Lubonja kundër për Spaçin: Burgu s’mund të rindërtohet, duhet qasje arkeologjike

Fatos Lubonja, shkrimtari dhe gazetari që ka vuajtur vite të gjatë në burgjet e komunizmit është deklaruar kundër restaurimeve që po bëhen në burgune Spaçit, ku edhe ai vetë ka kryer një pjesë të dënimit.

Ndërhyrjet restauruese që kanë nisur në Burgun e Spaçit i vijnë në ndihmë dhe realizimit të një filmi të regjisorit, Namik Ajazi me skenar të Visar Zhitit, të dy ish-të përndjekur politikë.

“Ajo që ka mbetur aty flet më shumë se sa ideja që kanë këta, që në fund të fundit është ideja për të bërë një film, për ta përdorur. Duan të bëjnë tarracën siç ka qenë në 73 kur është bërë Revolta, por nuk mund të bëhet kjo për një film”, tha Fatos Lubonja, për TCH.

Sipas Lubonjës, ndërhyrjet bien ndesh me “Planin e Menaxhimit” të miratuar në 2024, ku theksohet se ndërhyrjet konservuese duhet të jenë të natyrës “arkeologjike”, duke ruajtur rrënojat dhe strukturat ekzistuese në gjendjen që ndodhen.

“Ministra e ka aprovuar vetë këtë vizion të fondacionit Santagata, e ka të aprovuar si plan menaxhimi dhe tani nëpërmjet Institutit të Trashëgimisë Kulturore bën një projekt që i kundërvihet këtij vizioni dhe thotë duhet ta kthejmë siç ka qenë. Ndërkohë që ato rrënoja mbajnë historinë, kjo është qasja që thonë dhe italianët: arkeologjike”, u shpreh Lubonja.

Projekti i ri parashikon ndërhyrjen në tetë pika të ndryshme, përfshirë riparim e plotësim të mureve, vendosje portash e parmakësh apo ndërhyrje për rrethimin, me qëllim që të bëjnë këtë monument kulture të kategorisë së dytë, sikurse cilësohet në relacionin teknik.

Por nga vendi që planifikon ta kthejë në shesh xhirim këtë vjeshtë, Namik Ajazi shprehet se projekti synon restaurimin e godinave të degraduara nga braktisja dhe dëmtimi i qëllimshëm.

“Kemi kërkuar që t’i koordinojmë gjërat. Duke përfituar ne nga punimet për ta shndërruar këtë objekt të rrënuar nga vitet e lënies në harresë, mendojmë që një pjesë të këtyre punimeve që po bëhen t’i përdorim edhe ne për realizimin e filmit. Ajo që ne po kërkojmë dhe po mundohemi të jemi pranë në mënyrë vullnetare është mënyra e ndërtimit të punimeve. Në interesin e filmit, meqë është film realist, ne na duhet të kemi një paraqitje të saktë deri në detaje të burgut dhe të ambienteve ku do të xhirohet”, u shpreh regjisori, Namik Ajazi.

“Qëllimi i vetëm është që gjithçka që do të bëhet në kuadër të një muzeu, ne të kemi këtë pjesën tonë realistike të filmit, për të kthyer burgun në ato vite kur këtu vuajtën qindra të dënuar dhe ku u bë Revolta e Spaçit”, tha Ajazi.

Pas reagimeve të forta, mbi 20 shoqata e organizata joqeveritare iu drejtuan Ministrisë së Ekonomisë dhe Kultures me kërkesën për të ndaluar ‘ndërhyrjet e pakontrolluara që dëmtojnë autenticitetin e Burgut të Spaçit’.

lapsi.al