Lira Gjika: Pedofilia nuk është sëmundje, por…
Nga Lira Gjika/
Po e quajtëm pedofilinë sëmundje dhe pedofilin të të sëmurë, atëherë, ai nuk duhet të dënohet, por të na vijë keq, pasi është i sëmurë. Për fat pedofilia nuk është sëmundje, por është skllavëri. Skllavëria është e ndaluar me ligj, sepse është mënyrë e keqe dhe kriminale, sëbashku, e të trajtuarit të njeriut nga njeriu. Në rastin e pedofilisë, është skllavëria e të rriturit ndaj fëmijës, pra trajtimi i fëmijës si një “gjë”, si object për të plotësuar nevoja kriminale. Pedofili perton të menaxhojë veten, nuk do të njohi ligjet, si ato morale dhe ato juridike, por ushqen kënaqësitë e tij kriminale dhe shmang me dashje dhimsurinë.
Ai përpiqet me çdo kusht t’u krijojë gracka dhe t’i kthejë në skllevër të tij, fëmijët. Nëse një i rritur nuk vepron dot “në interesin më të lartë të fëmijës”, por ushqen fantazitë e tij perverse, dhe grabit fëmijë apo kërcënon fëmijë, kjo është zgjedhje. Një i rritur nuk mund të bëjë çtë dojë me një fëmijë. Edhe prindit, kur keqtrajton fëmijën, sillet keq me të, i hiqet e drejta prindërore dhe nuk i lejohet të takojë fëmijën e jo më një njeriu si pedofili, që duhet të përgjigjet deri më një për veprimet e tij kriminale. Është e vërtetë, që ndjenjat tona janë të kondicionuara nga mënyra e të rriturit, por veprimet tona varen vetëm nga ne, prandaj njerëz, mjaft më me këtë shprehje: “se ai është i sëmurë”. të sëmurët nuk janë kriminela. Asnjë i sëmurë nuk bën krim, krimin e bën vetëm njeriu, që shijon të keqen, që ka zgjedhur të keqen. Pedofilia është zgjedhje me dashje e të keqes dhe pedofili është ai njeri, i cili ka zgjedhur të jetojë në këtë mënyrë, dhe e shijon atë, të keqen. Ai e mban gjallë këtë të keqe, me gjithë fuqinë e mëndjes së tij kriminale.