Kujtimet e Petro Markos: Si u tërbua Mehmet Shehu nga një vjershë e imja, më tradhtuan shokët e mi të ngushtë
Rrëfimet e shkrimtarit të njohur Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës në vitin 1936, dhe më pas edhe i rezistencës antifashiste në Tiranë, tregon prapaskenat e asaj që njihet si Lufta Nacionalçlirimtare dhe pse Koçi Xoxe urrente Enver Hoxhën?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”! Përse u dënua Petro Marko dhe kush ishin ata që i’a përgatitën arrestimin dhe kush e ndihmoi pas daljes nga burgu, etj. Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, i botuar në fillim të viteve ’90-të pas shëmbjes së regjimit komunist, libër i cili pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës, pasi u botua dhe ribotua disa herë, duke shënuar një rekord shitjesh.
NËN DIELLIN E MJEGULLUAR TË LIRIMIT TIM NGA BURGU
Çuditërisht, në vitin 1969 Inasuke Hazama, një piktor i dëgjuar japonez, i cili kishte qenë për vizitë në Shqipëri dhe unë i kisha falur si dhuratë romanin tim (sigurisht shqip), më dërgoi një pako në Lidhje. Në atë pako, ishte romani “Qyteti i fundit”, i ndarë në dy vëllime, i botuar japonisht. Gjithashtu, ishte edhe një gazetë japoneze, në të cilën vlerësohej romani dhe unë, si autor i tij. Më erdhi një letër nga përkthyesi japonez, që çuditërisht, e zotëronte shumë mirë shqipen, i cili më ftonte në Japoni, për t’u njohur dhe për të marrë shpërblimin për romanin. U drejtova në institucionet përkatëse dhe sigurisht mora atë që prisja: përgjigje negative. Kështu, as japonezit të largët, i cili me vlerësoi kaq lart punën, nuk iu përgjigja dot.
Sigurisht, një shkrimtar, kurrë nuk arrin të shkruajë më shumë se pesëdhjetë për qind të atyre veprave që ka ëndërruar, ose planifikuar. Unë ende nuk kam shkruar as pesë për qind të atyre që kam planifikuar…! Shumë tema, po shumica me karakter internacional.
Pyetje: – Si e ndieje veten si krijues brenda kornizave të kërkesave të kohës?
Përgjigje: – Nën diktaturë, pas burgut tim, me një izolim të rëndë trevjeçar, në vitet që pasuan, ëndrra për të realizuar vepra letrare, ishte thuajse e paarritshme. Atëherë e gjeta çelësin dhe zgjodha temat e dashura për mua: luftërat e trimave, të popullit tim, për liri, pavarësi, e çlirim.
Kështu që më vonë, shkrova romanin “Halimi”, romanin “Stina e armëve”, për të cilin më ka ndihmuar me shumë materiale Safoja, që kishte shoqet e saj partizane, si Liri Arapi, etj., romanin “Ultimatum”, romanin “Ara në mal”, romanin “Një emër në katër rrugë”, që u bë karton, por që besoj se tani do të botohet (siç u bë karton dhe përmbledhja e vjershave të mia të zgjedhura), romanin: “Një natë dhe dy agime”, që nuk u lejua të botohej, qëndroi për shumë vjet në dorëshkrimet e mia. (Në vitin 1988, kur isha përsëri shumë i sëmurë, në prag të vdekjes, Xhevahir Spahiu, pasi u përpoq në instanca të larta, nuk e di se ku, që mua të më jepej përsëri e drejta e botimit, e mori këtë roman, e redaktoi dhe e reduktoi ai vetë, në mënyrë që të mund të shihte dritën e botimit. Origjinalin e kam të pabotuar. Botimit të reduktuar, iu përshtat titulli: “Nata e Ustikës”. Ky roman, u quajt romani më i mirë i vitit dhe unë, në gjendjen time të rëndë shëndetësore, pata një gëzim të madh.)
