Lulëzon biznesi i jetës së natës; Sa paguhen këngëtarët
Shqipëria u përball me një valë turistësh, të cilët veç pushimit, kërkuan aventurën e tingujve të muzikës live. Kafene të vogla në bregdet, restorante me pamje nga deti dhe sheshet e qyteteve u shndërruan në arena për artistët vendas dhe ndërkombëtarë. Si ishte jeta e natës këtë verë?
Nga Deada Hyka
Turizmi në Shqipëri ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në gjallërimin e jetës së natës dhe zhvillimin e skenës muzikore, duke sjellë një frymë të re për muzikën live dhe duke përmirësuar mundësitë për këngëtarët të shprehin talentin e tyre dhe të rriten të ardhurat e sektorit.
Vitet e fundit, Shqipëria ka qenë në qendër të hartës së turistëve anembanë, duke çuar në një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve që vizitojnë vendin për të shijuar bukuritë natyrore, kulturën e pasur dhe një jetë “aktive” të natës.
Ndikim i dukshëm është bërë në sektorin e muzikës live, sidomos duke marrë në konsideratë vitet e vështira pas pandemisë, ku qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Saranda dhe Vlora kanë shndërruar plazhet, rrugët dhe sheshet e tyre në skena argëtuese.
Klubet dhe baret këtë verë kanë rritur nivelin e tyre të shërbimit dhe krijimin e eksperiencave për vizitorët, të cilët kanë qenë një ndërthurje e shqiptarëve vendas, të diasporës si dhe të huaj.
Koncertet e muzikës live kanë gjetur hapësira të reja dhe të veçanta për t’u organizuar, ndërsa shfaqjet e artistëve kanë gjallëruar më tej netët e nxehta. Sipas Xhani Demika, menaxher këngëtarësh, këtë vit këngëtarët shqiptarë kanë fituar rëndësi të veçantë në këtë skenë të re të turizmit.
Përveç përfitimeve financiare, sipas tij, ata kanë pasur mundësi të ndajnë muzikën e tyre me audienca ndërkombëtare, duke i bërë këto momente të bukura dhe të paharrueshme për ata që i ndjekin. “Shfaqjet live ofrojnë një mundësi të rrallë për të përfshirë emocionet dhe energjinë e tyre në çdo tingull, duke shkaktuar ndjesi të thella tek ata që i dëgjojnë.
Kjo industri është ë dyanshme, drejtuesit e bizneseve duan vizitorë e xhiro, këngëtarët duan famë dhe pagesa” – thotë z. Demika.
Muzika është padyshim një nga “armët” kryesore në industrinë e argëtimit, por nuk duhet të mbetet e vetmja. Sipas Dorjan Maknori, menaxher i disa klubeve në kryeqytet, kjo industri duhet të shoqërohet me investime në ambient, por edhe në teknologjinë e ndriçimit, audios dhe efekteve speciale, të cilat i shtojnë kostot këtij sektori.
Megjithatë, një avantazh, sipas tij, në ditët e sotme janë rrjetet sociale që shërbejnë si kanalet më të mira të përçimit të mesazheve. Bizneset e argëtimit i shohin rrjetet sociale, sidomos Instagram-in, si një mjet me kosto të ulët i cili garanton përhapjen e lajmeve mbi evente të ndryshme.
Jugu “mbretëron”
Në qytetet e bregdetit jugor të Shqipërisë, jeta e natës është një ndërthurje e muzikës, ngjyrave të ndriçuara, atmosferës argëtuese. Turistët gjejnë muzikë të larmishme, nga muzika tradicionale shqiptare e deri te ritmet moderne të pop, dance dhe rock.
Këngëtarët dhe grupet muzikore shqiptare kanë platforma të shumta për të shfaqur talentin në një ambient që ka arritur të kombinojë pasurinë natyrore me energjinë e muzikës së natës. Këtë vit, sikurse edhe vitet e kaluara, ka dominuar Saranda dhe Vlora. Sipas Xhani Demika, menaxher i Orange Club Sarandë, ky vit ka qenë më i suksesshmi i katër viteve të fundit.
Sipas tij, ka pasur bashkëpunime me shumë këngëtarë apo grupe, duete me këngëtarë shqiptarë dhe të Kosovës. “Nuk e kemi parë shumë ndikimin e frekuentimit të turistëve të huaj duke qenë se audienca e këngëtarëve që ne kemi pasur, është më së shumti shqiptare”.
Por, shpjegon më tej ai, në raste këngëtarësh me origjinë shqiptare por që janë të njohur në Zvicër, Itali, Londër, Gjermani, si Ledri, Noizy, Dhurata Dora, Tayna, ka ndikuar që të frekuentojnë edhe turistë të huaj, duke qenë se edhe vendndodhja e klubit ka qenë e preferuar.
