Leonardo DiCaprio shkruan sërish për Vjosën dhe liston arsyet pse duhet kthyer në Park Kombëtar
Aktori Leonardo di Caprio është kthyer në aktivistin më të njohur të botës që ka folur dhe ngritur zërin për Vjosën. Ai ka kërkuar vazhdimisht që Vjosa të shpallet Park Kombëtar, madje është hapur dhe një peticion për këtë çështje. Qëllimi kryesor është mbrojtja e saj nga punimet për diga apo projekte të tjera të ngjashme që mund ta dëmtojnë. Fituesi i çmimit “Oscar” ka bërë sërish thirrje në një postim në Instagram për mbrojtjen e Vjosës duke listuar arsyet pse kthimi i saj në një Park Kombëtar do ishte i vlefshëm.
“Aktivistët me @blueheartrivers kanë punuar për të mbrojtur Vjosën për një dekadë dhe përpjekjet e tyre kanë fituar mbështetje globale. Nëse Vjosa do të bëhej Park Kombëtar, ajo do ishte e mbrojtur përgjithmonë nga kërkimet për naftë dhe digat aty pranë. Një Park Kombëtar i Vjosës do të tërhiqte rreth 1.5 milionë vizitorë çdo vit, do të gjeneronte rreth 20 milionë euro të ardhura çdo vit dhe do të krijonte gjashtë vende pune në komunitetet lokale për çdo punë në parkun kombëtar. Ndiqni linkun në bio për të nënshkruar peticionin për të shtuar zërin tuaj për të bërë #VjosaNationalParkTani”, shkruan aktori.
Pritet ende një vendim për këtë çështje.