Kush e donte eliminimin e Ismail Kadaresë dhe pse e mbrojti Enver Hoxha! Oferta e ish-diktatorit që e vuri shkrimtarin në tehun e thikës
Vazhdimisht është cekur raporti i shkrimtarit Ismail Kadare me diktatorin Hoxha. Sepse ky raport është lajtmotivi mjeran i një zhanri shkarra-shkruesish, që vijnë nga thellësitë më të errëta të puseve të mendimit.
Marrëdhënia e Ismail Kadaresë me diktaturën më të sofistikuar të Evropës është marrëdhënia më e ndërlikuar që një bard i mendimit të lirë mund të ketë ndërtuar me një despot komunist. Ku ka ndodhur që tirani i një shteti dhe shkrimtari më i shquar i tij me prejardhje nga një rrugicë e vetme e një vendlindjeje të përbashkët të bashkëjetojnë për mbi 40 vjet me radhë, duke qenë sfidues aktivë të njëri-tjetrit.
Njëri vazhdonte të shtypte me zjarr dhe me hekur një popull të tërë, kurse tjetri vazhdonte t’i jepte ushqim shpirtëror popullit të vet. E kjo sepse i pari kishte iluzionin, që rezultoi katërçipërisht i rremë, dhe i dyti do ta përjetësonte në letërsi me një imazh po aq të rremë. Në realitet edhe ato 40 faqe për diktatorin në 500 faqet e “Dimrit të madh” nuk janë veçse një mashë për të, gjë që publiku e kuptoi mirë qysh atëherë.
Prandaj, në qendër të librit tim “Ylli i shkrimtarit”, një biografi për shkrimtarin Ismail Kadare nga koha e diktaturës deri më sot është një kompromis, një marrëdhënie njerëzore që i mundësoi Kadaresë të ishte i lirë në pjesën tjetër të veprave, për të na dhuruar ato perla letrare që njohim sot, por që nga ana tjetër i shkaktoi disa nga plagët më të dhimbshme shpirtërore në jetë. Gazeta “Panorama” boton edhe sot pjesë nga libri i suksesshëm i autorit “Ylli i shkrimtarit”, një biografi për Ismail Kadaren nga koha e diktaturës deri më sot, botuar nga “Plejad2013”.
******
NGA NDRIÇIM KULLA NDRIÇIM KULLA
Enver Hoxha, i cili me anë të njerëzve të tij kontrollonte çdo gjë që ndodhte në mbledhje, e mësoi largimin e Kadaresë nga mbledhja, siç pohon vetë shkrimtari. Enver Hoxha vendosi aty për aty nëse duhet t’ i lejonte Nexhmijen dhe Ramizin që ta eliminonin shkrimtarin. Nëse Kadareja largohej nga mbledhja kjo gjë ishte e sigurt. Por diktatori nuk mund t’ia lejonte vetes luksin e eliminimit të poetit të ri. Ndërsa qëndronte në llozhë, Enver Hoxha vështronte me kujdes sallën.
Ai ishte në vitin e shtatëmbëdhjetë të pushtetit dhe tanimë kishte nisur të shqetësohej se nuk po gjente dot një shkrimtar të aftë për të bërë portretin e tij letrar. Poezitë që ishin shkruar për të nuk e kënaqnin. Te Kadareja 25-vjeçar diktatori shikonte shenja që premtonin se ai ishte një kandidat serioz për t’u bërë shkrimtari i parë i vendit në të ardhmen e afërt, kuptohet nëse lejohej që të ushtronte talentin e tij. Edhe këtë historinë e debatit për vargjet e lira diktatori e shikonte nga këndvështrimi i interesit të tij personal. Vargjet e lira një hap i ndan nga proza ka menduar Enver Hoxha, kështu që ky Kadareja jep shenja se mund të bëhet një prozator shumë i mirë. Pra, ai mund të shkruante romane shumë të mira.