“30% e frekuentuesve të klubit kanë qenë nga Çekia, Danimarka, Polonia, Italia, Spanja, Franca, Britania. Pjesa tjetër kanë qenë shqiptarë vendas dhe shqiptarët e diasporës. Siç e thashë më parë, frekuentimi ka qenë më i miri i pas pandemisë”- thotë z. Demika.
Noizy, Dafina Zeqiri, MC Kresha, Elvana Gjata, Tayna janë të tjerë emra artistësh të preferuar sipas tij dhe me rezervime të plota për çdo shfaqje të organizuar. Këtë verë, jeta e natës ka qenë më e gjallë se çdo vit tjetër, në cilësinë e ofruar nga këngëtarët, si dhe në numër frekuentuesish dhe konsumi.
Vija bregdetare e Durrësit
Një tendencë e viteve të fundit, por me rritje këtë verë, është ajo e turistëve të huaj edhe në vijën bregdetare të Durrësit e Kavajës. Përveç shqiptarëve brenda kufijve, si dhe atyre të diasporës, të huajt që kanë ardhur për turizëm në Shqipëri, janë shndërruar në frekuentuesit kryesorë të klubeve verore.
Burime nga “Hotel Adriatik Durrës” pohuan se netët live kanë qenë të preferuarat e pushuesve këtë vit, shqiptarë, por edhe të huaj.
Këngëtarët kanë qenë të gatshëm të këndonin në datat që u është kërkuar dhe kjo ka ndihmuar edhe situatën e biznesit të muzikës këtë vit .Burime nga Porta Kavalja në Golem pohuan se këngëtarët live janë preferuar shumë, por edhe DJ. Sipas tyre, kur nata kishte një DJ të ftuar, këta të fundit kanë qenë të shoqëruar edhe me vokalistë, për ta bërë spektaklin më të plotë dhe të arrirë.
Sipas burimeve nga Epidamnus Hotel në Golem, një këngëtar është artist dhe mbret i skenës, ndaj dhe pëlqehet më tepër. “Në çdo performancë, në çdo natë, jemi siguruar që shijet të jenë të njëjta me vendet e tjera, që i kanë testuar edhe më parë këto përvoja. Këtë vit është bërë një miksim e muzikës shqiptare dhe asaj të huaj, pasi edhe turistët që kanë përdorur hotelin kanë qenë në masën 80% çekë, polakë etj.”
Ergys Keta, menaxher i “Cinco Cavalli”, thotë se sezoni ka qenë shumë i mirë. Kanë realizuar investime të reja, si dhe nga ana e programit është përpiluar një skedë me eventet e parashikuara.
Këngëtarët më të pëlqyer, si dhe ata që kanë qenë në fillim të këtij sezoni, sipas z. Keta, janë Ledri Vula, Elvana Gjata, Ylli Limani etj. Pagesa për këngëtarët ndryshon, sipas tij, në varësi edhe të hiteve dhe të repertorit.
Ai shton se, ndonëse shqiptarët kanë maninë të ankohen për çmimet, për jetesën e vështirë etj., kur flitet për argëtim nuk bëjnë kompromise, por shpenzojnë. Turistët, sipas menaxherit të “Cinco Cavalli” në Durrës janë një ndër frekuentuesit kryesorë që synohen, duke marrë në konsideratë që në bregdetin e Durrësit janë shtuar turistët, sidomos nordikë, vitet e fundit.
Sa i përket konkurrencës, Ergysi thotë se pjesa më e madhe e klubeve kryesore në vend punojnë për një qëllim kryesor: atë të zonës VIP, ku dhe shpenzimet janë më të larta.
Të dhënat e Eurostat
Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se pjesa më e madhe e buxhetit të një familjeje shqiptare shkon për ushqime, që është shpenzimi minimal i domosdoshëm për të jetuar.
Për t’u argëtuar (ku përfshihen pushimet, pajisjet audio-vizuale, shërbimet kulturore) familjet europiane shpenzojnë 8% të buxhetit, përkundrejt 6.1% të Shqipërisë.
Konkurrenca
Konkurrenca ndihet dhe është gjithmonë sfida për të kërkuar gjetje të reja, me qëllimin e vetëm për të tërhequr klientelë. Sa më i veçantë të jesh në llojin tënd, aq më shumë rritet siguria për të pasur klientë besnikë. Kështu pohojnë drejtuesit e disa klubeve verore në vend. Shijet dhe mundësitë për t’u dëfryer janë të shumta.
