“Kutia e Pandorës” u hap dhe për idhujt e miliona fansave! Elton John, Shakira e Claudia Schiffer mes emrave të skandalit offshore
Yjet e muzikës pop si Shakira, Elton John dhe Ringo Star, supermodelja gjermane Claudia Schiffer, si dhe këngëtari spanjoll Julio Iglesias janë ndër personazhet e famshëm që dalin zbuluar në skandalin e “Pandora Papers”, që zbuloi se si super të pasurit përdorën kompani offshore për të grumbulluar pasuri dhe për të bërë transaksione në shmangien e taksave.
Autoritetet tatimore në Australi dhe Britaninë e Madhe kanë konfirmuar tashmë se do të analizojnë dokumentet sekrete të publikuara nga ICIJ për të parë nëse ka ndonjë dëshmi se disa nga individët e pasur të përmendur në gazeta kanë abuzuar me ligjet për taksat.
Avokati i këngëtares së famshme Shakira i tha ICIJ-së se këngëtarja kolumbiane i mohon të gjitha ato që shkruhen, duke thënë se ajo i ka deklaruar kompanitë e saj në Bahamas, duke pretenduar se ato nuk sigurojnë avantazhe tatimore. Përfaqësuesit e modeles së famshme, Claudia Schiffer gjithashtu thanë se ylli i modës i paguan rregullisht taksat e saj në Britani të Madhe, ku jeton momentalisht.
Shakira po përballet gjithashtu me një rast tjetër të mashtrimit tatimor në Spanjë, ku akuzohet se ajo nuk ka paguar 14.5 milionë euro taksa për të ardhurat e fituara midis viteve 2012 dhe 2014.
Vet këngëtarja është mbrojtur duke thënë se gjatë asaj kohe ajo nuk ka qenë rezidente në Spanjë.
Dokumentet Pandora përfshijnë rreth 12 milionë dokumente nga 14 kompani të shërbimeve financiare në vende si Ishujt e Virgjër Britanikë, Panama, Belize, Qipro, Emiratet e Bashkuara Arabe, Singapor dhe Zvicër./revistawho.com