Kur teoricienët e konspiracionit drejtojnë kombet
Nga Gideon Rachman
“Financial Times”
Dikur mendoja se teoritë e konspiracionit ishin streha e njerëzve të pafuqishëm dhe të paarsimuar. Bindja se forcat e errëta dhe të fshehta po i manipulojnë ngjarjet botërore, ishte shenjë e një njeriu të margjinalizuar, që lundron vazhdimisht në internet në kërkim të konspiracioneve apo që del në protesta të ndryshme në rrugë.
Në korridoret e pushtetit kishin më shumë dijeni mbi këtë çështje. Siç u pëlqen të mërmëritin nëpunësit civilë britanikë, kur gjërat shkojnë keq, zakonisht është “inskenim dhe jo një komplot”. Por teoricienët e konspiracionit janë zhvendosur nga rrugët dhe sheshet në suitat luksoze.
Ata janë bërë presidentë të vendeve të fuqishme, përfshirë Turqinë dhe Brazilin. Në SHBA, Donald Trump – një njeri që sheh kudo komplote kundër tij – po planifikon rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Por teoricieni i konspiracionit më i rrezikshëm nga të gjithë është Vladimir Putin, që po e kërcënon aktualisht botën me luftë bërthamore.
Fjalimi i tij me tone të forta javën e kaluar, shpallja e aneksimit të paligjshëm të pjesëve të pushtuara të Ukrainës, ishte i mbushur plot me mendime konspirative. Sipas Putinit, Perëndimi nuk “do që ne rusët të jemi të lirë; ata duan që ne të jemi një koloni. . . ata duan të na vjedhin”.
Në raste të mëparshme, Putin dhe këshilltarët e tij kryesorë i janë referuar teorisë së konspiracionit të “Një miliardëshit të artë”. Sipas kësaj teorie Perëndimi ka arritur në përfundimin se bota ka burime të mjaftueshme për të garantuar vetë m jetën e 1 miliardë njerëzve.
Ndaj sipas Putinit, ai synon që ta shpërbëjë Rusinë dhe t’i vjedhë burimet e saj natyrore. Javën e kaluar ai pretendoi se vendet perëndimore e kanë braktisur fenë dhe kanë përqafuar “satanizmin”. Është gjithnjë e më e qartë se Putin i beson në fakt shumicës së teorive të konspiracionit që përmend në publik.
Një këndvështrim tejet konspirative mbi botën, i ka nxitur për vite me radhë veprimet e tij. Presidenti i Rusisë ka këmbëngulur vazhdimisht se “revolucionet me ngjyra” në Ukrainë dhe Gjeorgji nuk ishin lëvizje demokratike spontane, por “grushte shteti” të prodhuara nga agjencitë perëndimore të inteligjencës.
Vladimir Putin është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Por nuk është i vetmi president që është njëkohësisht edhe teoricien konspirativ. Ndërsa përballet me mundësinë e humbjes në zgjedhje, udhëheqësi i Brazilit, Jair Bolsonaro, po promovon idenë e një komploti të madh të së majtë për t’i manipuluar zgjedhjet.
Po ashtu ai ka përqafuar teorinë e paprovuar se koronavirusi i Covid-19 është prodhuar qëllimisht në një laborator. Edhe Giorgia Meloni, e cila pritet të jetë kryeministre e ardhshme e Italisë, është shumë e fiksuar pas teorive konspirative. Ajo e beson hapur teorinë e “zëvendësimit të madh”, sipas së cilës ekziston një plan, i hartuar nga financierë elitarë, për të dobësuar kulturën e krishterë të Evropës nëpërmjet promovimit të emigracionit masiv.
Sipas këtij konspiracioni, qëllimi përfundimtar është shndërrimi i evropianëve në “skllevër” dhe konsumatorë të pamend, të zhveshur nga identitetet e tyre kombëtare dhe gjinore.
Me një sjellje që nuk parathotë gjëra të mirë, Meloni – ashtu si Trump në SHBA dhe VictorOrban në Hungari – pretendon se figura kryesore që punon kundër vendit të saj është financuesi dhe filantropisti hebre, 92-vjeçari George Soros. “Kur je skllav, vepron në interes të Sorosit”- ka deklaruar ajo.
Një tjetër udhëheqës i fuqishëm që kundërshton Soros është Recep Tayyip Erdogan. Presidenti i Turqisë e fajëson shpeshherë për problemet ekonomike që kalon vendi jo paaftësinë e tij drejtuese, por një “lob të normave të interesit” që ai pretendon se dëshiron të vendosë norma interesi spekulative, që po dëmtojnë qytetarët e zakonshëm.
Zgjedhja e Donald Trump president i SHBA-së, shkatërroi çdo lloj iluzioni se demokracitë e konsoliduara të Perëndimit ishin imune ndaj gjërave të tilla. Ish-presidenti, dhe ndoshta kreu i ardhshëm i SHBA, e nisi karrierën e tij politike duke promovuar gënjeshtrën që thoshte se Barack Obama nuk kishte lindur në SHBA.
Që nga ajo kohë, ai ka qenë një promovues i madh i teorive konspirative. Kjo kulmoi me këmbënguljen e tij se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 u manipuluan nga demokratët. Teoritë e konspiracionit kanë ekzistuar për shekuj, që nga epoka e djegies së shtrigave në turrën e druve, por edhe më parë.
Por në epokën tonë të globalizimit, ata janë veçanërisht të favorizuar nga nacionalistët ekstremistë, të cilët pretendojnë se shohin forca të huaja në hije që fshihen pas çdo pengese apo poshtërimi kombëtar. Një tërheqje ndaj teorive të tilla përfshin një largim nga realiteti, i cili më pas ndjell katastrofa të mëtejshme.
Ndërsa gjërat shkojnë keq, reagimi i natyrshëm për një teoricien konspirativ është të forcojë sjelljen e tij, duke pretenduar se katastrofa që kanë prodhuar politikat e tyre është dëshmi e mëtejshme e komplotit origjinal. Presioni i ngjarjeve, mund t’i bëjë edhe politikë-bërësit normalisht racionalë të joshen nga komoditeti që ofrojnë teoritë konspirative.
Në kulmin e krizës së euros, kam takuar disa politikë-bërës të BE-së, të cilët ishin të joshur nga ideja se e gjithë situata ishte shkaktuar nga institucionet financiare. Tani që është radha e Britanisë së Madhe që të zhytet në një krizën financiare, disa analistë të djathtë në Mbretërinë e Bashkuar dyshojnë për një komplot të huaj për të sabotuar Brexit-in.
Këta udhëheqës që ishin tashmë të prirur për të menduar në mënyrë konspirative, priren të bëhen edhe më paranojakë, sidomos kur gjërat shkojnë keq. Fjalimi i Vladimir Putinit javën e kaluar për aneksimin e territoreve aktualisht të aneksuara ishte një shembull klasik.
Gjithçka që ka shkuar keq për Rusinë, që nga vendimi i tij për të pushtuar Ukrainën, u citua si dëshmi e mëtejshme e komplotit djallëzor perëndimor, që “justifikoi” pushtimin. Disa vite më parë, ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se Vladimir Putin e kishte humbur kontaktin me realitetin, dhe se ai po jetonte “në një botë tjetër”.
Kjo është ajo botë në të cilën janë të shumtë armiqtë dhe komplotet e fshehura. Është bota e teorive konspirative. Mjerisht, imagjinata e sëmurë e Putinit ka nisur një luftë të panevojshme, brutale dhe gjithnjë e më të rrezikshme.