“Kur kam dalë në skenën e Eurovisionit…”/ Një rrëfim mjaft i veçantë nga Kejsi Tola për rrugëtimin e saj në muzikë!
“ALive Night” erdhi këtë të diel me një nga artistet padyshim më të dashura të publikut. Jo vetëm për muzikën dhe artin e mirë që sjell, por Kejsi Tola ka ruajtur gjithmonë një imazh shumë të pëlqyer nga audienca prej vitesh. Këngëtaren e kemi parë shumë rrallë në dalje televizive apo intervista, ndaj kjo e mbrëmjes së sotme ka rrëfime shumë speciale dhe të padëgjuara më parë nga artistja.
Fill pas Etheve Kejsi përfaqëson Shqipërinë në një nga kompeticionet më të rëndësishme për muzikën siç është Eurovision-i. Artistja u rendit e 17-ta. Si e përballoi përgjegjësinë e të përfaqësuarit të Shqipërisë në Eurovision?
Kur kam dalë në skenën e Eurovisionit në provën e parë gjenerale dhe salla ka qenë e mbushur plot thjesht kam qenë e mpirë por me punën e madhe që kisha bërë pas sepse për mua ka qenë një moment ‘black-out’. Do të kisha dashur shumë ndonjëherë që Eurovisionin ta kisha jetuar pak më vonë sepse patjetër ndoshta do të kisha kuptuar më tepër se çfarë do të thotë të përfaqësosh vendin tënd në një kompeticion aq të rëndësishëm. Do të kuptoja shumë më shumë se si ta trajtoja skenën në të cilën ndodhesha por prapë jam shumë e lumtur që gjërat kanë ndodhur kështu.