Kreu i kartelit meksikan vdes gjatë operacionit plastik teksa tentonte të bënte veten ‘të paidentifikueshëm’ (fotot)

Amado Carrillo Fuentes gjeti një fund të zymtë teksa humbi jetën gjatë një operacioni plastik 25 vjet më parë, teksa tentonte të bënte veten të panjohshëm nga të tjerët.

Si sot 25 vjet më parë (7 korrik 1997), kreu famëkeq i kartelit Amado Carrillo Fuentes – i njohur ndryshe si ‘Lordi i qiejve’ vdiq duke tentuar të ndryshonte drastikisht pamjen e fytyrës së tij.

Vdekja e tij është një nga më të çuditshmet e një kryetrafikanti drogash.

I lindur në Sinaloa të Meksikës, Amado fillimisht punonte për xhaxhain e tij Ernesto ‘Don Neto’ Fonseca Carrillo, që drejtonte asokohe kartelin Guadalajara.

Amado i ngjiti shpejt shkallët e karrierës në botën e nëndheshme kriminale.

Në 1993, ai vrau Rafael Aguilar Guajardo për të marrë kontrollin e kartelit Juarez, që në vitin 1989 kishte eliminuar shumë nga organizatat rivale të trafikut famëkeq.

Pseudonimi i tij ‘Lord i Qiejve’ erdhi pasi Amado ishte trafikanti i parë që krijoi flotën e tij të avionëve për trafikimin e kokainës nga Kolumbia drejt Meksikës dhe më pas drejt SHBA.

Ndryshe nga trafikantë të tjerë meksikanë të kohës që ishin kthyer në emra të njohur nga mediat si Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán, Amado ishte një nga më misteriozët në Meksikë, shkruan e përditshmja Washington Post.

Pas vdekjes së tij hetuesit shkruanin: “Ai jetonte pa u pikasur – pa përplasje të zhurmshme me armë, pa jetë nate apo ekstravagancë në diskoteka”.

“Vetëm pak imazhe të tij janë shfaqur në media, ai ishte një racë e re trafikantësh, një drogaxhi që sillej si një biznesmen”.

Pasuria e tij e akumuluar do të arrinte deri në $25milionë dhe kjo e bënte një objektiv ‘jo shumë interesant’ për agjencitë e mëdha amerikane të anti-drogës.

Ishte pikërisht kjo dëshirë për të mbetur anonim dhe i pazbulueshëm që e bëri të shkonte në 4 korrik 1997 në një klinikën private në Mexico City për operacionet plastike, me emrin e rremë ‘Antonio Flores Montes’.

Aty, dy kirurgë plastikë morën përsipër të ndryshonin fytyrën dhe pamjen e tij duke i hequr rreth 2 kg yndyrë nga trupi.

Megjithse nuk është shumë e qartë se çfarë ndodhi gjatë kirurgjisë, trafikanti u shpall i vdekur tre ditë pasi mbërriti aty.

Zyrtarët amerikanë deklaruan se ai vdiq nga një atak kardiak, por se çfarë e shkaktoi atë mbetet ende mister. Ndërsa për të shuar zhurmat e një vdekjeje të inskenuar, autoritetet publikuan dhe fotot e trupit të tij.

Vdekja e Amado do të sillte një seri eliminimesh që nisën me dy doktorët që e operuan, trupat e të cilëve u gjetën të betonizuar në fuci me 7 nëntor 1997.

Washington Post shkruan se trupat e tyre tregonin shenja torture e djegieje, por në kohën e luftërave mizore të karteleve shpërndarëse lajmet iu atribuan valës ‘së zakonshme’ të kriminalitetit.

Top Channel