Kriza në Ukrainë: Bella Hadid shpjegon ndjesitë në shfaqjet e modës

Në mbarë botën, shumë të famshëm aktualisht po përdorin fuqinë e tyre për të bërë thirrje për paqe dhe mes tyre është edhe supermodelja Bella Hadid.

25-vjeçarja i ka dhënë mbështetjen e saj koleges së saj Mica Arganaraz, e cila përmes historive të Instagram-it njoftoi se do të dhurojë një pjesë të fitimeve të javës së modës për organizatat ukrainase.

“Më duhet të them se është shumë e çuditshme të ecësh në shfaqje të modës, duke e ditur se po ndodh një luftë në të njëjtin kontinent. Unë do të dhuroj një pjesë të fitimeve të mia të kësaj jave të modës për të ndihmuar organizatat ukrainase. Për miqtë dhe kolegët e mi modele dhe këdo që po ashtu po lufton me këtë ndjenjë, ndoshta kjo është diçka në të cilën të gjithë mund të kontribuojmë”, është shprehur Arganaraz përmes llogarisë së saj në Instagram.

Shumë modele të tjera, përfshirë Bella-n, ndanë mesazhin e saj dhe iu bashkuan nismës së saj.

“Është tepër e çuditshme të ecim në shfaqjet e modës, veçanërisht gjatë një kohe si kjo. Unë do të flas me njerëzit e industrisë sonë, të bëjnë kërkimet e tyre dhe të kenë biseda të hapura për ferrin që po ndodh në vendin fqinj”, vazhdoi ajo.

Ajo gjithashtu inkurajoi ndjekësit e saj të “kujtojnë dhe të flasin për të gjitha luftërat që janë dhe kanë vazhduar për vite me radhë në mbarë botën”.

Edhe mes gjithë kësaj, modelja po e vë këmbën e saj profesionale përpara dhe po ecën në pistën e Javës së Modës në Milano./revistawho.com