Sipas tyre, një dukuri që shoqëron këtë biznes është edhe fakti se konkurrenca ka shtuar ofertat ekstreme dhe kjo bën që klienti të mos jetë besnik, por të rendë pas tyre. Qoftë oferta për pije, për muzikë live, karaoke, një zhanër muzikor i caktuar, ku hyrja shoqërohet me një pije falas etj.
Në këtë mënyrë, klientët ndihen të joshur herë nga njëri e herë nga tjetri. E në këto kushte, ky është një treg që lëviz çdo ditë dhe evoluon, shpjegojnë ata.
Ata shtojnë se, shqiptarët nisen më shumë nga këngëtari se sa emri i klubit, kur vendosin për të frekuentuar. Një tjetër problematikë në lidhje me bizneset e argëtimit është rënia që operatorët vënë re në shpenzimet në këto ambiente.
Ndonëse ka gjithnjë tavolina VIP, sipas tyre, që shpenzojnë sa e gjithë pjesa tjetër e klubit, në përgjithësi, shqiptarët konsumojnë një-dy pije, veç biletës (në rast performancash live).
Të gjithë drejtuesit e klubeve të kontaktuar ripërsërisin se, ky sektor “vuan” edhe nga informaliteti, ka klube që biletat i shesin në treg informal, si dhe ka konkurrencë të pandershme ndaj aktorëve të tregut që respektojnë ligjin.
Fitimet
Industria e argëtimit është konkurruese dhe e ndjeshme ndaj ndryshimeve të preferencave të konsumatorëve dhe ndikimeve të sezonit. Fitimet e klubeve mund të ndryshojnë nga një vit në tjetrin dhe varen nga menaxhimi i mirë i biznesit dhe aftësia për të krijuar një atmosferë të këndshme për vizitorët. Fitimet më të mëdha të klubeve të verës në Shqipëri përqendrohen në disa fusha kyçe:
-Shitja e pijeve alkoolike: Përfitimet më të mëdha vijnë nga shitja e pijeve alkoolike. Klubet ofrojnë larmishmëri pijesh alkoolike në menunë e tyre dhe çmimet janë zakonisht më të larta se në marketet e zakonshme. Me një numër të madh të vizitorëve të klubit, kjo mund të sjellë të ardhura të konsiderueshme.
-Biletat dhe hyrjet: Në disa klube të mëdha, vizitorët duhet të paguajnë një çmim për hyrje. Ai mund të ndryshojë në varësi të ngjarjes dhe emrit të DJ-it apo këngëtarit. Biletat për koncerte të njohura dhe ngjarje të mëdha mund të jenë shumë të kushtueshme dhe kontribuojnë në të ardhurat e klubit.
-Të tjera shërbime: Përfitimet mund të vijnë edhe nga shërbime të tjera të ofruara nga klubet, përfshirë tavolinat e rezervuara, shisha dhe ushqim të lehtë/snack. Shërbimet shtesë janë zakonisht më të kushtueshme dhe rrisin fitimet e klubit.
-Sponsorizimet dhe bashkëpunimet: Klubet mund të kenë sponsorë ose bashkëpunime me marka të ndryshme të alkoolit, veshjeve, ose produkteve të tjera, të cilat ofrojnë pagesa për promovimin e tyre në klub.
-Evente të veçanta: Klubet organizojnë shpesh ngjarje të veçanta si koncerte të muzikës live me këngëtarë të njohur, DJ të njohur ndërkombëtarë, apo ngjarje tematike që mund të kenë biletat me çmime më të larta dhe tërheqin një audiencë të madhe.
Industria e argëtimit
Muzika është padyshim një nga “armët” kryesore në industrinë e argëtimit, por nuk duhet të mbetet e vetmja. Ajo duhet të shoqërohet me investime në ambient, por edhe në teknologjinë e ndriçimit, audios dhe efekteve speciale, të cilat sipas drejtuesve, i shtojnë kostot këtij sektori.
Tirana, jeta e natës e gjallë falë turistëve
Gjallërimi i industrisë së argëtimit në Tiranë këtë verë është rezultat i një kombinimi faktorësh, përfshirë rikthimin e turizmit, përshtatjet e lokaleve dhe organizimin e ngjarjeve të muzikës live.
Ergys Keta, i cili drejton dy ambiente bar dhe club në Tiranë, konfirmon tendencën e turistëve që janë shndërruar në frekuentuesit kryesorë, qofshin të huaj apo shqiptarë të diasporës.
Kjo rritje, sipas tij ka sjellë një atmosferë të këndshme dhe të gjallë në kryeqytetin shqiptar dhe ka ofruar më shumë mundësi për argëtim dhe komunikim për të gjithë. Por një problematikë ka qenë kufizimi i orarit të muzikës.