Në vitin 1963, miku im më i mire, poeti Drago Siliqi, në atë kohë drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, u nis për një vizitë në Kinë dhe mori me vete dorëshkrimin e romanit “Një natë dhe dy agime”, që ta lexonte ne orët e lira, për të dhënë sa më shpejt përgjigjen lart. Pas disa ditësh, më mori Spiro Çomora në telefon dhe më dha një lajm të papritur, tepër të hidhur: “Petro! Avioni ku gjendej Dragoja, duke u kthyer nga Kina, u rrëzua në Irkutsk, në zbritje e sipër, mbi aerodrom”. Dhe Spiroja, i helmuar, më tha se Dragoja, kishte ndërruar jetë. Mbylla telefonin, i thashë Safos lajmin e hidhur, se edhe ajo e deshi shumë, mora një stol dhe dola në ballkon. Më rridhnin lotët sikur të isha fëmijë. Humba përsëri një shok e mik të dashur. Më vonë, Drita, gruaja e tij, më tregoi se në çantën e Dragos, u gjetën dy palë këpucë të vogla, që ishin për vajzat e tij të mitura, dhe, midis sendeve të tjera, ishin shpërndarë nëpër aerodrom dhe faqet e romanit tim, të cilat i mblodhën të pranishmit dhe ia sollën familjes.
Unë shkrova si poet, si gazetar e si shkrimtar, duke iu nënshtruar mundësisht, sa më pak kërkesave dhe rregullave të krijimtarisë së kohës, por u kritikova ashpër, u dënova me heqjen e së drejtës së botimit dhe disa nga veprat, m’u bënë karton, pa dalë në qarkullim, duke më mohuar kështu gëzimin e krijimit. Për një artist, kjo është e barabartë me vdekjen. Ky ishte një lloj tjetër burgimi dhe izolimi: heshtja. Emri im u hoq nga të gjitha antologjitë, tekstet shkollore, në plenumet e Lidhjes, nuk përmendesha kurrë më dhe asnjë organ shtypi, nuk mund të fliste për mua, pra më keq, se të kisha vdekur; unë vërtet isha gjallë, merrja frymë, shikoja, mendoja, dëgjoja, gjykoja, por në këtë lloj heshtjeje, e ndjeva se isha eliminuar si krijues.
Më 1974-ën, u bë një mbledhje në Ministrinë e Arsimit, për të më përjashtuar nga Lidhja. U kritikova për një vjershë, që gabimisht, faqosësi e kishte vënë si të kohëve të fundit, kurse ajo vjershë, ishte e serisë së “Lotëve të mërgimtarit”: “Seç u mbyll dera e mërgimit/ dhe tanithi do të vuaj/ Vendi im sot prej mjerimit/ do të më duket i huaj/” e të tjera… (vjershë nga cikli “Lotë mërgimtari”, shkruar në Zhapion të Athinës dhe që m’i ruante Dhimitër Shuteriqi, i cili mund t’i ketë edhe sot). Kryeministri u skandalizua për këtë vjershë (se thuhej aty: nga vjershat e fundit të autorit), prandaj mori në telefon Ndërmarrjen e Botimeve dhe u kërkoi një sqarim: “Kjo vjershë e fundit e Petro Markos, kur është shkruar?” U mblodh me të shpejtë organizata-bazë e Partisë dhe nisi diskutimi. Folën e folën, pastaj, një “shoku” im i vjetër, tha: “Petroja e ka shkruar tani atë poezi”! Kështu i raportuan Mehmetit, i cili u zemërua pa masë, duke më quajtur të çmendur, dhe propozoi ai vetë që të merreshin masa kundër meje.
Mbledhja u bë në Ministrinë e Arsimit. E kryesonte miku im Mantho Bala. Më pyetën për atë vjershë dhe unë e nxora nga xhepi të botuar më 1935: “Gabimi është i faqosësit. Gjëra që ndodhin në shtypshkronja…”!
Pastaj filluan të kritikonin personazhet e romanit që u bë karton: “Një emër në katër rrugë”. Bënin pyetje si kjo:
– Pse tetar Rizon, komandant xhandarmërie në fshat, që e vë në lojë, e ke bërë nga Kuçi?
– Po Zogu, nuk merrte xhandarë dhe tetarë nga Danimarka, po nga trevat tona.
Folën e folën, sikur të kisha bërë ndonjë vepër kriminale, pastaj ma dhanë fjalën mua, pasi vendosën që unë të hiqesha nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe të paguaja shpenzimet e botimit voluminoz të romanit “Një emër në katër rrugë”.
– Unë nuk kam para për të paguar dhe asgjë të kushtueshme, por gruaja ime, ka një makinë qepëse. Merreni dhe shiteni…! Pastaj dua të them dhe këtë: Pse e bëtë këtë mbledhje, pikërisht sot që është Shtatë Prilli, dhe nuk e bëtë dje më gjashtë prill, ose nesër më tetë prill?! Pra kjo mbledhje e Shtatë Prillit, ka një kuptim politik. Ndoshta do të akuzohem se; e kam përgatitur unë 7 prillin e vitit 1939. – Dhe ika pa përshëndetur njeri. Të gjithë më dukeshin si inkuizitorë. Po dhe ata nuk kishin faj. U përjashtova nga Lidhja, më hoqën të drejtën për të qenë shkrimtar në profesion të lirë dhe të drejtën e botimit për një afat të pacaktuar.
