Lushnja shkarkon Klodian Duron

Klodian Duro nuk do të jetë më trajneri i Lushnjes. Aventura e 44-vjeçarit mbyllet vetëm në javën e gjashtë të kampionatit dhe kjo ka ardhur si pasojë e rezultateve negative.

Lushnja nuk fiton prej 4 ndeshjesh dhe humbja ndaj Korabit në javën e fundit me shifrat 4-1 bëri që drejtuesit të shkarkonin Duron. Lajmin e ka bërë vetë publike kryebashkiakja e Lushnjes, Eriselda Sefa, e cila njëkohësisht është dhe presidentja e klubit me anë të një postimi në profilin e saj të rrjetit social “Facebook.

Përkohësisht drejtimin e skuadrës lushnjare do ta marrë dyshja Blerim Hasalla dhe Jud Gazheli, teksa burime pranë presidencës së ekipit bëjnë me dije se po negociohet vetëm me trajnerë që kanë pasur ose kanë eksperiencë në Superiore. Në listë janë katër trajnerë dhe brenda dy ditësh do të firmoset kontrata. Lushnja renditet në vendin e 12-të në kuotën e 5 pikëve, një situatë jo e mirë duke parë që në fillim të sezonit pretendimet ishin për ngjitjen në Kategori në Superiore.