”Letrat prej donzhuani”: Pse nuk u martua Mid’hat Frashëri?
Letrat erotike:
Letërkëmbimi me te dashurat zgjati thuajse gjithë jetën, ashtu siç zgjati edhe dashuria e tij. Dashuria e Mid’hat Frashërit ishte shpuzë e amshuar, e mbuluar me hirin e jetës.
Ai i caklon dhe i shpupurit me penën-pupël gacat, që vagëllojnë në një dritë të gjelbër . I derdh me mjeshtëri dhe art në letrat e tij. Dashuria e tij është e çiltër, e vetvetishme, e magjishme, emocionale.
Ai e ka provuar atë me pasion më tepër se një herë, si njeri i lirë dhe i kulturuar, atë ndjesi të brendshme të patjetërsueshme njerëzore. Atë prush që djeg e shqerr, si një dritë dhe terr. Si shend e vuajtje, si poezi e si dramë, si forcë njerëzore që e çliron dhe e ndryshon botën.
“Dashuria, shkruan ai, është kondita e jetës. Po të mos ekzistojë ajo, shkatërrohet lidhjaa në mes të gjymtyrëve të njeriut. Mes familjes dhe njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës.
Pa dashuri s’ka enthuziazëm, s’ka shpresë, nuk kryhet asnjë vepër. Enthuziazmi dhe shpresa, bijat e dashurisë së sinqertë dhe të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilë mëngjesi. Si ato që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën, por hapen nën rrezet e para të diellit”.
Letrat e dashurisë mes intelektuales rumune Angela Romano dhe Mid’hatit zgjasin e dokumentohen për 24 vjet me radhë, pak më tepër se letrat e dashurisë mes Balzakut dhe Princeshës Hanska, por edhe me një pathos të papërshkruar.
Pyetjes: Pse nuk u martua kurrë Mid’hat Frashëri, i japin përgjigje letrat e tij dhe të të dashurave të tij. E zhuritur nga malli dhe largësia, Angela Romano e grish në Bukuresht të dashurin e saj, ku i kishte të gjitha komoditetet që të jetonin së bashku “me idhullin e saj, shpesën e saj të parealizueshme”, siç shprehet ajo në letër.
Por Mid’hati zgjedh midis Angelës dhe Shqipërisë, këtë të dytën dhe ajo ia kthen: “Jam e lumtur për ty dhe për vendin tënd”.
Mid’hati i përgjigjet së dashurës Emma: “Ti e di sëmundjen morale nga e cila unë vuaj, ajo mani për t’i analizuar gjërat, ajo ngasje për të gërmuar përherë në thellësi të tyre, duke dashur të shoh larg, ta konsideroj shumë shpesh të tashmen si preokupim të së ardhmes. Një martesë, për mua është e pamundur dhe jam i sigurt se nuk do ta bëja kurrsesi të lumtur”.
Në letrën drejtuar Elsës, Mid’hati shkruante: “Të dua të lumtur, Elsa. Po luftoj midis zemrës dhe arsyes, midis dashurisë dhe detyrës, pikërisht në emër të kësaj dashurie”.
Elsa: “Mbase është një marrëzi e madhe dashuria ime për ty, që e do aq shumë lirinë, të udhëtosh, t’i biesh botës qark, te do ndryshimin, jetën pa halle, pa telashe”.
ObserverKult