Lindi kur babai ishte 70 vjeç, sipërmarrësja dibrane në Londër: Më bullizonin në shkollë se ishim 12 fëmijë
Albana Brati është një sipërmarrëse e njohur në Londër, mirëpo ajo një histori të veçantë të jetës së saj. Pasi vjen nga një familje me 12 fëmijë dhe kur ajo ka ardhur në jetë, babai i saj ishte 70 vjeç.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Albana ka folur për të atin, i cili ka ndërruar jetë muajin e kaluar. Ajo ka theksuar se ai ishte shumë aktiv deri ditën e fundit. Albana u ndal edhe te jeta e vështirë me plot sakrifica që kanë kaluar në familje, duke thënë se kur ishte në shkollë edhe e kanë bullizuar.
“Ai ishte shumë aktiv, aq sa nuk arrihet të besohet që ndërroi jetë. Shkonte në dyqan, dilte dhe tre ditë përpara se të vdiste iku në dyqan për të blerë disa gjëra. Edhe aty takon një komshijen tonë i kërkon një kalendar për Ramazan. Babai im ka agjëruar që kur ka qenë i vogël dhe deri vitin që kaloi. Vetëm këtë vit nuk arriti dot. Ai kërkonte kalendarin dhe donte që të bëhej gati.
Të them të vërtetën, babi im ka qenë shumë i mirë me të gjithë, por në veçanti me mua ishte ndryshe. Ndoshta nga që isha më e vogla dhe ai nuk ma prishte për asgjë. Edhe kur bëhet fjalë për foto dhe video, isha unë e vetmja që mund të bëja. Kishte raste që mërzitej dhe më thoshte mjaft. Por prap mundohej të mos ma prishte për asgjë në botë.
Në fakt ishim 12 fëmijë sepse para 4 vitesh motra jonë ndërroi jetë. Tani jemi 11 fëmijë, por jemi plot nipër e mbesa dhe mamin e kemi gjallë dhe shpresoj të jetojë sa më gjatë. Pas humbjes së madhe të motrës dhe pastaj të babait, edhe për ne do të ishte shumë shumë e rëndë dhe e papërballueshme.
Unë kam lindur në Dibër dhe të them të vërtetën nuk e kam ndjerë shumë, por të them të vërtetën kur isha në shkollë u ndjeva e bullizuar sepse për mua ishte diçka normale. E doja babin aq shumë, mamin, por kur t’i i thoje atyre që ne jemi 12 fëmijë, në një farë mënyre ata fillonin të talleshin, por ishte pak e vështirë, por pastaj me kalimin e kohës u mësova dhe e pranova si fakt shumë krenare dhe e lumtur”, rrëfeu ajo./abcnews.al