M’u hoq edhe triska e veteranit. Fyerje pas fyerjeje. (Njëkohësisht u mor masë edhe kundër redaktorit të romanit, mikut tim të mirë, poetit Llazar Siliqi. Me sa mbaj mend, e shkarkuan nga funksioni i sekretarit të partisë të Lidhjes së Shkrimtarëve) Në romanin “Një emër në katër rrugë”, për të bërë analogji me kohën që jetoja, m’u duk e volitshme që; të vendosja ngjarjet në kohën e Mbretërisë. Dhe kështu bëra. Dua të them, lidhur me këtë, se e kam nxirë më tepër nga sa ishte atë kohë, për këtë qëllim. Por kjo u kuptua dhe romani u bë karton. Për një ribotim të mundshëm, kam lënë shënimet përkatëse.
Një shënim që harrova ta shkruaja më parë: Më 1959, pasi botova “Hasta la vistën”, që u prit shumë mirë nga lexuesit (vite me radhë të gjithë më përshëndetnin në rrugë: “Hasta la vista”), po kremtohej njëzetvjetori i Revolucionit për Mbrojtjen e Republikës Spanjolle, nga agresorët fashistë të brendshëm dhe të jashtëm. Atëherë Kominterni, i pati bërë thirrje proletariate botëror, që të ndihmonte me vullnetarë Republikën Spanjolle. Të gjitha vendet që patën dërguar vullnetarë në Spanjë, duhej të botonin një vëllim, për Luftën e Spanjës. Këtë urdhër, mori Komiteti Qendror. Ata më thirrën mua dhe më dhanë të gjitha mundësitë, që të botonim edhe ne një libër të tillë. Pra, ma ngarkuan mua këtë detyrë. Kisha kujtimet për Luixhi Longon, për brigadën “Garibaldi”, kisha një botim francez dhe “Vullnetarin e lirisë”, që botuam në Madrid.
Fillova nga puna dhe ngarkova të gjithë shokët të shkruanin nga një kujtim për luftën e Spanjës. Skënder Luarasi, Zef Prela, Mane Nishova, Mehmet Shehu, i shkruan. Ato të Justina Shkupit dhe të Iljaz Pashait, i përgatita unë, duke biseduar me ta. Mehmeti bëri parathënien dhe botoi aty një poemë të tijën “Adelante, camaradas”!
Pak ditë pas botimit, Mehmeti na ftoi për një piknik në bregdet, te pishat tej Shkëmbit të Kavajës. Na porositi të mos merrnim asgjë me vete, se shpenzimet do t’i bënte ai. Shkuam në kodrën me pisha dhe gjetëm një vend të mirë. Ishte një takim i ngrohtë, bëmë fotografi dhe nënshkruam kopjen e librit “Lufta e Spanjës”, secili për të tjerët, kështu që çdo kopje që mori secili, kishte nënshkrimin e të gjithëve. Propozimin, për t’u dhënë titullin “Hero i Popullit”, të rënëve në Luftën e Spanjës, e kam bërë unë bashkë me shokët e mi; Skënderin, Manen, Zefin, Iliazin, Justinën, duke e motivuar kështu: “Krahas 28 mijë dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, le të qëndrojnë me krenari edhe këta pesë djem shqiptarë që dhanë jetën në Luftën Antifashiste në Spanjë”. Propozimi u bë që; të shpallen “Heronj të Popullit”, dhe ashtu u bë.
Me keqardhje them: Termi “aventurier”, për luftëtarët e Spanjës qarkulloi në disa rrethe të larta shoqërore. Ky ishte epiteti denigrues, me të cilin jo vetëm në Atdheun tim, por edhe në shumë vende të botës, u cilësuan luftëtarët e lirisë, antifashistët e shquar, të cilët morën pjesë në atë luftë. E dëgjuam atë që në Francë e, vazhdoi të pëshpëritej edhe kur u kthyem në atdhe. Kur diktatura më padiste mua, me epitete të tjera, midis tyre, radhitej edhe termi “aventurier”! Kjo ishte një gjë që na rëndonte në shpirt, që të gjithëve. Dihej, që bëhej qëllimisht.
