Lamtumira e Koço Devoles/ Jetoi gjithë jetën me qira, i biri tregon porosinë e artistit: Më tha të mos merrem me…

Si çdokush tjetër, ai nuk mori asgjë me vete, madje nuk la pas as pasuri materiale. Ata që e njihnin nga afër, thonë se Koço Devole jetoi në një shtëpi me qira deri sa u largua nga kjo jetë.

Ai vetëm dha buzëqeshje dhe shpresë në ato vite kur e qeshura ishte kaq e pakët. Dhe këtë e bëri edhe në këmbim të kërcënimeve. Mbështjellë nga lulet, dashuria dhe dhimbja e njerëzve të afërm dhe kolegëve, por dhe aromës së temjanit, Koço Devole, artisti i jashtëzakonshëm i humorit shqiptar, u përcoll dje në banesën e fundit. Ai u nda nga jeta pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, për shkak të virusit Covid19.

U përcoll me një ceremoni familjare, por pavarësisht situatës pandemike, njerëzit që shkuan ta përcillnin nuk ishin të paktë. I pranishëm në ceremoni ishte edhe i biri, Genci, i cili mes dhimbjes u shpreh se i ati i la si pasuri virtytin e së drejtës dhe këshillën që të mos ngatërrohej me politikë, ndonëse ai vetë e pati në shënjestër politikën, pavarësisht ngjyrave.

“Ishte një baba i mrekullueshëm. Një prind i jashtëzakonshëm, prind i përkryer. E adhurojnë mbesat dhe nipërit, bashkëshort i devotshëm. Na ka lënë një boshllëk i jashtëzakonshëm”, tha ai mes lotësh, teksa shton për “News24” se një nga këshillat e tij ishte që “një artist s’duhet të ngatërrohet me politikën, që të kujtohet si i tillë. Po u ngatërrove me politikën, do humbasësh vlerat”.

Sa i përket faktit se jetoi deri sa iku nga kjo jetë në një shtëpi me qira, i biri u shpreh se ky ishte virtyti i të drejtëve. “Ai është i pastër dhe i qetë me shpirtin e tij”.

Ndërkaq ai u shpreh qartë në lidhje me trajtimin që i ishte bërë në spital. Genc Devole nuk e pranoi faktin se ishin mjekët ata që e kishin nxjerrë nga spitali, ende pa u kuruar, për shkak të mungesës së shtretërve.

Sipas tij, i ati, ishte larguar nga spitali me dëshirën e tij, madje pa marrë aprovimin e plotë të mjekëve.

E fatkeqësisht ai do të kthehej sërish aty, por këtë herë gjendja ishte e rënduar dhe aktori, i cili prej dy vjetësh vuante nga leucemia, nuk e përballoi këtë goditje të fundit nga virusi Covid19.

Ai u nda nga jeta ditën e diel, në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të jashtëzakonshme, një pafundësi karakteresh, ndonëse te njerëzit do të mbetet i paharruar në figurën e Sillos.

LAMTUMIRA

Jo sepse kur një njeri ikën është e udhës të marrë me vete vetëm fjalë të mira, por sepse e meritonte. Koço Devole u përcoll me lëvdata nga kolegët e tij, të cilët e konsideronin të jashtëzakonshëm, me një formim të gjithanshëm, një Charlie Chaplin shqiptar, që nuk bëri kompromise me politikën.

“Formimi i tij në artin e humorit është i veçantë. Ishte skenarist, aktor, regjisor, ishte i jashtëzakonshëm. Para një viti më dorëzoi një telekomedi shumë të bukur dhe unë e kam si mision që ta çoj deri në fund dhe ta realizoj”, tha aktori Agron Llakaj.

Përtej konsideratave për artin e Devoles, një nga moderatorët e njohur të programeve satirike, Saimir Kodra thotë se politika dhe shteti shqiptar nuk duhet të kujtohet për artistët veç në ditën e lamtumirës me mesazhe.

Kontributet e tyre nuk duhet të vlerësohen vetëm në ceremoni mortore. Jeta e tyre, gjendja e tyre sociale duhet të jetë shumë më ndryshe. Ndoshta nuk është momenti, por më duhet ta them, Koço Devole vdiq në vendin e tij, këtu në Tiranë, në një shtëpi me qira”, u shpreh Kodra për mediat.

Leka Bungo do të kishte dashur që Devole të përcillej prej dyerve të institucioneve, ku punoi për vite të tëra. “Ai bëri shkollën e tij, që ishte me shumë vlera dhe do të vazhdojë të jetë për artistët e rinj të skenës, e në veçanti atyre të humorit, që e duan teatrin e vërtetë dhe jo atë banal”, u shpreh Bungo.

“Ai bënte humor me të djathtët, me të majtët dhe me të qendrës, ndaj dhe s’kishte pse ta lëvdonte një palë e ta shante një tjetër. Jo vetëm arti i Koços, por arti në tërësi duhet të jetë në opozitë të vazhdueshme me politikën’, tha aktori Xhevahir Zeneli.

“Ai ishte skenarist, regjisor edhe aktor, performonte deri në një moment që pati një performancë që nuk ndikoi për mirë tek disa njerëz, të cilët e kërcënuan dhe iku në Amerikë. Por ai u rikthye sërish dhe ka lënë shumë vepra në skenën e estradës. E donte vendin, ishte një paketë artistike, që rrallë se i vjen vendit”, shprehet regjisori Osman Mula, teksa kujton vitet kur kishin bashkëpunuar në Televizionin Publik Shqiptar për realizimin e spektakleve të fundvitit.