KOPERTINA/ Rrëfimi i Arditit, çunit që theu rregullat: Unë & Melisa, historia që fshihet pas pozave çift!

Për këngëtarin e njohur, Ardit Çuni, dashuria aq sa është e bukur është edhe e lodhshme. E ndaj si një artist që nuk pëlqen as lulet dhe as poezitë, zgjedh seksin në vend të dashurisë. Pas 1 dekade karrierë në botën e muzikës dhe televizionit, çuni që thyen rregullat bëri bujë me festën e 25-vjetorit në kohë pandemie. Për bashkëpunimet në muzikë për treg ndërkombëtar, brand-in e tij, dhe historinë që fshihet pas fotove sensuale me Melisën e “Për’puthen”, Arditi flet në këtë intervistë për kopertinën e revistës “Story”:

Nga Klotilda Harka

Gjatë një interviste të fundit ku fole për “5 datat” më të rëndësishme rrëfeve eksperiencën e parë seksuale në vitin 2011, ndërkohë një vit më vonë në 2012 konkurrove në “Top Fest 9” me “Po të jesh i dashuruar”. Si është të bësh thjesht seks, dhe si është të jesh i dashuruar?

Në atë kohë në fakt as që e dija çfarë ishte seksi, e si mund të ishte ndryshe 15-16 vjeç… Sa i përket këngës në “Top Fest”, po ashtu s’kishte lidhje me ndjesitë e mija, pasi ishte një këngë që mu besua në atë kohë. Eksperienca e parë muzikore dhe s’mund të them që jam aq krenar për të (qesh). E nëse do më pyesje tani pas kaq vitesh, më mirë seks, sesa dashuri (qesh). Dashuria aq sa është e bukur është dhe e lodhshme.

Shkurti të gjeti të dashuruar e me shpirtin plot, apo në kërkim të saj e me zemrën bosh?

Zemrën e kam shumë, po shumë plot nga dashuria që marr çdo ditë nga njerëzit që më rrethojnë. E fundja dashuria në të gjitha format e saj është dashuri, pak rëndësi ka nga kush e merr. Kështu që mund të them që më ka gjetur shumë të dashuruar, me katër projektet e mija të rradhës që sapo i kam përfunduar.

Shumë zhurmë shkaktove me disa foto provokuese me Melisën e “Për’puthen”. Ishte flirt apo “thjesht lojë” siç është titulli i një prej këngëve të tua?

Në fakt tani që e mendoj janë super foto…. Ndoshta duhen printuar që t’i vë në mur, që t’i shoh sa herë të zgjohem se besoj të shkon dita mbarë (qesh). Kënga ime në fakt thotë: “E nisa si një lojë…”. Pjesën tjetër mund ta dëgjoni në Youtube.

U fol edhe që ti do të bëheshe pjesë e “Për’puthen”. Kishte diçka të vërtetë në këtë?

Ka qenë një dëshirë e njerëzve që të më shohin përkrah Melisës, por sigurisht që s’do bëhesha pjesë e një formati të tillë, sepse jam përqendruar në në tjetër fushë. Ju mendoni se unë do duroja prapaskenat e produksionit për shembull, nëse do të isha pjesë? (Qesh)

“Qaj” ka qenë një nga duetet që keni prekur zemrat e të gjithëve. Për ty është e thjeshtë të bësh dikë për të qarë, apo të të bëjnë ty?

Mua më bëjnë shumë rrallë për të qarë, por edhe vetë mundohem t’i bëj njerëzit e lumtur. Të vetmet momente në të cilat mund t’i bëj të qaj janë surprizat apo momentet e gëzimit për të cilat përkujdesem gjithmonë.

Në dhjetor festove 25-vjetorin në një festë të pazakontë për një kohë pandemie. Të erdhi dhe ty ndonjë gjobë si disa personazheve të njohur, dhe ç’do veçoje nga ajo festë e pazakontë ku shumë miq të postonin video të bukura?

Më pëlqen të më thonë “Çuni që theu rregullat” (Qesh). Përtej shakave, po festova ditëlindjen më të bukur që kam bërë ndonjëherë. Sigurisht që s’prisja as të më vinte gjobë, pasi kam zbatuar rregulloren, kam patur të gjithë ftuarit me test covidi negative, dhe kemi qenë aq sa numri i lejuar. Do veçoja momentin e fundit të video urimit nga të gjithë kolegët, miqtë e mi më të afërt të cilët folën për të gjithë rrugëtimin tim në muzikë që nuk janë pak por pothuajse një dekadë. Ky ishte dhe momenti që u përlota pasi në fund të videos më erdhi surprizë dhe mbesa ime… Nga aty pastaj mund ta imagjinoni vetë çfarë emocioni…!

Në këtë moshë ndjehesh ende shumë i ri, apo i pjekur për të bërë një propozim martese?

Ndihem i pjekur për të vazhduar jetën si t’më vijë, qoftë me një propozim apo jo. Mendoj që pjekuria nuk duhet gjithmonë të na gjejë duke bërë propozime. Unë kam një karrierë akoma përpara, e cila kërkon shumë kohë dhe investim… Në momentin që vjen një angazhim tjetër në jetë, si familja, i bie që kjo kohë duhet ndarë midis dy gjërash, dhe s’jam gati për këtë sfidë.