Ky Kadareja duhej mbrojtur, vendosi diktatori. Është e vërtetë se në këtë çështjen e vargjeve të lira e ka tepruar dhe kritikët e tij kanë të drejtë që të gjithë. Ndoshta do të jetë e vështirë për ta kontrolluar këtë Kadarenë, ka menduar Enver Hoxha, por ia vlente të provohej se cfarë do të dilte nga talenti i tij. Në fakt, nuk është se diktatori kishte shumë alternative. Nga shkrimtarët e vjetër ai ishte zhgënjyer përfundimisht dhe nuk priste që ndonjë prej tyre të ishte i aftë të shkruante një vepër epike në prozë për të. Mbeteshin pra shkrimtarët e rinj, ndër të cilët më i afti ishte padyshim Kadareja. Diktatori që në atë ditë korrikut të vitit 1961 duhet ta ketë ndjerë se për arsyet e përmendura më lart, ky shkrimtar do të bëhej i vetmi njeri në Shqipëri që kishte pavarësi nga pushteti i tij. Aq më tepër nëse ia arrinte që ta bënte veprën që priste diktatori prej tij. Kjo do të thoshte që ai diktatori, njeriu më i fuqishëm në Shqipëri, do të ishte njëfarësoj peng i këtij shkrimtari.
Diktatorit nuk i ka pëlqyer kjo gjë, por ka menduar se nëqoftëse shkrimtari arrinte ta shkruante veprën epike në prozë që ai priste prej tij, atëherë ia vlente që ta paguante këtë cmim. Nëqoftëse shkrimtari nuk ia arrinte që ta bënte këtë gjë, atëherë diktatori do ta ndëshkonte me kënaqësi për të gjitha. Kur Kadareja më vonë ia arriti që ta bënte portretin letrar të diktatorit, atëherë ky i fundit do ta godiste herë pas here shkrimtarin për një arsye tjetër, shumë diabolike. Enver Hoxha kërkonte t’ i tregonte Shqipërisë dhe vetes se ai, diktatori nuk ishte peng i shkrimtarit të parë të vendit. Por më kot, përderisa sopata e diktatorit ndalej në rrëzë të qafës së shkrimtarit kuptohej se njeriu më i fuqishëm në këtë marrëdhënie ishte ai shkrimtari dhe jo diktatori. Në mbledhjen e korrikut 1961 Enver Hoxha vendosi ta shpëtojë Kadarenë në çastet e fundit. Kadare e përshkruan kështu ngjarjen tek libri “Pesha e kryqit”:
Gjuha ishte aq e ashpër, saqë në pushim, i revoltuar vendosa të largohem nga mbledhja. Piktori V. Kilica, që ishte në presidiumin e mbledhjes, më arriti në shkallët dhe më tha se nuk mund të largohesha kështu nga një mbledhje ku asistonte Enver Hoxha. Kur s’pranova të kthehesha, ai më tha se kishte porosi të më thoshte se “Shoku Enver, pasi dëgjoi akuzat kundër jush, dëshiron të dëgjojë edhe përgjigjen tuaj, veçanërisht tënden”.
Kjo nuk ishte sjellja e zakonshme e Enver Hoxhës. Në radhë të parë këtu kishte një poshtërim për sekretarin e Komitetit Qendror për ideologjinë, Ramiz Alinë, i cili kishte mbajtur një referat në emër të Komitetit Qendror të PPSH, pra edhe të vetë Enver Hoxhës, ku Kadareja ishte kritikuar rreptë. Sipas rregullave të regjimit, i kritikuari kështu mund të fliste vetëm për të bërë autokritikë. Një njeri tjetër në vend të Kadaresë do të kishte menduar se diktatori donte ta mbronte dhe po i kërkonte që të bënte autokritikë. Por, Kadareja njëzet e pesëvjeçar e kuptoi saktë mesazhin e diktatorit. Kadareja e kuptoi se Enver Hoxha po i jepte leje që të thoshte mendimin e tij publikisht, në një mbledhje ku ishte kritikuar hiç më pak se nga vetë sekretari i Komitetit Qendror për ideologjinë. Pra, Kadareja kishte leje jo vetëm që të mos bënte autokritikë, por kishte leje që t’ i sulmonte ashpër kritikët e tij.
