Lufta për më shumë para përçan Babastars, si po përpiqet Getoar Selimi ta rindërtojë
Fillimi i vitit 2019 nisi me përçarjen e djemve repera të grupit më të famshëm nga Kosova,“Babastars”, me lider Getoar Selimin.
Në fillim të janarit, ndërkohë që Getoari ndodhej për disa pushime përrallore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me bashkëshorten Marina Vjollca, në Prishtinë grupit të tij po i dilte tymi.
Ortakët dhe miqtë më të ngushtë, edhe jashtë muzikës po e tradhtonin një nga një, duke deklaruar hapur në media largimin masiv nga “Babastars” dhe duke shpallur fajtor për këtë përçarje pikërisht liderin e tyre.
Skivi e Cozman e zyrtarizuan largimin, teksa Agon Amiga po ashtu shfaqi hatërmbetje. Por duket se “Babastars” është rindërtuar dhe së shpejti priten risi me projekte të reja. Kjo është lënë të kuptohet në një foto në studion e menaxherit Dekorim Sahiti, Getoar Selimit, Majkut e Onat.
Mbetet për t’u parë se çfarë po përgatisin djemtë, por duket se koha kur do të vijnë me projekte të reja nuk është e largët. E më shumë se sa një foto në studio, duket se Getoari e ka postuar këtë moment duke qeshur për t’u dhënë një mesazh “armiqve” se grupi vazhdon të jetë në këmbë.
Edhe pse anëtarët numërohen tashmë me gishtat e një dore, ata duken më të konsoliduar se kurrë. Ndryshimi i fundit i anëtarëve të “Babastars” ndodhi në 2016-n, vit kur u bënë publike emrat e anëtarëve të rinj.
Grupi “BabaStars” në 2016- n përbëhej nga menaxherët Dekorim Sahiti & Petrit Kllokoqi, si dhe këngëtarët: Getoar Selimi-Ghetto Geasy (lider), Agon Sylejmani, Agon Amiga, Visar ShalaSkivi, Kastriot Rexha-Majk, Onat Shufta-Onat, Ylber Abdullahu-Cozman. Aktualisht, duket se besniku i vërtetë i Getoar Selimit mbetet Majk, edhe pse emri i tij u përfol i pari për largim nga grupi.
MARTESA E GETOAR SELIMIT DHE KRIZA E “BABASTARS”
Hyrja në krizë e “Babastars” përkoi me martesën e Getoar Selimit me Marina Vjollcën. Sipas kolegëve, përkushtimi i tij ndaj familjes së re dhe udhëtimet e shpeshta me partneren bënë që Getoari t’ia varte grupit, duke i bërë anëtarët të ndjeheshin të papërfshirë në produksione apo koncerte.
Madje, në një moment u përfol se ishte Majk ai që do të largohej nga labeli muzikor, por gjërat ndodhën krejt ndryshe. Agon Amiga u largua nga Babastars, duke hequr nga lista e rrjeteve sociale edhe Getin. Sipas medias së Kosovës, djemtë e grupit sapo kishin hapur një luftë të gjatë, që po pasohej nga Skivi dhe Cozman.
Ishte fillimisht Cozman ai që shpërtheu me një video në rrjetin social “Instagram”, ku përdori fjalë të rënda ndaj atyre që tashmë janë ish-bashkanëtarë të grupit të tij. Reagime të shumta pasuan në media nga adhurues dhe njohës të skenës, e nuk mungoi as reagimi i Dekorim Sahitit, që njihet si menaxheri i “Babastars”, duke thënë se grupi do të mbetet gjithmonë i tillë si është.
Megjithatë, në një postim sqarues në “Instagram”, Skivi u kthye në retrospektivë, duke thënë se themelues të labelit janë ai vetë, Ledri, Geti dhe Agoni, ndërsa më pas është përfshirë edhe Cozman si shok i vjetër i tij dhe i DJ Jungle.
Skivi në reagimin e tij zbuloi problemet që ka pasur grupi dhe se është munduar t’i zgjidhë ato, por që në fakt nuk pati më rrugëdalje tjetër dhe “Babastars” ka mbetur vetëm ligjërisht emër. Sipas tij, askush nuk mund të fliste në emër të labelit si menaxher, pasi prej kohësh ka munguar një i tillë. Nuk kaloi shumë kohë dhe me një postim sqarues u shfaq edhe Cozman.
Ai në sqarimin e tij shfaqej më i matur, ku madje u kërkonte falje përkrahësve të grupit. Cozman sqaronte se ka tentuar t’i zgjidhë dallimet brenda grupit, ndërkaq publikoi edhe të dhënat zyrtare që e shfaqnin atë si një prej aksionarëve të “Babastars”. Mbetet të shihet çka do të ndodhë më tutje me grupin, teksa për momentin ajo që dihet është se Geti, Onat dhe Majk janë anëtarët e mbetur të grupit, pas largimit të Skivit dhe Cozman. E paqartë mbetet ende situata e Agon Amigës, një prej miqve më të vjetër të Getit dhe anëtar i grupti “Tingulli 3nt”, i cili u shkëput pas mosmarrëveshjeve të mëdha me Selimin.
AKSIONERËT E “BABASTARS” DHE FITIMET MARRAMENDËSE
Por “Babastars” nuk është thjesht një grupim reperash, por një biznes i madh fitimprurës. Ishte pikërisht Cozman ai që publikoi pak muaj më parë dokumentet zyrtare, ku zbuloheshin të gjithë aksionet. Drejtor është Getoar Selimi, i cili zotëron dhe pjesën më të madhe të aksioneve 39 %. Më pas, vijnë anëtarët e tjerë si; Agon Sylejmani (Agon Amiga) me 22%, Visar Shala (Skivi) me 27%, Ylber Abdullahu (Cozman) me 8%, Asdren Zogaj (Dj Marshall Jungle) me 4%.
Nuk dihet nëse Majk ka blerë aksione për të punuar tani e tutje si ortak i grupit. Investimin dhe fitimet më të mëdha i ka pikërisht Getoar Selimi, i cili si një CEO i “Babastars”, sipas mediave të Kosovës, bën një jetë të vërtetë milioneri. Sipas të njëjtave burime, lufta mes aksionarëve reperave nisi pikërisht për ambicien e secilit për të fituar më shumë protagonizëm në skenën e muzikës dhe më shumë para.