Lori Bala: DJ Olti shumë pranë burrit ideal, e lumtur që iu plotësua dëshira e madhe për t’u bekuar me vajzë

Një balerinë e bukur dhe e zonja, si Lori Bala, po shijon muajt e parë të mëmësisë së vajzës Elois. Bebja erdhi në jetë nga bashkëjetesa e saj me Olti Kazaferin i njohur si DJ Olti, disa kohë pasi deklaruan lidhjen. Për romancën e dashurisë, familjen e bukur që kanë krijuar dhe ndjesitë speciale si prindër të rinj, balerina e spikatur e “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit” dhe “Dancing with the stars”, rrëfehet për herë të parë pas lindjes, për revistën “Story”.

Pak më shumë se një muaj që ke provuar për herë të parë ndjesinë më të bukur, atë të mëmësisë, si mund ta përshkruash momentin e parë kur more në duar Elois?
Një ndjesi që s’e përshkruaj dot me fjalë, mezi prisja ta shikoja si ishte e t’i kapja dorën.
Si e kishe përfytyruar bebin tënd, dhe ishte portreti i fëmijës siç e kishe imagjinuar në ëndrrat e tua? Pra kujt i ngjan?
Më kishin thënë që në momentin e parë kur të lëvizë bebi në bark, me personin që do të jesh pranë, atij do t’i ngjajë. Unë kam parë ëndrrën më të bukur të jetës sime, sepse në ëndërr afër kisha nënën time dhe isha shumë e lumtur që do i ngjante asaj. Ndërsa në realitet isha me personin të cilit Elois i ngjan shumë, me babi Oltin, fiks siç e doja.
Ti je një balerinë e njohur dhe shumë e suksesshme. Të ka ndryshuar fiziku nga shtatzënia dhe çfarë po bën për rikthimin e linjave?
Sa frikacake jam, aq edhe llupse(qesh). Disa kile i kam vënë, por besoj se vera do të më gjejë në peshën time.
Lindja ishte natyrale apo me ndërhyrje çezariane, dhe cila është e preferuara për një balerinë?
Si frikacake që jam, lindja ishte çezariane. Sigurisht që për balerinat dhe për çdo femër është më mirë lindje natyrale.
Bëhesh nënë nga historia e bukur e dashurisë me Olti Kazaferrin, i njohur si Dj. Olti. Çfarë e lidh një Dj me një balerinë dhe sa e bukur apo e vështirë është bashkëjetesa mes dy artistëve?
E nisëm bashkëjetesën si diçka për të qëndruar me gjatë bashkë, por mesa duket bashkëjetesa vendosi që bashkë të qëndrojmë përjetë. Deri tani ka qenë dhe është shumë bukur për të dy. Shpresojmë edhe në vazhdim!
Sa përkujdeset Olti për vajzën, duke pasur parasysh që puna e tij si Dj është kryesisht netëve?
Nga dëshira e madhe që donte një vajzë, Olti është përkushtuar shumë, edhe pse e ka të lodhshme pasi shpesh netëve është në punë. Mundohet shumë të jetë gjthmonë pranë nesh.
Për ty çfarë karakteristikash ka bashkëshorti ideal, i ke gjetur ato tek Olti?
Janë shumë karakteristika të them të drejtën se si e shoh unë një bashkëshort ideal, e mendoj që shumicën i kam gjetur tek Olti. (qesh) Mbi të gjitha për mua ka rëndësi të jetë njeri pozitiv.
Po në skenë kush ka qenë partneri ideal për ty?
Idealin në profesion s’e kam gjetur akoma, më mirë kur kërcej vetëm. (qesh)
Zakonisht balerinat e shtyjnë planifikimin e sjelljes në jetë të fëmijës për hir të karrierës. Ti e mendove gjatë apo ishte diçka e bukur që erdhi pa plan?
Unë e adhuroj familjen dhe s’do kishte asgjë që të më ndalonte apo të më vinte përpara një plani. Erdhi shumë bukur atëherë kur doja.
Ke filluar të thurësh ëndrra që tani për vajzën, për shembull në ç’profesion dëshiron ta shohësh?
Jo, është shumë shpejt për këtë, por shpresoj një profesion jashtë artit.
Mendon se jeta jote ka ndryshuar plotësisht, dhe çfarë projektesh profesionale po bën për të ardhmen?
Po, ka ndryshuar mjaft përditshmëria ime. Dua sa më shpejt të kthehem në “TKOB”, sigurisht dhe në punët e tjera private, pasi më ka munguar vërtet baleti gjatë gjithë kësaj kohe.
Do të rikthehesh sërish në “Dancing with the stars” këtë edicion, apo do të preferoje një vit pushim?
“Dancing” është një nga spektaklet që më kënaq shumë profesionalisht, kështu që patjetër do të mundohem të jem edhe këtë vit.