Lola Luma: Jeta ime ndryshe në botën e modës mbushur me sharm, sukses, muzikë, drogë dhe alkool, pa dashurinë s’do të ndihesha e plotësuar

Me mendje e portret të mprehtë, Lola Luma është modelja nga Shkodra, bukuria e së cilës shkon përtej pamjes. Prej 15 vitesh bën karrierë në botën e modës dhe kinemasë në Nju Jork, qytetin kolosal që thotë se i mban shpirtin të karikuar. Për botën e botës amerikane mbushur me sharm, ku mund të përballesh me anoreksinë apo mbipeshën, alkoolin e drogën, balancat mes konsumizmit të luksit apo dashurinë me ndjenjë, Lola rrëfen për revistën “Story” aftësinë për të mbetur e njëjta e për të mos ia falur shpirtin djallit…

Komplimenti më i bukur që ke marrë nga ndonjë stilist apo person i rëndësishëm?
Që kam një aurë që më bën të dallohem nga të tjerat, nga mënyra se si lë gjurmë sa herë që futem në një dhomë.
Modele e klasit të lartë që keni kaluar dhe po kaloni vitet më të bukura të jetës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çfarë mendon se ke shijuar në maksimum në atë që konsiderohet kryeqendra e botës?
Jam shumë emocionale dhe shijoj gjithmonë më tepër rrugëtimin drejt arritjeve sesa suksesin. Nju Jorku mbetet gjithmonë i magjishëm. Adrenalina e këtij qyteti kolosal mban të pompuara venat e shpirtit tim.
Ende s’i ke bërë të 30-at, dhe padyshim bie në sy për trupin me përmasat e kukullës dhe portretin me tipare të konturuara, ku bien në sy mollëzat. Është ky portreti i vajzës që preferohet sot në modë e kinema?
Me hyrjen e rrjeteve sociale sot nuk ekziston një formë e vetme modeleje. Sigurisht, që çdo formë i përket një grupi të caktuar firmash. Firmat për të cilat unë modeloj, kërkojnë një trup të hollë, që të paraqesë në një mënyrë sa më dinjitoze veshjet e tyre.
Një shqiptare që bën karrierë në SHBA, ia ke dalë që të pasurohesh nga profesioni?
Unë e kam dizenjuar jetën time rreth një pasioni që më bën të jem e lumtur. Fushën e modës e dua tërësisht. Nuk do të ndjehesha e plotësuar nëse çdo nismë apo projekt që do të ndërmerrja, të nisej vetëm nga përfitimi monetar. Si çdo profesion tjetër, edhe modelingu shpërblehet. Asgjë nuk është falas në Nju Jork.
Dimë që para pak kohësh lidhe kurorë me partnerin e zemrës. Si po vazhdon martesa?
Jam shumë e lumtur! Me siguri që edhe buzëqeshja ime shfaq qartasi këtë moment të jetës sime.
Sa rëndësi ka jeta sentimtale për ty në mënyrë që të ndihesh e plotë dhe e motivuar profesionalisht?
Jam me fat që ndjej ngrohtësi në familje. Pa dashurinë, inkurajimin dhe këshillat që marr nga njerëzit e zemrës, nuk do të ndjehesha asnjëherë e plotësuar.
Të ka ndodhur të biesh në dëshpërim ndonjëherë dhe si ia ke dalë?
Mundohem që të kem gjithmonë një mendje optimiste. Çdo ekuacion e ka një zgjidhje.
Si mund t’ia dalë një burrë që të mbetet burrë, dhe një femër të mbetet e pastër dhe e pa abuzuar në botën e modës?
Bota e modës është estatike, e mbushur me sharm, sukses, muzikë, drogë dhe alkool. Çdokush nga ne ka të drejtën t’u thotë “jo” gjërave që na bëjnë të mos jemi vetvetja. Një mendje e kthjellët gjykon më mirë!

“Fatkeqësisht shpirtin nuk mund ta ushqejmë me të mira materiale, egon po”
Sa e shijon procesin e të fotografuarit, si mund ta përshkruash lojën apo marrëdhënien me syrin e fotografit?
Jam gjithmonë shumë kërkuese ndaj vetes, prandaj pres të njëjtën gjë nga fotografi gjithashtu. Pasi kam ndjekur një klasë fotografie, kam arritur të kuptoj që jo të gjithë që zotërojnë një aparat fotografik quhen fotografë. Kam qenë me fat me fotografët që kam punuar, të cilët kanë arritur të pasqyrojnë më të bukurën fizike dhe shpirtërore timen.
Gjatë karrierës si modele të ka ndodhur në ndonjë moment të vuash nga anoreksia, dhe çfarë ke bërë për të ruajtur linja elegante në çdo kohë?
Më ka ndodhur që kam marrë email nga Terani Couture të shtoja pak peshë, sepse fustanet nuk më rrinin. Kur humb apo shton peshë njeriu nuk e ndjen. Ke nevojë ndonjëherë të ta vënë në dukje të tjerët, por që gjithmonë ti duhet të kesh vullnet që të bësh ndryshimin.
Në këtë kohë kur veshjet, apartamentet apo vilat, makinat e aksesorët e shtrenjtë, jane ambicia e kujtdo, çfarë këshille do jepje në mënyrë që të mos humbasim shpirtin?
Personalisht, nuk i vlerësoj njerëzit për atë çka kanë, por se kush janë. Fatkeqësisht, shpirtin nuk mund ta ushqejmë me të mira materiale … egon po. Aftësia të mos ia falësh shpirtin djallit është virtyt.