Kthema qenin tim (denoncim i pazakontë që ka përfunduar në organet e drejtësisë)
Nga Entela Resuli
Personalisht qysh në fillimet e punës sime kam shkruar për ngjarje të cilat kanë të bëjnë me kafshë dhe shpendë. Kam ndjekur nga afër konkurse si “miss gardelina” apo gara të tilla ku zgjidhej qeni me nuhatjen më të mirë. Të gjitha kanë qenë argëtuese ndërsa sot, çështja që do të trajtojmë ka shkuar deri në organet e drejtësisë dhe ka si protagonist kafshët, por sigurisht edhe njeriun, i cili shpesh me praninë e tij i ngatërron edhe më shumë situatat.
Qeni me emrin Bufalo është 10 vjeç. Me flokë të bardhë, i shkathët dhe shumë i dashur. Para disa javë sh pas shëtitjes së pasdites u largua nga shtëpia. E bënte herë pas here këtë veprim dhe gjithmonë kthehej, por atë ditë nuk u kthye më.
Bufalo nuk fjeti atë natë në shtëpi.
Arlindi, i cili është edhe i zoti i qenit u shqetësua shumë, doli ta kërkonte me orë të tëra por pa asnjë rezultat. Kërkoji ndihmë në rrjetet sociale, por më kot. Asnjë lajm nga qeni dhe për qenin.
Këto ishin ditë shumë të trishta për të, pasi Bufalo e shoqëronte kudo, ata ishin mësuar bashkë dhe për më tepër e shqetësonte fakti që nuk kishte informacion dhe nuk e dinte se ku dhe si kishte përfunduar kafsha e tij.
Disa ditë më vonë rezulton se qeni është gjetur nga aktivistë të Faqes “Ndihma e kafshëve Shqipëri”.
Mësohet se në momentin e gjetjes ata i kanë bërë të gjitha analizat, e kanë kuruar tek Vet Hospital, ku i kanë konstatuar problemet shëndetësore dhe shenjat dalluese.
Megjithë njoftimin që kishte bërë faqja në rrjet ky moment i kishte kaluar pa e venë re të zotit të qenit dhe kafsha përfundon… në një familje tjetër.
Një zonjë me emrin Ardita Buna, juriste dhe pedagoge i shkruan faqes kafshëdashëse dhe shpreh gatishmërinë e saj për të mbajtur ajo qenin deri në gjetjen e familjes së tij ose përgjithmonë, nëse nuk gjendet.
Kështu ndodhi, qeni përfundon në shtëpinë e Arditës, e cila ka shprehur gatishmërinë e saj dhe ka premtuar që do ta mbaj me të gjithë të mirat.
Në këtë kohë i zoti i qenit bie në gjurmët e kafshës dhe faqja që ja kishte besuar qenin zonjës Buna e informon për gjithçka.
Në këtë kohë si aktivistët që ja kishin besuar qenin Arditës por edhe i zoti i qenit, kontaktojnë me të, për të rikthyer qenin në shtëpi.
Në këtë kohë mësohet se Ardita Buna e ka mbajtur për një farë kohe dhe më pas e ka dhënë qenushin pa leje tek persona të tretë. Aktivistët e faqes “Ndihma e kafshëve Shqipëri” kanë kërkuar sesi është gjendja e qenit dhe Ardita Buna nuk ka dhënë më informacion, pasi aktivistët kanë ngulmuar për qenin, znj.Buna ka deklaruar që ja ka dhënë disa çunave që si njihte etj.
Vetë i zoti i qenit ka kontaktuar disa herë me Ardita Bunën, dhe ajo i ka treguar disa pista, te cilat sipas tij janë verifikuar dhe kanë rezultuar të pavërteta. Këto pista u verifikuan në bashkëpunim me Komisariatin nr.2 të Tiranës, pasi i zoti ka bërë një denoncim pranë këtij institucioni.
Tashmë çështja është në Prokurorinë e rrethit Tiranë ku janë duke vazhduar hetimet.
Ky kallëzim i ra në sy “Vox News” i cili nuk kishte se si të mos e bënte lajm këtë çështje mbi qenin mes qindra çështjeve për njerëzit që hetohen në këtë organ të drejtësisë.
Arlindi thotë për “Vox News” se “Ne po vazhdojmë të gjitha rrugët ligjore derisa të gjendet qenushi. Kemi kontaktuar dhe vazhdojmë të kontaktojmë me të gjithë spitalet, klinikat veterinare edhe dyqanet ku lihen qenushat për t’i vënë në dijeni dhe për të na lajmëruar në rast se shohin qenin tonë. I bëjmë thirrje individëve të cilëve Ardita Buna i ka dhënë qenushin, ta dorëzojnë. Nëse qenushi dorëzohet vullnetarisht, ne do jemi shumë falenderues në çdo formë”.
“Vox News” kontaktoi me zonjën Ardita, por ajo nuk pranoj që ishte ajo dhe se nuk e njihte duke na e mbyllur telefonin me arrogancë. Arrogancë të cilën nuk e kishte kur kishte kërkuar të mbante qenin, madje ishte kujdesur të tregonte se sa e kualifikuar ishte, ku punonte çfarë biznesesh kishte dhe ku jepte mësim!
Ndërkohë në foton aplikacionin Whatsapp ishte vendosur fotoja e Ardita Bunës. Nuk besojmë se njerëz të tjerë që nuk janë ajo mbajnë foton e saj, për fat!
Ne donim vetëm t’i bënim një pyetje: Ku është qeni zonjë?