Por oferta që po i bënte diktatori do të thoshte për shkrimtarin e ri që të ecte në tehun e thikës. Ai e dinte se kishte kundër gruan e Enver Hoxhës, përveç sekretarit të Komitetit Qendror për ideologjinë. Armiqtë e tij ishin aq të fuqishëm sa me kohë mund t’ ia kthenin mendjen Enver Hoxhës dhe të triumfonin duke e eliminuar shkrimtarin. Në të vërtetë kjo luftë do të vazhdonte për tre dekadat në vazhdim. Kadareja e kuptonte se asnjë shkrimtari në botën komuniste, as më parë dhe as më pas, nuk i ishte dhënë një shans i tillë si ky që po i jepej atij tani. Nëse do të guxonte, ai kishte mundësi që të ndryshonte kursin e letërsisë shqipe, në mos përgjithmonë, së paku për një periudhë kohe. Ishte një shans që nuk do të vinte më kurrë. Në rast se Kadareja do të hezitonte atëherë kundërshtarët e tij do të nisnin një epokë të llahtarshme për letërsinë dhe shkrimtarët, të tillë që nuk ishte parë deri në atë kohë.
Gjithçka varej në dorën e atij, shkrimtarit të ri. Ai e dinte se nga mënyra se si do të diskutonte në atë mbledhje, do të vendosej nëse mes tij dhe diktatorit do të lidhej një pakt atë ditë. Ishte fjala për një pakt si ai midis Faustit dhe Mefistofelit. Enver Hoxha po i thoshte atij që e shikonte tanimë si kandidatin më të sigurt për t’ u bërë shkrimtari i parë i vendit: “Unë e di se çfarë do ti. Ti do që t’ ua thyesh hundët konservatorëve në letërsi, në këtë mbledhje dhe në vitet që vinë. Unë mund të ta bëj këtë dhuratë, dhe ja ku po ta bëj. Por edhe unë pres një dhuratë nga ty. Unë pres që t’i ta kuptosh se duhet të provosh të bësh portretin tim letrar”.
Për herë të parë në jetën e tij, shkrimtari i ri gjendej kaq pranë majës së “Olimpit”, gjë që do të thoshte të ishe edhe shumë pranë rënies. Kadare vendosi që të shprehë pikëpamjen e tij në diskutimin e tij në mbledhje. Te “Pesha e kryqit” ai shkruan:
Gjatë pushimit të drekës, në restorant “Volga” (ende nuk ishin hequr emrat rusë të restoranteve), ndërsa hanim drekë bashkë me V. Kilicën, përgatita shpejt e shpejt një përgjigje ose, më saktë, një kundërakuzë, me një gjuhë, gjithashtu të ashpër. Thelbi i përgjigjes ishte, pak a shumë, ky: në qoftë se ne shkrimtarët e rinj ishim liberalë e me prirje borgjeze, ata që na kritikonin s’ishin veçse konservatorë me prirje monarkiste.
Kur Kadare u ngrit të fliste në pjesën e dytë të mbledhjes, të gjithë në sallë me përjashtim të Enver Hoxhës, dhe të dy-tre njerëzve afër tij, si dhe të Vilson Kilicës, i cili i kishte dërguar mesazhin Kadaresë, prisnin që ky i fundit të bënte autokritikë. Kështu që salla mbeti me gojëhapur kur Kadare i sfidoi rreptë kritikët e tij. Kadare tha në fjalën e tij:
Do të flas pak mbi problemin e ngritur kohët e fundit: problemi i novatorizmit. Duhen sqaruar disa gjëra, për të mos bërë spekullime.
Problemi i ngritur kohët e fundit në diskutime dhe në faqet e gazetës “Drita”, në esencë të tij është një problem fiktiv, i fryrë me qëllim nga disa njerëz. Bile me sa duket këta njerëz nuk e kanë hallin tek vargjet e lira, por tek e gjithë poezia e disa poetëve të rinj, të cilën poezi nuk e pranojnë dhe duan ta hedhin poshtë me çdo mënyrë. Nuk ka si të kuptohen ndryshe fjalët që thanë këtu Andrea Varfi dhe Luan Qafëzezi. Por, është interesante se u thanë shumë fjalë por asnjë shembëll, u ngritën teza të cilat u rrëzuan, por pa u përmendur se kujt i përkasin këto teza.