SKENARI PËR FILMIN’ E PARË SHQIPTARO-SOVJETIK
Do të bëhej, në bashkëpunim me Kinostudion e Moskës, një film për luftën tonë partizane dhe skenaristi do të ishte shqiptar. U ndamë në tri grupe: Mbaruam skenarët, i mori Kinostudioja, i përktheu rusisht dhe, kur erdhi në Tiranë regjisori i dëgjuar Çuhrai, me grupin e tij, i lexuan të tre skenarët. Na thirrën në hotel “Dajti”, ku ishte Çuhrai. Unë mora me vete edhe Zef Prelën, shokun tim të Spanjës, që dinte rusisht.
Porsa u mblodhëm, Çuhrai tha: “Na ka pëlqyer shumë skenari i shkrimtarit Petro Marko, me titullin “Bora e kuqe”…! Do të bëjmë një film artistik, që të ketë jehonë, se është një temë shqiptare dhe e shkruar me art…”!
Ndërkohë që Çuhrait po i flisnin disa nga të pranishmit, ai më shikonte në sy. Dhe unë e vështroja, pa kuptuar se ç’thuhej. U ngritëm. Çuhrai i tha drejtorit të Kinostudios: “Ne po ikim! Nuk kemi mundësi të bashkëpunojmë”! – dhe dolën. Këto m’i tha Zefi. Të nesërmen, Çuhrai me ekipin e tij, iku i zemëruar dhe Kinostudioja e Moskës, na dërgoi një ekip me një regjisor tjetër. Për skenarin tim, çuditërisht, nuk u fol më fare. Dikush më tha se; Çuhrait i kishin thënë, “shkrimtari Petro Marko, nuk shikohet me sy të mirë nga Partia, prandaj mos insistoni për skenarin e tij”.
I revoltuar, bëra një letër drejtuar kryeministrit, duke i shprehur indinjatën për luftën që po i bëhet artit: “Nuk do të thoshin ky është filmi i Petro Markos, por do të thoshin: film shqiptar”!
Skenari “Bora e kuqe” është ende në Kinostudio, po nuk doli ndonjë regjisor që ta realizonte. Është pak a shumë lufta jonë me personazh kryesor heroinën Zonja Çurre, nga Tragjasi, së cilës i kam kushtuar edhe një vjershë të dashur “Vajza e Labërisë”. Me një fjalë, e ndieja se krijimtaria ime, hap pas hapi, ndeshte në barrikada njerëzish, që nuk shfaqeshin. Kjo gjë më lëndonte shumë, sepse unë, secilën vepër, e mendoja dhe e hidhja në letër, me gjithë sinqeritetin e shpirtit tim.
DRAMA E NJË DRAME
Do të përkujtohej 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Duhej bërë një spektakël. Unë kisha botuar në revistën “Drita”, një tregim “Male, male të bardha…”! Më thirri Ramiz Alia në aparatin e Komitetit Qendror dhe më tha: “Atë tregim që ke botuar në “Drita”, për Skënderbeun, a mund ta përpunosh në formën e një drame, për t’u shfaqur me këtë rast”?
I thashë se do të mundohesha. Në këtë kohë, kishim marrë urdhër të shkonim në terren, për t’u njohur me realitetin. (Kjo ishte një formë kineze.) Unë shkova në fshatin tim dhe vendosa që atë tregim, ta ktheja në dramë. Fillova nga puna. Por ndërkohë, shkoja dhe poshtë te bahçet, ku punoja me fshatarët e mi të mirë, që atë kohë, krasitnin agrumet, pasi kishin lëshuar Iule, dhe më mësuan se si, të shikoja sa lule kishte një degë, të hiqja të dobëtat dhe të lija ato që ishin më të shëndosha.
Erdhi një djalë nga fshati dhe më lajmëroi se në shtëpi, kishin ardhur disa kinezë. Shkova në shtëpi. Motra ime, Lilo, i kishte pritur shumë mirë, mbetën të kënaqur edhe se ata vërtetuan që unë, isha në punë me fshatarët. Për këtë punë kishin ardhur: Punonin shkrimtarët apo flinin? Ambasadori kinez, sekretari i tij, një i dërguar i “Hsinuasë” dhe një shok shqiptar, përkthyes, konstatuan se unë; po e realizoja edukimin tim, në gjirin e masave.(!) Motra i kishte qerasur, por ishte koha e drekës dhe ata s’kishin se ku të drekonin: kampi nuk ishte hapur ende, restorant nuk kishte. Të shkonin në Vlorë, duheshin tri orë…! Prandaj i thashë përkthyesit: “Le të rrinë të marrin një kafshatë bukë e kripë… se nuk është koha për të ikur”. Ata pranuan. Shkova poshtë dhe e pyeta motrën, se ç’kishte për drekë. Ajo më tha se, kishte një tenxhere me fasule…! “Po shko lart ti, se i rregulloj unë”! – tha ajo dhe thirri një mbesë, që ta ndihmonte…!
