“Kokainë rozë” në trupin e Liam Payne, autoritetet: Analiza toksikologjike për yllin e One Direction s’ka përfunduar

Analiza e toksikologjisë në trupin e Liam Payne nuk ka përfunduar ende, kanë raportuar autoritetet argjentinase pas lajmeve se në organizmin e këngëtarit u zbulua prania e kokainës.

Një përfaqësues i zyrës së prokurorit të shtetit u takua me babain e 31-vjeçarit, Geoff Payne i cili ndodhet në Argjentinë. Andrés Esteban Madrea e informoi se analizat toksikologjike dhe histopatologjike nuk kanë përfunduar ende dhe duhet të dalin rezultatet përpara se t’i dorëzohet trupi familjarëve.

Mediat e huaja kanë raportuar deklaratën e një zyrtari që tha se në analizën paraprake toksikologjike rezultoi prezenca e kokainës e më saktë të koktejit të drogës të njohur si “kokaina rozë”, një përzierje ketamine, metamfetamine dhe ekstazie.

Kjo analizë u është dorëzuar prokurorëve por ata mendojnë se nuk është një përcaktim i saktë të sasisë së drogës që qarkullonte në gjakun e Liam në momentin e vdekjes. Rezultatet përfundimtare nuk do të bëhen publike për disa javë.

Hetuesit gjetën narkotikë dhe alkool të shpërndarë në objektet dhe mobiliet e thyera në dhomën e hotelit në Buenos Aires ku qëndronte Payne duke i bërë të mendonin se këngëtari kishte përjetuar një shpërthim emocional për shkak të drogërave.

Prokuroria tha se Payne mund të ketë qenë në gjendje “gjysmë ose plotësisht të pavetëdijshme” kur është rrëzuar nga ballkoni. Ai mori “lëndime të rënda” në momentin që trupi i tij u plandos në oborrin e hotelit.

Disa minuta para se Liam të ndërronte jetë tragjikisht, recepsionisti i hotelit njoftoi një operator të emergjencës se kishte një “klient që ishte i dehur dhe i droguar” i cili “po thyente çdo gjë në dhomë”.

voxnews.al