Lordi i drogës El Chapo shkruan letër nga burgu: Këtu po ma bëjnë jetën ferr

Zoti i drogës El Chapo është ankuar me anë të një letre për jetën e tij brenda një burgu të sigurisë maksimale në Amerikë, duke thënë se trajtohet ‘mizorisht’ dhe nuk i lejohet asnjë kontakt me të burgosurit e tjerë.

El Chapo, emri i vërtetë i të cilit është Joaquin Guzman, u ekstradua nga Meksika në SHBA në vitin 2017.

Krimineli famëkeq, i cili ka arritur të arratiset nga dy burgje të sigurisë së lartë në Meksikë, aktualisht po vuan 30 vjet për akuza në lidhje me trafik droge dhe pastrim parash në burgun Administrativ Maximum U.S. ose ADX në Kolorado, SHBA.

I dënuari ka shkruar një letër shtatë faqe për t’u ankuar për trajtimin ‘e padrejtë’ që i bëhet.

El Chapo, tani 65 vjeç, shkruante: “Për shkak të trajtimit në ADMAX, tani vuaj nga dhimbja e kokës, humbja e memories, ngërçet muskulore, stresi dhe depresioni”.

Ai shtoi: “Trajtimi që më bëjnë është mizor dhe i padrejtë dhe po më shkakton probleme psikologjike dhe shëndetësore. Lutem që gjykata të ndërhyjë”.

Gjykata të cilës i referohet bosi i drogës është gjykata e apelit, në të cilën ai paraqiti një apel kundër vendimit. Në janar të këtij viti, gjykata la në fuqi dënimin e tij.

Në letër, Guzman përshkroi se si ai e kalon pjesën më të madhe të ditës në një qeli me përmasa 7 me 12 metra me vetëm një dritare të vogël përmes së cilës i shërbehen ushqimet.

Ai shkroi: “Më përjashton të kem ndonjë kontakt verbal apo komunikim me të burgosurit e tjerë”.

“Nuk kam asnjë kontakt njerëzor, përveçse kur rojet më veshin dhe më heqin prangat”.

Ai vazhdoi: “Që kur kam ardhur në Shtetet e Bashkuara, nuk më kanë lejuar të flas me gruan time”.

Gruaja e El Chapo, Emma Coronel, aktualisht po vuan një dënim prej tre vitesh në një burg në Teksas, pasi u deklarua fajtore për tre akuza për komplot për shpërndarje droge të paligjshme, komplot për pastrim parash dhe për përfshirje në marrëveshje financiare me kartelin e drogës Sinaloa në qershor të vitit të kaluar.

El Chapo është ankuar se izolimi në të cilin ndodhet po e bën të vetën.

“Kam vuajtur shumë duke qenë në izolim,” shkroi ai. “Tensioni i gjakut më është rritur, dhe kam dhimbje koke dhe ankth. Ndonjëherë harroj.”

Ai shtoi: “Më shërbejnë pak ushqim dhe shpesh qëndroj i uritur”.

Letra vazhdoi: “Edhe pse jam në qeli 24 orë në ditë, zyrtarët e burgut hyjnë në qelinë time disa herë në javë për të bërë kontrolle rutinë dhr kur lëvizin prekin të gjitha gjërat e mia”.