Kourtney Kardashian flet për raportin me motrat dhe sqaron pse është distancuar prej tyre
Kourtney Kardashian gjithmonë ka krijuar idenë se është pjesëtarja më e largët në klanin e madh Kardashian-Jenner dhe mesa duket, kjo përshtypje është një fakt.
E ftuar në podkastin “Not Skinny But Not Fat”, ajo foli mbi raportin jo aq të afërt me Kim dhe Khloé, krahasuar me marrëdhënien që ato kanë me njëra-tjetrën.
Gjithçka nisi në vitin 2018, kur Khloé ishte shtatzënë me True dhe Kim priste lindjen e Chicago-s përmes një nëne surrogate. (Ndërkohë edhe Kylie ishte shtatzënë me Stormi-n). Kështu, sipas Kourtney, ato u lidhën shumë me njëra-tjetrën, pasi po kalonin të njëjtën përvojë dhe në njëfarë mënyre, Kourtney u ndje e përjashtuar.
Një tjetër arsye ishte sepse kishte akumuluar pakënaqësi ndaj serialit “Keeping Up With the Kardashians” dhe kështu u distancua edhe më shumë.
Gjithashtu, ajo rrëfeu se gjatë asaj periudhe nisi terapinë dhe se vendosi që kryesorja ishte të shpenzonte më shumë kohë me veten se sa me familjen. “Unë mendoj se disa prej nesh, më shumë se të tjerët, e ndiejnë nevojnë për t’u distancuar, ose thjesht për të bërë gjërat personale”, tha ajo. “Më pëlqen të jetoj në flluskën time të vogël, siç thonë ato (vajzat e familjes Kardashian-Jenner) dhe më pëlqen të rri në botën time të vogël, të hyj, të zgjedh vetë kur të dal dhe të rikthehem kur të dua”, shtoi Kourtney.
Gjithsesi, tha se me Khloé tanimë, janë më të afërta dhe gjërat kanë ndryshuar.
Kourtney ka zgjedhur një mënyrë jetese më të tërhequr, në krahasim me pjesën tjetër, duke i dhënë prioritet mirëqenies, fëmijëve dhe bashkëshortit të saj.
Anabelmagazine