Lindi si një punim diplome, autorja e “Pallati 176” tregon nga u frymëzua për komedinë më të pëlqyer nga shqiptarët

Nuk ka shqiptar që nuk e ka parë. Batutat e komedisë “Pallati 176” mbahen mend edhe sot, e madje janë bërë pjesë e së përditshmes sonë. Por pakkush e di historinë e kësaj shfaqje. Autorja Adelina Balashi ka rrëfyer sot si rrallëherë shumë detaje rreth komedisë. Balashi tha se “Pallati 176” lindi si një punim diplome. Ajo u shpreh se nuk ia kishte marrë mendja që vepra dramaturgjike e saj do të vlerësohej dhe përzgjidhej nga profesori Kudret Velça, mes shumë punimeve të prezantuara nga 10 persona të tjerë.

Pse mori emrin “Pallati 176”?

“Data 17 ishte ditëlindja ime por duhej dhe një numër tjetër. Muaji qershor, 6 kishte lindur vajza. Kudreti tha se kjo do të vihet në teatër. I lexoi të gjitha diplomat dhe në fund tha, “I pashë të gjitha, mendoj se vetëm kjo vepër do të ketë jetë”. Unë mbeta., tha Adelina në ABC e mëngjesit.

E pyetur nga moderatori se pse kjo vepër pati sukses, Adelina tha se sekreti qëndron te familja. “Komedinë e mbrojti kjo sepse në thelb kishte familja. Nuk hyra fare te partia, u mora me vajzën e drejtorit, jo me pozitat. Edhe te Sandër Mafishja, u mora me botën e tij dhe jo me Sandrin si inxhinier.”

Ndërkohë, e pyetur se nga çfarë u frymëzua për këtë vepër, ajo tha vendlindja e saj, Korça. “Mora tërë klimën e Korçës. Mblesëria ishte reale. Kam marrë shumë shembuj. Teto Rita ishte tezja ime.”, tha ajo.

Sipas saj, Ronald Trebicka me rolin e Jovan Bregut ishte “qershia mbi tortë”.

Kujtojmë që krah Roland Trevickës, luajtën dhe shumë aktorë të tjerë të njohur si Violeta Manushi në rolin e Teto Ritës, Eva Alikaj në rolin e Elsës, Ilir Bexhani në rolin e Sandrit, Elida Janushi si Marjeta, Anastas Kristofori si Perikliu, Gëzim Rudi si Fredi, Merita Zoto si Irena dhe Pavlina Mani si Liria.

“Aty ishte Ronaldi. Rolandi kishte rol dominant. Nëpërmjet atij roli, Rolandi shpalosi gamën e tij aktoreske, por e ndriçoi krejt talentin e tij.”, u shpreh Balashi ndërsa shtoi më pas se ajo donte shumë që të luante gjithashtu dhe aktorja Rajmonda Bulku por ajo nuk kishte pranuar.

“Mua më pëlqente shumë Monda sepse ishte shumë high por nuk kisha kundërshtim për Evën (Alikon e cila luajti rolën e Elsës) por ishte në dorë të regjisorëve. U mërzita se më iku një ikonë. Kur e kam takuar Mondën, më tha sa gabim kam bërë.”, u shpreh ajo për rolin e Elsës.

Adelina tha se suksesi e ka “përndjekur” kudo. “E kam ndjerë suksesin, kudo dhe çfarëdo ambienti ku kam qenë kur isha në Greqi. Më vinin mesazhe nga Amerika kur u bë me video. Në greqi shitej normalisht., u shpreh mes të tjerash autorja e veprës.

Sa është paguar për veprën që bëri bujë? Ajo befasoi moderatorin kur tha: “Më dhanë 1300 lekë atëherë. Kam parë dhe një intervistë të Landit kur ka thënë se ‘më dhanë një poçe balte’. Jo askush nga ne nuk ka marrë para ekstra.”, u shpreh Adelina.