Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak nuk bëri bujë vetëm për pasurinë e tij por edhe për gjatësinë…
Emërimi i Rishi Sunak në postin e kryeministrit të Britanisë së Madhe nuk bëri bujë vetëm për shkak se ishte i pari jo i bardhë që merrte këtë post, apo për pasurinë e tij më të madhe sesa vetë Mbreti i Anglisë. Një tjetër veçanti që ka kapur sytë e mprehtë të vëzhguesve është edhe fakti se ai është kryeministri më i shkurtër i vendit që prej Winston Churchill-it.
I gjatë vetëm 170 centimetra, Sunak ka vetëm 3 centimetra më shumë se kryeministri legjendar britanik që udhëhoqi vendin gjatë Luftës II Botërore. Megjithatë, Sunak nuk është i vetmi në arenën ndërkombëtare, pasi i bashkohet një klubi special krerësh shtetesh që nuk i kalojnë 173 centimetra gjatësi. Në këtë klub bëjnë pjesë Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili është 173 cm i gjatë dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili është rreth 167 centimetra i gjatë. Po aq është edhe presidenti më i përfolur i momentit, Volodymyr Zelensky i Ukrainës.
173 centimetrat nuk i kalon as armiku i tij, presidenti rus, Vladimir Putin. Shumë më i shkurtër është një tjetër personazh negativ i politikës botërore, Kim Jong Un, i cili është vetëm 158 centimetra i gjatë.
Rikujtojmë, se Sunak së fundmi nisi të emërojë kabinetin e tij pasi iu kërkua zyrtarisht nga Mbreti për të formuar një qeveri të re. Kryeministri i ri ka premtuar të formojë një qeveri të “të të gjithë talenteve”, mes thirrjeve nga konservatorët e lartë për të emëruar ministrat më të mirë në dispozicion në vend që të fokusohet tek ata që janë besnikë ndaj tij, siç kishin bërë dy paraardhësit e tij.
Rishi është kryeministri më i ri në Britaninë e Madhe që nga viti 1812, njeriu që përparoi më shpejt nga parlamentar në kryeministër dhe që erdhi në pushtet me pasuri më të madhe se ajo e mbretit. Përveç kësaj, Sunak një bir emigrantësh, është i pari aziatik që emërohet Kryeministër i Britanisë së Madhe.
Top Albania Radio