Kush është Stormy Daniels, aktorja që ka futur Trump në telashe
Ish-presidenti amerikan Donald Trump do të dalë të martën para një gjykate në Nju Jork pasi ndaj tij u ngritën zyrtarisht akuza penale. Ai akuzohet se pagoi për të heshtur, aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels në mënyrë që të shmangte një skandal përpara zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA.
Daniels ka rrëfyer se ajo pati një takim seksual me Trump në vitin 2006. Kjo kishte ndodhur në 1 vit pasi ai u martua me gruan e tij të tretë, Melania. Historia mes tyre datonte më shumë se një dekadë përpara se biznesmeni i kthyer në politikan të bëhej president. Trump e ka mohuar lidhjen me aktoren dhe ka thënë se pagesa është bërë për të ndaluar “akuzat e saj të rreme dhe zhvatëse”.
Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, është aktualisht 44 vjeç nga Baton Rouge, Luiziana. Ajo ka qenë një personalitet i njohur për më shumë se dy dekada në biznesin e filmave për të rritur duke publikuar dhe drejtuar në video të shumta.
Daniels ka thënë se ajo u prezantua me Trump në korrik 2006 në një turne të famshëm golfi në Liqenin Tahoe. Në atë kohë Trump ishte vetëm një biznesmen, por mjaft aktiv në jetën e spektakleve televizive. Ajo tha se ai e ftoi për darkë dhe ata qëndruan në suitën e tij të hotelit, ku ai i tregoi asaj një kopje të një reviste golfi me foton e tij në kopertinë.
Stormy Daniels on Donal Trump’s ‘hush money’ indictment
“Dhe unë thashë me vete: “Dikush duhet ta marrë atë revistë dhe të të godasë me të” – tha Daniels për programin CBS “60 Minutes” në 2018. “Ai u kthye dhe i uli pak pantallonat. Ju e kuptoni që kishte të brendshme dhe gjëra të tjera.” – tha Daniels. Ajo tha se Trump e pyeti për veten dhe nëse do të dëshironte të merrte pjesë në shfaqjen e tij televizive “Celebrity Apprentice”.
“Ai tha: “Uau, ti – ti je e veçantë. Më kujton vajzën time. Ti je e zgjuar dhe e bukur. Një grua për t’u llogaritur dhe mua më pëlqen. Më pëlqen”, – tha Daniels. Ajo tha se u justifikua në një moment për të përdorur banjën dhe kur u kthye pa se Trump ishte “i ulur” në buzë të shtratit.
“E kuptova saktësisht se në çfarë e kisha futur veten. Dhe thashë, “Uh, ja ku po shkojmë. Dhe thjesht u ndjeva sikur ndoshta… më dukej sikur kisha marrë një vendim të keq duke shkuar vetëm në dhomën e dikujt” – tha Daniels për emisionin “60 Minutes”. Ajo tha se të dy kishin marrëdhënie seksuale me marrëveshje.
Daniels tha se Trump i bëri disa telefonata gjatë vitit të ardhshëm dhe ajo e takoi përsëri me kërkesën e tij në korrik 2007 në hotelin Beverly Hills në Los Angeles për të diskutuar paraqitjen e saj të mundshme në “Celebrity Apprentice”. Daniels tha se Trump donte të bënte përsëri seks në hotel, por ajo nuk pranoi. Ajo tha se Trump e telefonoi një muaj më vonë për t’i thënë se nuk kishte mundur ta fuste atë në programin “Celebrity Apprentice”.
Më 28 tetor 2016, në ditët e fundit përpara zgjedhjeve presidenciale të fituara nga Trump, Daniels nënshkroi një marrëveshje heshtjeje ku ajo zotohej të mos fliste publikisht për marrëdhënien e saj me të në këmbim të një pagese prej 130 mijë dollarësh. Kjo sipas dokumenteve të paraqitura në Gjykata Federale e Los Anxhelosit. Pakti u nënshkrua nga Keith Davidson, avokati i saj në atë kohë dhe Michael Cohen, atëherë avokati dhe këshilltari personal i Trump. Dokumenti kishte një hapësirë për nënshkrimin e Trump, por ai nuk e firmosi kurrë.
Në vitin 2018, pasi Wall Street Journal raportoi mbi pagesën për Daniels, Cohen deklaroi publikisht se ai e kishte paguar atë duke përdorur paratë e tij dhe nuk ishte drejtuar nga Trump ta bënte këtë. Aktorja e paditi Trumpin dhe Cohen duke kërkuar të zhvlerësonin marrëveshjen.
Avokatët e Trump më pas pranuan se ai nuk e nënshkroi marrëveshjen e heshtjes dhe nuk do të kërkonin që ajo ta zbatonte atë. Një gjykatë e hodhi poshtë padinë e saj sepse çështja u zgjidh. Daniels ngriti një padi për shpifje kundër Trump në vitin 2018 në gjykatën federale për një postim në Twitter në të cilin ai e akuzonte atë si “mashtruese”.
Një gjykatës federal në Los Anxhelos vendosi në po atë vit se deklaratat e Trump nuk ishin shpifje dhe se mbroheshin nga garancia e Amendamentit të Parë të Kushtetutës së SHBA për fjalën e lirë. Vendimi i gjyqtarit u la në fuqi edhe nga Apeli ndërsa Gjykata e Lartë e SHBA-së refuzoi të shqyrtonte çështjen në vitin 2021.
Daniels ka thënë se një burrë i panjohur iu afrua asaj dhe vajzës së saj të mitur në vitin 2011 në një parking në Las Vegas dhe i kërcënoi pasi ajo pranoi të fliste hapur për marrëdhënien e saj me Trump në një intervistë për media.
Në vitin 2018, ajo publikoi një skicë të këtij personi. Trump iu përgjigj në Twitter publikimit të skicës duke shkruar: “Një skicë vite më vonë për një njeri joekzistent. Një punë totalisht mashtruese duke lëvizur mediat e “lajmeve të rreme” për budallenjtë (por edhe ata e dinë)!“ ©Marrë nga Reuters, LAPSI.al