Ledion Liço padit Mira Kazhanin, reagon gazeta “Express”: Gazetarja trukoi gjithçka, duke na e hedhur ne fajin

Një shkrim i publikuar nga “Tirana Post” që drejtohet nga gazetarja Mira Kazhani, është bërë shkak që moderatori i njohur i “Top Channel”, Ledion Liço të ngrejë një padi pranë Gjykatës së Tiranës. Liço kërkon nga Kazhani një ndjesë publike dhe jo dëmshpërblim monetar për shkrimin me titull “London Noor shkon në muze për hir të babi Ledionit”. Shkrimi bënte fjalë për një foto që Ledioni kishte postuar në Instastory me djalin e tij, ndërsa ndodheshin në muzeun “Shtëpia e gjethes” në Tiranë. Në lajmin e postuar në “TiranaPost”, theksi vihej tek kritikat ndaj Ledionit si prind, dhe se si një foshnjë e vogël nuk duhet të shikonte kurrsesi pamjet që ofron muzeu i gjetheve në Tiranë, ku më së shumti ekspozohen paisje apo fakte rreth komunizmit të egër që ka provuar Shqipëria. Por Mira Kazhani nuk ka shfaqur pakënaqësi vetëm ndaj Ledion Liços, por edhe ndaj gazetës “Express”, e cila akuzon “Tirana Post” se po kërkon t’ua hedhë atyre fajin. “Express” pretendon se sapo janë njohur me padinë, stafi i “Tirana Post” kanë ndryshuar lajmin dhe kanë vendosur si burim të parë portalin “Gazeta Express”, që drejtohet nga Berat Buzhala. Ndërkohë që avokati i Liços ka depozituar padinë në Gjykatë, Gazeta Expres ka publikuar faksimilet ku pretendohet se konfirmohet trukimi apo ndryshimi i tekstit nga “Tirana Post”, në dëm të portalit nga Kosova.