Konspiracionisti shqiptar: Në Tetor do të ‘krijojnë’ pandeminë e re
Covid-19 është rikthyer sërish. Autoritetet botërore janë të shqetësuara për përhapjen e variantit të ri Eris, të cilin OBSH e karakterizoi si një nënvariant me interes epidemiologjik. Kjo ‘ringjallje’ e Covid-19, ka bërë që autoritetet të rekomandojnë vaksinimin për kategoritë më të rrezikuara.
Megjithatë, konpiracionisti shqiptar Arianit Sllamniku hedh dyshime mbi vaksinën. Madje ai thotë se në muajin Tetor, do të krijojnë edhe një pandemi të re. Këtë koment ai e bëri në një intervistë me Skype për emisionin “ABC e Mëngjesit”, i cili nisi këtë të hënë sezonin e ri me Enkel Demin dhe Edi Ogën.
“Ka qenë një vaksinë, e cila iu është dhënë popullatës shpejt në nivel global pa asnjë testim paraprak edhe pse përkundër faktit se është ekzekutuar në botë. Pfizer në dokumentin e tij zyrtar thotë se është një version testues dhe kavjet në laborator kanë qenë ato që kanë marrë dozën. Ka qenë një luftë që përmes vaksinës, kush më shumë përfiton në pronësi të shteteve, amerikanët, rusët apo kinezët me të tyren.
Prisni muajin tetor sepse do të fillojë pandemia e re me 5 Tetor. Ne kemi dy deklarata, nga zbuluesi i teknologjisë mRNA të vaksinave që ka qenë kundër vaksinave mRNA tek njerëzit, thotë se të gjithë pacientët që kanë marrë dy dozat e Pfizer, kanë sindromën e AIDS. Ashtu e kanë paralajmëruar me 5 Tetor. Po i referohem Bill Gates sepse pandemia e parë iku, dhe po presim për pandeminë e dytë.“, theksoi ai. /abcnews.al