Ndonëse Kadare përmendi vetëm Andrea Varfin dhe Luan Qafëzezin nga nga kritikët e tij, të gjithë në sallë e kuptonin se Kadare me përgjigjen e tij po sfidonte direkt sekretarin e Komitetit Qendror për ideologjinë, Ramiz Alinë, në fjalimin e të cilit ishin thënë së pari tezat që pastaj i zhvilluan në fjalimet e tyre Varfi dhe Qafëzezi. Por në sallë kishte dhe një numër më të paktë njerëzish të cilët e kuptonin se Kadareja ishte duke sfiduar edhe Nexhmije Hoxhën e cila qëndronte pas Ramiz Alisë. Shumë njerëz në sallë ishin në dijeni të historisë me poemën e Kadaresë “Princesha Argjiro”, për të cilën ishin ndeshur ashpër Nexhmije Hoxha dhe Liri Belishova. Tani që Liri Belishova kishte rënë dhe ishte internuar, ku e gjente kurajon ky Kadareja pyesin veten shumë njerëz në sallë, apo ishte një i çmendur që po shkatërronte karrierën si shkrimtar dhe vetveten? Fjalët e Kadaresë sa vinin dhe bëheshin më të ashpra:
Sofizmat, të lojturit me termat është gjë e rrezikshme. Vargu i lirë lidhet patjetër tek ne nga disa me emrin e modernizmit, po sikur të ngriheshim e të thoshim, po të niseshim nga poezia formaliste, se vargjet më të rregullt kanë qenë të lidhur me monarkitë dhe kanë lulëzuar me tërë akademizmin e tyrë sidomos pranë oborreve mbretërorë? Këto përfundime kur nisesh nga formalizmi të çojnë në qorrsokak.
Asnjë shkrimtar, as deri në atë kohë, as më vonë, nuk do të fliste kështu duke kundërshtuar hapur dhe publikisht një udhëheqës, siç ishte Ramiz Alia, madje në prani të vetë Enver Hoxhës. Shumë nga ata që ishin në sallë, më pas kanë thënë se prisnin që Kadaresë t’ i hidhnin hekurat me të përfunduar fjalimin e tij. Sipas dëshmitarëve, Ramiz Alia, herë ulte kokën kokën dhe i hutuar fshinte me shami djersët që i rridhnin, herë kërkonte që të ndeshte vështrimin e Nexhmijes, e cila jo më pak e hutuar se ai i shmangej. Të dy e kuptonin se shkrimtari kishte marrë leje nga Enver Hoxha për të folur lirisht. Pra, nuk kishin çfarë të bënin. Duhet të prisnin ditë më të mira për t’u hakmarrë ndaj shkrimtarit të ri që i poshtëroi në këtë mënyrë. Ramiz Alia, i cili nga akuzator ishte kthyer në i akuzuar dhe u poshtërua publikisht në këtë mbledhje, nuk do t’ia falte kurrë shkrimtarit poshtërimin që i bëri këtë ditë. Por, as Nexhmija nuk ishte në pozitë më të mirë. Megjithëse ajo nuk u poshtërua publikisht, shumë vetë në sallë e dinin se ishte ajo që e kishte nxitur Ramiz Alinë kundër Kadaresë. Pra, poshtërimi i Ramiz Alisë ishte njëkohësisht edhe poshtërimi i saj. Në kohën që Kadareja fliste, pjesëmarrësit në mbledhje shikonin sa nga Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, te Enver Hoxha. Ky i fundit qëndronte me një fytyrë, pa shprehje, sikur në sallë të mos ishte duke ndodhur asgjë e veçantë. Ndërkohë Kadare, që po vazhdonte të fliste, ishte kthyer në akuzator të vërtetë ndaj konservatorëve:
Kanë çthurur vargjet mund të thotë dikush. Po. Por, me tre të shenjtë nuk ka, as ritme të shenjtë. Ka ide të mëdha, ka përmbajtje të madhe.
Këto fjalë ishin një herezi e vërtetë për teorinë e realizmit socialist. Mbledhja kishte marrë një drejtim plotësisht të papritur. Kadareja po përfitonte nga rasti që iu dha për të folur lirisht që të trajtonte sa më tepër tema të nxehta për çështjet teorike të letërsisë. Ai po kërkonte që të krijonte shtigje të sigurta, të mbrojtura për shkrimtarët e rinj që të mund të krijonin vepra sa më të lira në të ardhmen. Kadareja tha në vazhdim të fjalës së tij:
Nëqoftëse arti është i vërtetë ai do të ketë brenda patjetër të renë, novatoren.
