Kush qëndron pas llogarisë së vezës që theu rekordin e Kylie Jenner në Instagram?
Fotografia e një veze arriti të thyente rekordin e Kylie Jenner, që zinte vendin e parë me foton më të pëlqyer në “Instagram”. Në fakt kjo nuk ishte diçka e pamenduar, madje pas kësaj qëndrojnë disa persona. “Too Fab” ka arritur të kontaktojë me një djalë 19-vjeçar, i cili ka dorë në sensacionin e momentit. Ishan Goel është kujdesur për marketingun, duke e reklamuar dhe e përhapur lajmin me shpejtësi tek sa më shumë njerëz, që veza të fitonte kundër Kylie Jenner.
Llogaria që ka fotografinë e vezës, ka gati 7.4 milionë ndjekës, ndërsa vetë fotoja ka arritur 48 milionë pëlqime. “Po shpresoja që do arrinte të fitonte që kur mori gjysmë milioni pëlqime. Nëpërmjet mesazheve në ‘Instagram’ ofrova ndihmën time për ta kthyer në foto virale”, ka thënë Goel. Ai ka treguar edhe bisedën me personin që ka krijuar llogarinë në ‘Instagram’ të vezës më të famshme në botë, megjithatë deri më tani askush nuk ka kthyer një përgjigje për “Too Fab”. Ishan Goel nuk ka dëshiruar të zbulojë identitetin e krijuesit të “vezës”, sepse është shprehur se anonimiteti i tyre e mban gjallë për një kohë më të gjatë këtë sensacion, shkruan Who. Megjithatë gjatë bisedës ai ka zbuluar se krijuesit janë më të vegjël se 19 vjeç dhe disa media të tjera kanë treguar se jetojnë në Londër, por nuk mund të gjendet identiteti i tyre i plotë.