Kristen Stewart në rolin e Lady Diana në filmin e ri që do të realizohet
Kristen Stewart do të luajë Lady Diana-n në një film të ri që do të bazohet në momentin kur Princesha vendosi të ndahet nga Princi Charles. Filmi do të titullohet “Spencer”, dhe ngjarjet janë vendosur në fillim të viteve 1990. Skenaristi i filmit thuhet se do të jetë krijuesi i “Peaky Blinders”, Steven Knight, ndërsa regjisori Pablo Larrain. Filmi do të vendoset në Sandringham dhe do të flasë për momentin kur Diana kuptoi se martesa e saj nuk po funksiononte.
“Ne vendosëm të futemi në një histori për identitetin, dhe rreth asaj sesi një grua vendos të mos jetë Mbretëreshë”, tha Larrain për Deadline.
“Ajo është një grua që, gjatë filmit, vendos dhe e kupton se dëshiron të jetë gruaja që ishte para se të takohej me Charles”, vijon Larrain, ndërsa shton se Stewart është “një nga aktoret më të mira sot”.
Drama do të bazohet mbi një periudhë 3 ditore, në një nga festat e fundit të Diana-s për Krishtlindje në Shtëpinë Windsor në pronën e tyre në Sandringham në Norfolk, Angli. Prodhimi pritet të fillojë në fillim të vitit 2021. Stewart është e njohur më së miri për rolin e Bella Swan në Twilight nga 2008-2012, dhe gjithashtu u shfaq në filmin e vitit të kaluar Charlie’s Angels si dhe në Snow White and the Huntsman në vitin 2014. Princesha e Uellsit është portretizuar në ekran më parë nga Naomi Watts dhe do të shfaqet në sezonin e katërt të dramës mbi familjen mbretërore të Netflix ‘The Crown”, e portretizuar nga Emma Corrin.