Lorenc Hasrama rrëfen suksesin e “Pafund”: Në jetë jam tip i vështirë e s’ma kuptojnë të gjithë botën, në muzikë ndihem shume mirë në tregun komercial!
KLOTILDA HARKA/ I vetëm në skenën e “Kënga Magjike”, Lorenc Hasrama sjell magjinë e dashurisë së pafund, edhe pse historia që i këndon tashmë ka marrë fund.
“Pafund” titullohet kënga e shkruar nga Irkenc Hyka, që ka marrë mijëra pëlqime e të cilën Lorenci e konsideron të denjë për të qenë pjesë e “Kënga Magjike”, edhe pse nuk është histori personale e përjetuar nga vetë ai.
Në këtë intervistë për “Panorama Plus”, finalisti i “The Voice Of Albania 5”, i rritur me muzikën në Lice dhe tashmë protagonist në tregun e muzikës, rrëfen kohën si talent i ri dhe tani si artist BIG, bashkëpunëtorët me të cilët ka kimi në muzikë, ç’tip është në dashuri dhe botën e artistit që s’ia kuptojnë dot të gjithë…
Kur thuhet “shpirt artisti” nënkuptohet edhe shpirti i lirë edhe tipi pak i vështirë për t’u kuptuar nga masa. Ti si do ta përshkruaje veten?
Lorenc Hasrama: Le të themi që nga ana e muzikës kam zgjedhur të lançoj projekte, që edhe kuptohen nga masa. Por, për sa i përket pjesës së karakterit tim, jam pak tip i vështirë dhe nuk është se ma kuptojnë të gjithë botën të themi të drejtën.
Nga fama si finalist i “The Voice of Albania 5”, ku bëri përshtypje, sidomos me interpretimet fantastike të “Arms of the angel” e “Don’t you worry child”, tani të shohim shumë dominant në tregun e muzikës. Si e shijoje skenën kur ishe talent i ri dhe si e shijon tani si Big në “Kënga Magjike”?
Lorenc Hasrama: Faktikikisht, unë skenën e kam shijuar gjithmonë dhe jam munduar të jap më të mirën. Edhe emocionet, qoftë të mira apo të këqija, jam munduar t’i kthej gjithmonë në favor të vetes si artist. E mendoj që në fillimet e mia e kam pasur më pak atë përgjegjësinë profesionale, sesa tani. Ky mund të jetë ndryshimi i vetëm.
E sheh veten fitues të “Kënga Magjike”, ku dhe artistët votojnë njëri-tjetrin, duke qenë se baladat triumfojnë shpesh në atë garë?
Lorenc Hasrama: Pa dashur të bëj modestin, unë nuk jam futur për të fituar në këtë garë, nëse mund të quhet kështu. Kam hyrë për të dhënë e për të përfaqësuar më të mirën e vetes sime. “Pafund” mendoj se është një këngë e denjë për të qenë pjesë e “Kënga Magjike”.
“Pafund” titullohet kjo këngë ku i këndon një dashurie që s‘është më dhe ku i drejtohesh asaj me vargun “Në parajsë ndoshta të falin, por unë jo!”. Kush është muza e kësaj fabule, e mund të themi se është një histori e jetuar nga ty?
Lorenc Hasrama: Kënga faktikisht nuk është një këngë e shkruar nga unë. Është këngë e shkruar nga Irkenc Hyka, e realizim i “Unix production”. Kështu që fabulën nuk e kam krijuar unë dhe nuk është diçka personale.
Në jetë je tipi që dashurohesh kaq thellë sa të japësh jetën për dikë, siç thuhet në tekst?
Lorenc Hasrama: Unë jam natyrë që më pëlqen të dashuroj dhe të jap dashuri. Por jo në rastin e kësaj kënge. Nuk është këngë e përjetuar nga vetë unë, siç e thashë më sipër.
Por gjatë prezantimit në “Kënga Magjike” u shprehe se je në një situatë të komplikuar sa u takon çështjeve të zemrës. Ç’mund të zbulosh më shumë?