Në përfundim të fjalës së tij, Kadareja paraqiti për herë të parë si sentencë atë që do të bëhej një nga lajtmotivet e veprës së tij letrare në diktaturë, dhe që i tërbonte veçanërisht kundërshtarët e tij:
Askush s’ka të drejtë që të përpiqet të uzurpojë artet duke çpikur teorira të diktuara nga gustot e tij personale, ose, akoma më keq, nga paaftësija e tij për të krijuar.
Kështu, Kadareja po u thoshte kritikëve të tij se ju jeni para së gjithash shkrimtarë të paaftë dhe duke qenë të tillë e ndjeni veten mirë brenda kafazit të teorisë së realizmit socialist, se atje mund të krijoni vepra skematike që nuk kërkojnë talent prej shkrimtari. Pasi Kadare përfundoi fjalën e tij, të gjithë po prisnin fjalimin e Enver Hoxhës për të parë se ç’qëndrim do të mbante diktatori. Enver Hoxha në fjalimin e tij bëri sikur harroi se në mbledhje ishte mbajtur një referat nga sekretari i Komitetit Qendror për ideologjinë, referat që shprehte vijën e partisë në letërsi, duke përfshirë edhe çështjen që ishte diskutuar në mbledhje, atë për vargjet e lira. Enver Hoxha u soll sikur sekretari i Komitetit Qendror për ideologjinë dhe shkrimtari i ri Kadare ishin diskutantë të rangut të barabartë, midis të cilëve diktatori mori anën e Kadaresë. Enver Hoxha tha:
Kur dëgjova diskutimet e disa shokëve, të them të drejtën, veç për një gjë nuk më erdhi mirë që doli sikur çështja shtrohet “të rinj” dhe “të vjetër”. Në fakt, disa nga ju janë të rinj, disa të tjerë janë të kaluar nga mosha, por unë mendoj se te ne nuk është problem çështja “të rinj” dhe “të vjetër”. Të rinjtë me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre bëjnë mirë që na shkundin ne më të vjetërve. Për këtë ne duhet t’u jemi mirënjohës atyre. Dinamizmi i shokëve të rinj është një thesar i madh për Partinë dhe popullin tonë.
Siç shihet, megjithëse Enver Hoxha u shpreh sa për të thënë se ai nuk ishte dakord me ndarjen në të rinj dhe të vjetër, ai mbajti anën e të rinjve. Kauza e të rinjve, domethënë ajo e Kadaresë, kishte fituar. Enver Hoxha e dinte se në këtë moment të vjetrit ishin bërë të pakënaqur me të. Prandaj, ai, për të mos i lënë edhe të vjetrit të të dilnin fare të pakënaqur nga mbledhja, se e dinte që ata do t’ i hynin përsëri në punë më vonë, tha:
Ju shokë të rinj, duhet të dini se edhe shokët e moshuar kanë kaluar në këto faza që jeni duke kaluar ju tani. Prandaj unë nuk besoj kurrë që shkrimtarët dhe artistët më të vjetër duan të pengojnë krijimtarinë e më të rinjve, veçse ata, meqënëse kanë kaluar më parë nëpër këto shtigje, kanë frikë se mos nga hovi i madh ju shkisni nga rruga.
Të vjetrit e regjur me vaj e me uthull e kuptuan qartë nëntekstin e diktatorit. Ai po u thoshte që të kishin durim se këta të rinjtë, duke marrë revan, mund të binin e të thyenin qafën dhe atëherë do të vinte përsëri dita e atyre, të vjetërve, të cilëve mund t’ u dukej se ishin poshtëruar sot. Nga të rinjtë, Enver Hoxha përmendi vetëm Kadarenë:
Unë i kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë. Kam lexuar për shembull, atë që ia ka kushtuar Kalasë së Gjirokastrës, “Princesha Argjiro”, e cila më ka pëlqyer, mbase sepse jam nga Gjirokastra. Kam lexuar edhe vjersha të tjera të Kadaresë, të cilat më kanë pëlqyer dhe kam përshtypjen se ai është një i ri me talent.
