Landi Hysi flet për rikthimin e grupit: “E vështirë të ecësh përpara kur këmbët s’të mbajnë”!

Pas ndarjes nga jeta të Dr.Florit, për grupin West Side Family nuk ishte aspak e lehtë të vazhdonin të ecnin përpara. Ashtu si dhe dy pjesëtarët e tjerë të grupit, edhe Dr.Flori zinte një vend të rëndësishëm në muzikën që ata bënin dhe sigurisht që askush nuk mund ta zëvëndësojë atë. Megjithatë për të vazhduar pasionin dhe për të mbajtur në këmbë grupin aq të dashur nga publiku shqiptar, Landi dhe Miri, gjetën forcat për të ecur përpara.
Në fillim ishte kënga ‘Beso’, një këngë që kujtonte të gjithë punën e Dr.Florit dhe jepte një mesazh shumë të fortë. Ndërsa së fundmi “West Side Family” kanë publikuar këngën ‘Komshia’, këngë tipike verore, ritmike dhe që të bën menjëherë për vete. Kjo këngë është pritur mjaft mirë nga publiku dhe mesa duket kjo gjë i ka lumturuar shumë Landi Hysin dhe Miri Shahinin, shkruan Who.
Në ‘Instagram’-in e tij Landi nuk ka nguruar të shprehë falenderimet për të gjithë fansat e muzikës së tyre. Gjithashtu me vargjet e një kënge ka kujtuar Dr.Florin dhe ka treguar se sa shumë mungon ai në grup.
“West Side Family ju është thellësisht mirënjohës të gjithëve për mbështetjen duke marrë parasysh që është shumë e vështirë që ashtu siç thotë Dr.Flori: ‘Ngrihesh fillon ecën, kur gjunjët ty s’të mbajnë, ti qan, por brenda vetes qesh për t’mos u parë.’ Të vazhdosh të ecësh përpara është një sfidë shumë e madhe, por mbështetja juaj na jep forcë dhe e ndiejmë që nuk jemi vetëm, përkundrazi këto kohë jemi edhe më shumë”, ka shkruar Landi.