Lorenc Hasrama: Sa i përket kësaj pjesës së komplikuar, nuk më pëlqen të prononcohem për momentin! (Qesh)
Një rocker si ty pse ndryshoi stil dhe kjo do të thotë që nuk do të kthehesh më te rock-u?
Lorenc Hasrama: Unë kam qenë rocker në shpirt dhe vazhdoj të jem rocker në shpirt, ama kam dëgjuar shumë lloj rrymash. Gjithmonë kam qenë fans i muzikës së mirë, pavarësisht rrymës. Mendoj që nuk ka muzikë të keqe, ka vetëm muzikë të luajtur mirë ose keq. Kështu që në momentin që një material trajtohet bukur, pavarësisht rrymës, mua më pëlqen. Sa i takon kthimit te rocku, nuk e besoj! Jam futur në një treg komercial, po prodhoj muzikë më komerciale dhe më moderne le të themi dhe ndihem shumë mirë me veten si artist.
Përveç projekteve të tua personale mund të themi se krijuat një duo me Olsi Bylykun. Ç’mendim ke për ato projekte tani dhe do ta vazhdoni më tej partneritetin tuaj?
Lorenc Hasrama: Me Olsin kemi pasur një kimi shumë të mirë dhe patëm një periudhë shumë të bukur kur kemi prodhuar projekte shumë të bukura. Sa i përket së ardhmes, le t’ia lëmë kohës! Ne vazhdojmë të mbetemi miq dhe pse jo të bashkëpunojmë, nëse do kemi ndonjë projekt të bukur sërish.
Duke iu rikthyer eksperiencës te “The Voice”. Je penduar ndonjëherë që ke marrë pjesë në një talesht show, ku një juri të komenton ndoshta edhe nisur nga preferencat personale e ku në finale ta rrëmben rivali kupën?
Lorenc Hasrama: Nuk mund të them se jam penduar që kam marrë pjesë në “The Voice”, kur ai show ka qenë katapulta ime e parë për t’u futur në tregun e muzikës shqiptare. Sa i përket pjesës së kupës, mendoj që një fitore nuk do kishte më shumë rëndësi sesa një karrierë me hapa të mirë, siç po më ndodh tani në jetën time.
Një këngëtar “live” si ty, i mësuar me adrenalinën e skenës dhe publikun, si po e kalon këtë periudhë kur është pezulluar gjithçka?
Lorenc Hasrama: Mund të them që më mungon shumë pjesa e koncerteve natën dhe të kënduarit “live”. Por jam munduar të marr më të mirën e të nxjerr një anë të mirë të vetes sime nga gjithë kjo situatë e keqe. Por shpresoj të kthehemi në normalitet e të kthehen gjërat siç ishin, e ndoshta dhe më mirë se ç’ishin!
Çfarë të duket magjike kur këndon live dhe çfarë torturuese netëve duke i gdhirë në skenë?
Lorenc Hasrama: Mendoj se çdo gjë në skenë është magjike e kurrë s’e kam parë si torturuese. Kështu që jam OK dhe do jem OK deri në fund.
Me cilët autorë në muzikë e tekste ke ndjerë më shumë kimi dhe dueti që ke menduar se do të godisje në treg?
Lorenc Hasrama: Jam ndjerë shumë komod me gjithë njerëzit që kam punuar gjatë viteve që jam marrë dhe merrem me muzikë, duke filluar nga Ervis Çaushi, Çim Dule, Gent Myftaraj, Endrit Mumajesi (Muma) apo Olsi Bylykun. Edhe tani që jam pjesë e “Unix Production”, besoj se është një nga periudhat e mia më të mira për faktin se ndihem shumë komod. Pastaj mendoj që nëse do të godisja në treg me një këngë, do të ishte vetëm me Irkenc Hykën, pasi jam shumë i sigurt që do ishte një super këngë.
Për të kuptuar më shumë nga natyra dhe jeta jote jashtë skenës, nëse do ishe pjesë e kastit me titull “Sex & Drugs & Rock & Roll”, cilin rol mund të kishe ti si Lorenc Hasrama?
Lorenc Hasrama: (Qesh)Mjafton të heqim pjesën e drogës dhe me të dy të tjerat jemi OK!
/Panoramaplus.al