Duke folur kështu, Enver Hoxha së pari miratoi poezitë e Kadaresë me varg të lirë, duke iu dhënë fund vështirësive që ndeshte Kadareja për t’ i botuar ato. Së dyti Enver Hoxha, duke lavdëruar poemën “Princesha Argjiro”, dha sinjalin se tani e tutje letërsia duhet të trajtonte më shumë temën patriotike, duke përdorur legjendat e vjetra shqiptare. Pas prishjes me sovjetikët duhet të theksohej tema e patriotizmit. Enver Hoxha e bëri të qartë këtë kur tha në fjalimin e tij në mbledhje:
Patriotizmi është filli i kuq që përshkon të gjitha aspiratat, përpjekjet dhe krijimtarinë e popullit tonë e të njerëzve të dalluar të tij në çdo lëmë. Shpirti i flaktë i patriotizmit ka udhëhequr rilindasit shqiptarë që kanë bërë vepra aq të bukura dhe aq të frymëzuara. Rilindasit në krijimtarinë e tyre, janë udhëhequr nga patriotizmi i zjarrtë, nga dashuria e madhe për atdheun dhe popullin. Frymëzimi i madh i rilindasve, patriotizmi i tyre i kulluar, dashuria e flaktë për atdheun dhe perspektivat që i hapnin me veprat e tyre popullit shqiptar, duhet t’ i frymëzojnë edhe shkrimtarët e artistët tanë në krijimtarinë e tyre.
Deri në atë kohë, për shkak të miqësisë me Bashkimin Sovjetik dhe qenies brenda kampit socialist, letërsia duhet të theksonte temat e përkushtimit ndaj miqësisë me Bashkimin Sovjetik dhe ndaj kampit socialist. Tanimë e tutje, që këto dy tema të mëdha nuk do të ekzistonin më, do të ringjallej tema e patriotizmit. Për konservatorët duhet të ketë qenë shumë e dhimbshme që Kadare po ua merrte flamurin edhe në shtegun e kësaj teme dhe këtë gjë po e pohonte vetë Enver Hoxha. Kadare në librin “Pesha e kryqit”, duke kujtuar këtë mbledhje, thotë:
Për habinë e të gjithëve, diktatori, pasi dëgjoi me vëmendje diskutimet e “palës tjetër”, mori anën e të rinjve, duke përmbysur krejt gjendjen. Ishte e rastit, apo e llogaritur? Kishte më shumë mundësi që të ishte e llogaritur.
Nuk ka dyshim se ishte e llogaritur, por Kadare tregohet modest sa i përket rolit të tij në këtë mbledhje. Enver Hoxha nuk mund ta mbante qëndrimin që mbajti në mbledhje nëqoftëse Kadareja nuk do të kishte folur në mbledhje ashtu siç foli. Pas mbledhjes së korrikut 1961 doli ajo fjalë që do ta ndiqte Kadarenë pas në 25 vjetët e ardhshëm: “Kadarenë e mbron Enver Hoxha!” Shkrimtari vetë kur është pyetur për këtë fjalë është përgjigjur se nga kush e mbronte atë Enver Hoxha, në fund të fundit nga Enver Hoxha vetë! Kjo logjikë qëndron se në fund të fundit ishte Enver Hoxha ai që vendoste për gjithçka. Por një gjë është e sigurt.
