Kush është stilistja shqiptare që veshi Bella Hadid në MTV? Modelja e falënderon publikisht
Bella Hadid u shfaq në MTV VMA e veshur me një veshje të zezë, në pjesën e sipërme transparente dhe në pjesën e poshtme me pantallona të lirshme. Modelja u rendit ndër të veshurat më mirë dhe merita për këtë është e stilistes që e ka dizenjuar, e cila rezulton të jetë shqiptare.
Emri që fshihet pas veshjes së modeles së famshme është Nensi Dojaka. Ajo është vetëm 26 vjeçe, e diplomuar 3 vite më parë në Universitetin e Modës në Londër, ndërsa më vonë ka vijuar masterin në Central Saint Martins.
Veshja e Bella-s i përket koleksionit vjeshtë 2020 të stilistes. Ndërsa Bella e ka falënderuar Nensin duke e etiketuar në Instagram.
“Me veshjen e stilises së re dhe shumë të talentuar Nensi Dojaka”, -shkruan Bella në profilin e saj.
Në një intervistë të dhënë për Forbes, në maj të këtij viti, Nensi ka treguar se ka filluar ta themelojë brandin e saj që kur studionte dhe filloi t’i shiste veshjet e para në website-in e veshjeve të luksit Ssense, ndërsa ka pranuar se dëshiron të dizenjojë edhe këpucë. Nensi ka treguar për Forbes se adhuron shumë sitilistë, mes tyre: Helmut, Ann Demeulemeester, Alessandro Dell’acqua – që e frymëzojnë në punën e saj.
Si e përshkruan ajo klienten e saj?
“Një grua me vetëbesim që nuk ka frikë të duket ndryshe dhe të thyejë konceptin e një veshjeje të bukur.”