk dilja nga dhoma dhe ndihesha tmerr. Megan ishte në Bullgari për të xhiruar një film ndërkohë që unë nisa të kem paranoja. Më dukej sikur dikush do të vinte për të vrarë. Mbaja gjithnjë një armë afër shtratit tim dhe një ditë… thjesht e shkrepa. Telefonoja Megan-in dhe i thoja që s’je këtu për mua. I tregoja me detaje sesi isha shtrirë në dhomë me armën në gojë dhe i bërtisja me sa kisha fuqi. Megan heshti e tmerruar.”– tregoi Gun Kelly.

Machine Gun Kelly rrëfen sesi tentoi të vriste veten teksa fliste

Momenti i frikshëm fatmirësisht mori kthesë kur ai kuptoi se diçka nuk po shkonte me mënyrën sesi po ndihej. Muzikanti shtoi se e bija, 12-vjeç dhe Megan i kanë qëndruar afër dhe i kërkonin vazhdimisht të niste terapinë për të qenë babai dhe burri që i takonte të ishte.

“Aty vendosa dhe thashë me vete që duhet të heq dorë përfundimisht nga droga dhe kësaj here e kisha seriozisht.”

Edhe më herët Machine ka folur për problemet me shëndetin mendor, por fatmirësisht pas terapive, aktualisht ai thotë se “droga që ka zgjedhur është lumturia dhe lidhja me artin”.

Në dokumentarin e ri, ai reflekton dhe tregon sa ndikim pozitiv ka patur Fox në jetën e tij.

“Megan u bë si diell për mua. Vetëm fakti që e kam përreth më jep jetë dhe më ndihmon të shkëlqejë. Eshtë fiks si ajo historia e përrallave që s’ta tregojnë kurrë nëpër shkolla, që s’ta mëson askush. Pasioni mes nesh është i frikshëm, më duket sikur e njoh edhe përtej kësaj jete.”– përshkruan ai marrëdhënien me aktoren.

Burimi: People
Anabelmagazine