Në 1961 nuk ishte Enver Hoxha por të tjerë njerëz në udhëheqjen e regjimit ata që donin ta eliminonin Kadarenë. Enver Hoxha në atë kohë mund t’i kishte lejuar këta njerëz që ta eliminonin Kadarenë. Por ai i ndaloi ata, kuptohet për qëllimet e tij, dhe në këtë kuptim mund të thuhet se Enver Hoxha e mbrojti Kadarenë. Por në kohën që Enver Hoxha e mbrojti Kadarenë ky i fundit nuk kishte shkruar akoma asgjë për Enver Hoxhën. Diktatori e mbrojti Kadarenë jo për ato gjëra që kishte shkruar ky i fundit për figurën e tij, por për ato gjëra që priste të shkruante. Ka një dallim të madh këtu. Te libri “Pesha e kryqit”, në një rast ku Kadare tregon më gjerë për këtë mbledhje dhe efektin që pati ajo për letërsinë shqipe, ai e bën të qartë se diktatori nuk e mori shpërblimin që priste:
Më 1961, gjatë një mbledhjeje dramatike që mund të ishte fatale për jetën e mëtejshme të letërsisë shqipe, E. Hoxha për habinë e të gjithëve, kishte marrë anën tonë kundër konservatorëve stalinistë. Ishte një nga aktet tipike të tij, një nga ato që çorientonin herë pas here shoqërinë shqiptare. Pas kësaj, ai me sa duket, ka pritur mirënjohjen e shkrimtarëve të rinj. Mirëpo ne, pasi përfituam nga anësia e tij për ta ndryshuar krejtësisht në mënyrën më brutale peizazhin e letërsisë shqipe, as që u kujtuam të thoshim gjysmë fjalë mirënjohjeje për të, çka ishte e pashembullt në atë kohë.
As kundërshtarët më të egër të Kadaresë nuk mund të provojnë të kundërtën. Është fakt se Kadare nuk ka shkruar ndonjë gjë për Enver Hoxhën midis vitit 1961 dhe vitit 1967, përveçse që ia ka përmendur vetëm një herë emrin në poemën “Shqiponjat fluturojnë lart”. A thua kaq kishte pritur Enver Hoxha nga Kadareja kur e mbrojti në mbledhjen e korrikut 1961? Dikush mund të thotë se nuk i kërkuan të shkruante. Por, Enver Hoxha nuk donte ta ulte veten që t’u kërkonte shkrimtarëve dhe poetëve të shkruanin diçka të veçantë për të, një poemë, një roman, se kështu do të dukej se kishte një vlerësim shumë të veçantë për atë që i bëhej kërkesa. Kuptohet që nëqoftëse dikush nga zyrtarët e lartë të partisë do ta thërriste një shkrimtar dhe do t’ i kërkonte që të shkruante një poemë apo roman ku të paraqitej figura e Enver Hoxhës, ai që do t’ i bëhej kërkesa do ta kuptonte se ajo vinte nga vetë Enver Hoxha. Enver Hoxha më tepër donte që të shkruanin për të dhe ai pastaj të bënte vlerësimin. Një nga efektet e mbledhjes së korrikut 1961, ishte se mbi supet e Kadaresë nisi të binte manteli i shkrimtarit të parë të vendit, një peshë e rëndë kjo duke ditur komplikimet që sillte. Kadare shkruan për këtë gjë te libri “Pesha e kryqit”:
Isha njëzet e pesë vjeç. Midis këtij libri dhe romanit për gjeneralin e ushtrisë së vdekur, që bëhesha gati ta shkruaja, u tendos befas një ndërprerje, një truall i shkretë hënor, nga ata që mund t’ i shikojmë vetëm në halucinacione, në mes të të cilit unë ngriva ca çaste (ca muaj, ndoshta stinë), ngaqë ndjeva se diçka e re, e rrezikshme po i afrohej jetës sime. Ishte fëshfërima e mantelit të shkrimtarit të shquar. Manteli i rëndë i shkrimtarit kombëtar nën diktaturë.
Po ecja drejt qendrës së tempullit. Atje ku ndodhej kthina më e fshehtë e urdhrit. Thelbii tij. Pamjet atje ishin të frikshme, ikonat skuqnin si të gjalla dhe gjaku derdhej prej tyre çurg.
Ç’do të kërkohej prej meje? Ç’ taksë do të paguaja për të larë mëkatin? Ndonëse ende turbull, përpara meje shihja arenën ku do të zbrisja për t’u përleshur me bishat, ndërsa publiku do të gumëzhinte përreth, shpesh herë me gishtin e madh poshtë, dhe midis tyre tirani (shkrimtari i mesëm), që do të vendoste fatin tim.
Nga Kadareja-“Faust” pritej që të fillonte të plotësonte pjesën e tij në paktin që kishte lidhur pa dëshirën e tij me diktatorin “Mefistofel”. Në vitet e ardhshme Kadareja do të tregonte një mungesë të qartë dëshire për ta bërë këtë gjë, gjë që do t’ i ndërlikonte marrëdhëniet e tij me diktaturën.
Panorama.al