Në kryeqytet në lokalet më të frekuentuara të zonës së ish- bllokut muzika ndalon pas orës 23.00, ndërkohë që kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj thonë se jeta e natës në Tiranë pati problemet e veta.
Sipas z. Jahja, duke qenë se vendi ynë fitoi popullaritet të lartë nga turistë nga e gjithë bota, duhej të ishte ndryshuar orari i muzikës këtë verë. Sipas tij, vinin turistë që frekuentonin për këtë qëllim dhe muzika ndalte, sepse kishte një orar fashë për të zbatuar.
Turizmi dhe shfaqjet live
Turizmi ka sjellë një rritje të domosdoshme të kërkesës për shfaqjet live, duke mundësuar që këngëtarët të fitojnë famë dhe më shumë para në performancat e tyre.
Pagesat
Përgjigjja e unifikuar ndërmjet menaxherëve të klubeve kryesore në vend, për pyetjen se sa paguhen në natë një këngëtar, ishte: “Të lutem një pyetje tjetër, nuk duam të japim të dhëna për këngëtarët, pasi nxitet konkurrenca mes tyre, si dhe pakënaqësitë”.
Duke pasur në konsideratë këtë fakt, “Monitor” bëri një hulumtim në treg, me biseda të shumta drejtuesish apo edhe të stafit pjesë e kësaj industrie, nga ku na rezultoi se: Pagat e këngëtarëve shqiptarë për të kënduar në klube verore ndryshojnë shumë dhe varen nga disa faktorë.
Disa prej faktorëve që mund të ndikojnë në pagesën që marrin janë:
-Emri dhe fama e këngëtarit: Këngëtarët e njohur dhe të famshëm mund të kërkojnë paga shumë të larta për shfaqjet e tyre. Për shembull, disa prej këngëtarëve më të njohur shqiptarë mund të kërkojnë nga 10,000 deri në 50,000 euro ose më shumë për një performancë në klubet më të mëdha dhe të njohura.
-Madhësia dhe vendndodhja e klubeve: Paga e këngëtarit gjithashtu varet nga madhësia dhe reputacioni i klubit. Në klubet më të vogla dhe më pak të njohura, pagat mund të jenë më të ulëta, zakonisht nga 500 deri në 2,000 euro për një performancë.
Në klubet më të mëdha dhe më prestigjioze të Tiranës, pagat mund të rriten deri në 5,000-10,000 euro ose më shumë.
-Kushtet teknike dhe ekipi i performancës: Këngëtarët shqiptarë zakonisht kërkojnë që klubet të ofrojnë kushte teknike të mira dhe ekipin e nevojshëm për shfaqjen e tyre. Kjo mund të rrisë kostot e klubit dhe, si rrjedhojë, pagën e këngëtarit.
-Repertori dhe koha: Këngëtarët që do të qëndrojnë më shumë kohë në skenë ose kanë një repertor të gjerë mund të kërkojnë paga më të larta për të mbuluar kohën dhe përpjekjet e tyre shtesë.
Çmimet e DJ-ve në Shqipëri për performancat në klubet verore ndryshojnë në mënyrë të ngjashme me pagesat e këngëtarëve dhe varen nga faktorë të ndryshëm. Për pagesën e një DJ në klubet verore të Shqipërisë, një shifër e përafërt e raportuar është nga 200 euro deri në 2,000 euro për një performancë të zakonshme.
Megjithatë, kjo është vetëm një shifër e përafërt dhe ka DJ që mund të kërkojnë edhe më shumë, veçanërisht në raste të veçanta, klube më të mëdha, ose për performancat më të gjata dhe të komplikuara. Gjithashtu, ndryshimet sezonale dhe faktorët e tjerë mund të ndikojnë në këtë shifër.
Është e rëndësishme të theksohet se çmimi i pagës së një DJ varet nga negociatat dhe marrëveshjet individuale të arritura me organizatorët e eventeve.
Çmime
DJ me famë botërore, si DJ Tiesto, David Guetta në Shqipëri janë paguar nga 50,000 deri në 70,000 euro në një natë, ndërsa një DJ i huaj i nivelit mesatar paguhet deri në 5,000 euro në natë. DJ shqiptar më i paguar në natë fiton 1,000 deri në 1,500 euro.
Nëse performancës do t’i shtohen edhe balerinat, qofshin të huaja apo shqiptare, kostot janë ekstra.
Një balerinë e huaj paguhet deri në 500 euro, ndërsa një shqiptare nga 100-150 euro. Të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët: konsumin e alkoolit.
Në këto spektakle, shpesh menaxherët përfshijnë edhe mënyra të tjera marketingu e tërheqjeje, si lojëra të ndryshme, performanca me shkumë etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.