La burrin për një grua, shqiptarja homoseksuale: “Jam shtatzënë”!
Përpara 30 vjetësh, familja e saj u arratis drejt SHBA-së , dhe sot shkodrania Rremida Shkoza është shndërruar në një prej aktivisteve për të drejtat e komunitetit LGBTI në Nju Jork. Ajo nuk e pati të lehtë të përballej me këtë situatë, pasi edhe vetë të afërmit e saj nuk e pranuan.
Një vit më parë, rrëfente se ishte rritur me edukatën familjare, si katolike. “U martova për 5 vite. Pastaj u ndava sepse doja të jetoja jetën time. Është një barrë e madhe që nuk e përmban më. Nuk mund të jetosh në një gënjeshtër.”, shprehej atëherë, ndërsa pohonte tashmë lidhjen me partneren amerikane, Elle.
Rremida Shkoza ishte së fundi pjesë e “Ftesë në 5” me Bieta Sulon përmes një lidhje Skype, ku rrëfeu se është në pritje të ëmbël.
Ajo dhe Elle do të bëhen nëna të dy binjakëve. Rremida tregoi se gjithnjë e kishte ëndërruar që të mbante një shtatzëni, ndaj zgjedhja se cila prej tyre do të mbante bebat nuk ishte e vështirë. “Për mua thirrja ka qenë më e fortë, ndaj për ne ka qenë një vendim shumë i lehtë. S’ ka pasur ndonjë problem, s’ka pasur nevojë të diskutohej gjatë”, tha ajo.