Kompeticioni “Miss Shqipëria” 25 vite

25 vite histori e bukurisë shqiptare, 25 vite Miss Shqipëria. Një event që mblodhi në Tiranë vajzat më të bukura që ishin pjesë e këtij kompeticioni ndër vite.

Për regjisorin dhe producentin, Petri Bozo “Miss Shqipëria” ka patur një rrugëtim të jashtëzakonshëm në vendet më të bukura historike dhe piktoreske të Shqipërisë.

“Është një shtegtim i jashtëzakonshëm i artit në të gjithë monumentet e trashëgëmisë kulturore shqiptare. Vetëm me një kalkulim të thjeshtë para tre ditësh që bëra, i bie që ne kemi përshkuar në gjithë Shqipërinë 582 mijë km për të ndërtuar skenat, për të bërë lokacionet, për të ndërtuar një imazh që sot e festojmë me shumë krenari.”

Kurora në formë shqiponje mbetet një nga simbolikat më të veçanta që ka qenë pjesë e pandashme e rrugëtimit të “Miss Shqipëria”.

“Elementi që i ka lidhur të gjitha fitueset e kurorës së Miss Shqipërisë, simbolizon krahët e shqiponjës dhe fjalën miss midis flakëve, është një urë lidhëse nga viti në vit që vajzat e trashëgojnë në njëfarë mënyre imazhin e saj se nuk mund ta kenë kurorën, kanë kopje të saj.”

“Te Miss Shqipëria janë shumë vajza që kanë fituar, që kanë marrë pjesë, që kanë marrë bursa, që u janë hapur rrugët edhe për audicione të ndryshme, si aktore, moderatore, si modele. Kanë përfaqësuar Shqipërinë në kompeticione vërtet shumë të rëndësishme ndërkombëtare, 16 të tilla që Miss Shqipëria dërgon përfaqësueset.”

Ndersa vetë bukuroshja e “Miss Shqipëria 2022”, Drita Ziri tregon benefitet e këtij kompeticioni bukurie pas një viti nga kurorëzimi në kalanë piktoreske të Porto Palermos në Himarë.

“Ka qenë një ndryshim drastik, nuk di si ta përshkruaj me fjalë. Kam kaluar nga një vajzë e thjeshtë që shkonte çdo ditë në shkollë, tani duke u përgatitur për evente madhështore nga Miss Shqipëria dhe të tjerë që më ftojnë në vende të ndryshme, të magjishme.”

Edicioni i 25-të i kurorëzimit të Miss Shqipëria 2023 do të mbahet këtë vit në Tiranë në muajin Korrik.

Klan News