“Liria ka çmim shumë të lartë, edhe kur s’je në pranga!”/ Xhoi Jakaj, ish-drejtoresha e Burgut të Grave sjell copëza jete në librin “FREEDOM”

Xhoi Jakaj, ish-drejtoresha e Burgut të Grave në Tiranë e ka ndjerë magjinë e lirisë por edhe trishtimin e kufizimit të saj, ndërkohë që ushtronte detyrën. E kjo periudhë mesa duket e ka frymëzuar të shkruajë librin e saj më të ri, që mban pikërisht titullin “Freedom” (Liri), tashmë në treg.

“Liria ka çmim shumë të lartë! Të gjithë flasin për lirinë e fjalës, por “Liria” ka ikur në drejtim të paditur… Edhe titulli i librit tim “Freedom” ndryshe nga titulli, përmbajtjen e ka mungesë lirie në realitet. Pra asgjë në k’të botë që na rrethon, nuk është e lirë totalisht…!? Duhet të luftosh çdo ditë për një grimcë lirie që shpesh ka kosto…. Do shumë përpjekje të mbetesh njeri i lirë!. Lumturia më e madhe në jetë vjen nga Liria. Megjithatë si pikë nisje individi e ka në dorë lirinë e tij edhe pse të kushtëzuar shumë herë nga shoqëritë e pa emancipuara !

“FREEDOM”- Liri. Libri im më i ri në libraritë e vendit tonë”, shkruan ajo në rrjetin e saj social Facebook, duke i bashkëngjitur kopertinën e librit. Në një tjetër postim, Xhoi thekson: “Librat janë disi të vështirë të shkruhen edhe të botohen! Por ata jetojnë me gjatë se ne, dhe ky element të mbush me emocione dhe ndjesi të çuditshme.

Një libër të mëson shumë, në mënyrën si e percepton botën dhe si e menaxhon mendimin!”. Në lidhje me përmbajtjen, Xhoi shtjellon: “Ky libër ka copëza jete, vuajtje, dhimbje, dashuri të mundura dhe të pamundura, ka pranga, liri dhe kohë të ndryshme në hapësirë. “FREEDOM”, ka dhe shumë Xhoi brenda saj!”.

/www.story.al