Mes muzikës dhe televizionit kë do të zgjidhje për gjithë jetën?

Sigurisht që muzikën. Nga ajo fillon gjithçka… Muzika na shpreh emocionet dhe ndjenjat më mirë sesa asgjë tjetër. Nuk do jetoja dot pa muzikën!

Çfarë projektesh muzikore je duke punuar dhe ç’plane ke bërë për të depërtuar në tregun ndërkombëtar?

Kam përfunduar katër projekte muzikore, të cilat janë të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra, por di vetëm të them që do jenë “zjarr”. Kam disa bashkëpunime me këngëtarë shqiptarë, të cilat mezi pres t’i bëj publike dhe në skenën ndërkombëtare. Kam dy bashkëpunime që po punohen me dy DJ të njohur, të cilët besoj do lançohen në pjesën e dytë të vitit 2021.

Strategjitë që ke bërë për t’u pasuruar brenda një kohe të shkurtër?

Objektivi im është që në moshën 30-vjeçare të kem arritur të bëj milionin e parë. Unë përveç muzikës jam dhe ekspert i menaxhimit të fushatave të marketingut online për brande shumë të njohura shqiptare dhe jo vetëm, kështu që prurjet e mija nuk vijnë vetëm nga muzika. Së shpejti po punoj edhe për lançimin e brandit tim nën emrin dhe firmën time… Për më tepër duhet të prisni dhe pak…!

Ardit Çuni i përgjigjet pyetësorit të Prustit: Do të doja të lexoja mendjet e njerëzve!

Çfarë quan pikën më të thellë të mjerimit?
Uria për bukë dhe ujë…

Ku do të pëlqente të jetoje?
New York.

Cila është ideja jote për lumturinë mbi tokë?
Jetoje jetën pa e menduar gjatë! Nuk do ta dimë kurrë sa kohë jemi në tokë. Duaje veten, atë që bën pa u interferuar nga mendimet dhe gjykimet e të tjerëve. Esenca e gjithësecilit është e veçantë dhe krijon atë që ne njohim si shoqëri.

Për cilat gabime ndjehesh më shumë fajtor?
Për ato që i bëj në nxitim e sipër…

Cilët janë heronjtë dhe heroinat e tua në letërsi?
Odisea & Penelopa.

Personazhet e historisë që vlerëson më shumë?
Ka shumë, por një ndër to është Martin Luter King.

Piktori i preferuar?
Mikelanxhelo.

Muzikanti i preferuar?
Moxart.

Cilësia që admiron më shumë te një burrë?
Sinqeriteti.

Cilësia që admiron më shumë te një grua?
Kujdesi ndaj vetes!

Virtyti i preferuar?
Përulësia.

Aktiviteti yt i preferuar?
Të këndoj.

Kush do kishe dashur të ishe?
Askush përveç vetes, ndoshta i lindur në rrethana të tjera.

Tipari juaj më i spikatur në pamje dhe karakter?
I gjendem çdo miku apo mikeshe në çdo moment që kanë nevojë, pa e menduar dy herë. Sa për pamjen e jashtme, s’e di ndoshta diçka në fytyrë, duhen pyetur miqtë e mi.

Cili është tipari që vlerëson më shumë te miqtë e tu?
Kur janë suportues dhe motivues ndaj gjërave dhe iniciativave që marr përsipër.

Cili është defekti juaj kryesor?
Kokëfortë & gjaknxehtë.

Fatkeqësia më e madhe sipas jush?
Një tjetër pandemi si kjo që po kalojmë.

Çfarë do doje të ishe?
Qen, që të merrja dhe të jepja dashuri të sinqertë.

Cila është ngjyra juaj e preferuar?
E kuqja.

Cila është lulja jote e preferuar?
S’më pëlqejnë lulet.

Cili është shpendi yt i preferuar?
Shqiponja.

Cilët janë shkrimtarët e preferuar?
Bukoëski, Dan Brown, e shumë tjerë…

Po poetët?
S’më pëlqejnë poezitë…

Cilët janë heronjtë e jetës reale për ty?
Prindërit e mi.

Cilat janë heroinat e tua të preferuara të historisë?
Anna Frank.

Cilët janë emrat e preferuar?
Kataleya siç edhe ja vura mbesës, Alejandro, Ricky, Gaia.

Çfarë nuk të pëlqen më shumë në këtë jetë?
Që shpeshherë ka njerëz, të cilët mund të kenë më shumë talent, por ndodhen në momentin dhe vendin e gabuar. S’më pëlqen që jeta është e padrejtë!

Cilat figura historike përçmon më shumë?
Hitlerin.

Cilën ngjarje ushtarake vlerëson më shumë?
Ndërhyrjen e Natos në Çlirimin e Kosovës.

Çfarë dhuntie do të doje të kishe?
Të lexoja mendjet e njerëzve.

Si do doje të vdisje?
Kush tha që do doja të vdisja…?(Qesh)Pranë familjes sigurisht!

Në çfarë gjendje mendore je aktualisht?
Super i motivuar, me plot energji dhe me shpresën për të rinisur shumë shpejt aktivitetin.

Motoja jote cila është?
“Be yourself, everyone else is already taken”./www.story.al