Për pak, dreka u shtrua: motra dhe mbesa, u vunë përpara nga një pjatë fasule të ziera me një gisht vaj ulliri përsipër dhe me limon. Në mes, vunë një pjatë me vezë të ziera, të bëra sallatë, dhe djathë…! Buka ishte e vakët, e bërë në shtëpi. Nxorën dhe dy shishe me verë shtëpie. Dhe filluam të hanim. U kërkova ndjesë për këtë drekë të varfër; motra e ndiente veten të turpëruar: pse nuk e lajmërova më parë, që të therte kecin? Pashë që pjatat i fshinë. I thashë përkthyesit, t’i pyeste, se mos donin prapë fasule. Që të tre: “ho-ho-ho”. Erdhi motra me tenxheren, ua mbushi prapë, u hodhi vaj boll dhe limon, solli dhe bukë tjetër.
Pasi mbaruan së ngrëni, tha ambasadori: “Është dreka më e mire, që kam ngrënë në Shqipëri”! Ai ndoshta e tha këtë, si diplomat, po unë e shikoja që pjatat i përlanin, sikur të ishin ëmbëlsira nga më të mirât. Ata ikën dhe motra, e cila me gjithë fatkeqësitë dhe traumat, nuk e linte humorin, më tha:
– Këta kinezë, sa janë?
– Bobo! Ku i gjejnë tërë ato fasule… duhen vaporë dhe vaporë me fasule, për t’i ushqyer.
Dilja tek “Tre Gurët”, ku rrija gjithnjë, se aty është një vend me horizontin dhe panoramën më të bukur të Mesdheut. Aty rrija mendoja. Kujtoja dramaturgët e vjetër, e të rinj. Më ra ndër mend drama e Sartrit; “Djalli dhe Perëndia e mirë” dhe vendosa të përdorja atë formë.
Punova gjithë muajin dhe e mbarova dramën. Titullin ia vura “Niku i Martin Gjinit”.
U nisa për në Tiranë dhe ia shpura Ramiz Alisë, i cili më kishte dhënë këtë ide. Pas dhjetë ditësh, ai më thirri dhe më përqafoi: “I ke rënë në të! Ke bërë një vepër të arrirë…”!
Patjetër që unë u gëzova, por iu luta që për ta vënë në skenë këtë dramë, duhej të vinte regjisori Piro Mani nga Korça. Pirro Mani erdhi. Bashkë me Pjetër Gjokën, si ndihmës regjisor, u mblodhëm për të ndarë rolet, sipas aktorëve. Aktori i madh i teatrit, Naim Frashëri, kërkonte me insistim të merrte rolin e Nikut…!
E kisha paraqitur dhe në konkursin e Ushtrisë, ku fitoi çmimin e parë. Me paratë që mora, shtrova një darkë në shtëpi, me shumë shokë krijues. U dha për botim dhe në revistën “Nëntori” dhe u botua.
Të gjithë aktorët, i kishin marrë me shumë dëshirë rolet, aq sa Naim Frashëri, thoshte se; me këtë dramë, teatri ynë mund të nderohej edhe në Evropë…! Por në kohën kur po ndaheshin rolet, dhe kur filloi punën për dekorin edhe piktori Agim Zajmi, erdhi urdhri nga Komiteti i Partisë i Tiranës, që drama të mos vihej në skenë, se ishte liberale…! Duhej të pezulloheshin të gjitha përgatitjet. Qarkullonte në rrethet tona letrare, mendimi se, nuk mund të vihej në skenë, një dramë e cila, vinte theksin te njëfarë degjenerimi të fëmijëve të udhëheqjes (bëhej fjalë për kohën e Skënderbeut), sepse do të tingëllonte, si një analogji me bijtë e udhëheqësve aktualë. Në fakt, urdhri kishte ardhur nga lart. Ky ishte një helm tjetër, që m’u dha ta pija në heshtje, pa zhurmë.
Memorie.al